Shuhet në moshën 71-vjeçare shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo

Shuhet në moshën 71-vjeçare shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo

Kultura June 15, 2020 - 13:34

Shkrimtari dhe studiuesi i njohur shqiptar, Moikom Zeqo, është ndarë sot nga jeta në moshën 71-vjeçare, duke lënë pas vepra të shquara për kulturën e kombin shqiptar. Ai vuante prej shumë vitesh nga një sëmundje e rëndë.

Kush ishte shkrimtari Moikom Zeqo?

Studiuesi Zeqo u lind më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit, ndërsa familja e tij është me origjinë nga Libohova. Moikom Zeqo arsimin fillor e kreu në Libohovë. Në vitin 1967 ai filloi studimet në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në vitin 1971, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë. Pas përfundimeve të studimeve, shkrimtari filloi punë si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”.

Më 1974-1976 punoi si mësues në Rrogozhinë. Më pas, në vitet 1979-1987, qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës.

Më 31 janar - 10 maj 1991 Zeqo u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991-n dhe 1992-n ishte kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996-n si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.

Studiuesi, tashmë i ndjerë, ishte doktor i Shkencave dhe mban urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Shkrimtari i shquar shqiptar, Moikom Zeqo, do të mbahet mend si një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.

Ai ishte autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma kinematografikë e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.

Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbo-kroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht, si dhe në gjuhën tonë.

Gjithashtu, ai është autor i tri ekspozitave vetjake në pikturë. Gjatë karrierës së tij Moikom Zeqo përfaqësoi Shqipërinë në konferenca shkencore ndërkombëtare me dhjetëra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj. /euronewsalbania/