Infektuar: 18148
Shëruar: 15150
Vdekur: 666
Shpërbëhet rok-bendi “Troja”

Shpërbëhet rok-bendi “Troja”

Kultura June 17, 2020 - 17:02

Rok-bendi “Troja”, pas gati 30 viteve karrierë, ka vendosur të mbyllë kapitullin e tij, për arsye se “janë përçarë muret e grupit”.

Kështu së paku është thënë në një postim në faqen e zyrtare të bendit në Facebook, ku ndër të tjera thanë se rok-grupi “Troja” asnjëherë nuk kanë kënduar në ahengje të organizuara nga politika.

“I erdh fundi edhe këtij muhabeti. TROJA ka një kohë që nuk ka qenë aktive në skenë edhe pse ka pasur tendenca të paraqitjes me formacione të ndryshme. Pas gati 30 viteve, TROJA e mbyllë kapitullin e saj. Muret e TROJËS janë përçarë. Përkundër që politika është munduar me u identifiku me neve, Troja asnjëherë nuk ka këndu në ‘ahengje’ të organizuara nga ata”, kanë deklaruar ata.

Kjo si duket ka ardhur pasi lokalisti i grupit, Bujar Berisha, pati një paraqitje në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje të para pak ditësh në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, raporton Zeri.info.

“Zëri” ka tentuar të marrë një prononcim nga Berisha, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur deri në këto momente.

Ndërkaq, në këtë postim thuhet po ashtu se grupi i tyre kurrë nuk ka qenë as “personal” dhe as “pjesë e ndonjë anëtari të caktuar”.

“TROJA i ka mbijetu shumë sistemeve që nga para lufta po edhe nga pas lufta, e gjithë kjo duke iu falemnderu juve që na keni dëgju dhe perkrahë. Kurrë, TROJA nuk ka qenë personale vetëm e njërit apo tjetrit anëtar, e as më pak pronë private, por e gjithë juve që na keni motivu për me kriju diçka më ndryshe”, thuhet tutje në këtë njoftim.

“E dimë që disa kanë me u mundu me keqpërdorë emrin TROJA, edhe këngët e TROJËS - dhe ju dëshirojmë fat! Disa kanë me këndu dhe kanë me u paraqitë si “TROJA”, po ajo është vjedhje e mundit, identitetit dhe ideologjisë të cilin ky bend e ka paraqitur me dekada. Por kultura kultivohet - nuk blehet me pare as nuk vjedhet”, thuhet në këtë njoftim.

“Çdo aktivitet që mbahet në emër te grupit TROJA që më parë nuk është lajmëruar në faqen zyrtare të saj, është keqpërdorim dhe abuzim i emrit të grupit dhe vlerave artistike te saj, të kultivuara me vite”, theksohet në njoftimin e postuar në faqen zyrtare të grupit “Troja”.

Në fund, rok-bendi falënderon të gjithë ata “që na keni dashtë, shajtë dhe përkrahë, na keni urrejtë, na keni dëgju, por edhe atyre që na ka kanë dëgju fshehurazi”, ndërsa falënderojnë edhe themeluesit e bendit, Florent Bajramin (Flokqi), Tomorr Arifin, Visar Blakun dhe Ismail Beqën (Maki).

“Shumë artista, producenta e muzicientë kanë kontribu që TROJA të jetë ajo që është: Leonard Canhasi, Armend Xhaferi, Pëllumb Ballata, Gent Bajrami, Eduard Qarri, Elod Bajrami, Adhurim Shabani, Edmond Gjinoli, Babuka, Geza, Muharem Veseli (Muha), Fali, Shkelzen Veseli, B.B Poqi, Flaka Krelani, Florent Boshnjaku, e plot plot të tjerë, të cilët i falemnderojmë. KEMI KRIJU DIÇKA TË BUKUR! Po, qysh ka thënë një personalitet i joni (emrin nuk po ja përmendim) ‘Jetojmë në një kohë ku injorantët dhe të padijëshmit kanë fitu më shumë vetëbesim sesa të mençurit’”, përfundon Troja postimin në facebook. /Zëri