Botohet në Francë përmbledhja me tregime dashurie nga 35 shkrimtarë shqiptarë

Botohet në Francë përmbledhja me tregime dashurie nga 35 shkrimtarë shqiptarë

Kultura May 12, 2020 - 13:25

Në Francë dje doli nga shtypi versioni fizik dhe elektronik i përmbledhjes me tregime të dashurisë “Nus vers l’independence” (Lakuriq drejt pavarësisë), në të cilin libër janë përfshirë 35 shkrimtarë shqiptarë me 35 tregime të dashurisë.

Reshat Sahitaj, kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, ka thënë se botimi i kësaj vepre është një akt historik për letërsinë shqiptare, sepse për herë të parë lexuesi francez do të ketë mundësinë të lexojë 35 tregime të dashurisë nga autorë shqiptarë, të botuara nga shtëpia botuese me renome ndërkombëtare “Le Harmattan”.

“Është një akt historik, sepse për herë të parë në letërsinë shqiptare para botës me krijime artistike dalin 35 autorë të të gjitha trevave shqiptare, si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe diaspora. Është një akt historik për faktin se libri botohet në djepin e kulturës botërore, në Paris, nga një shtëpi botuese e njohur në Evropë”, ka thënë Sahitaj.

Shkrimtari e publicisti Sahitaj tha se krijuesit shqiptarë janë shumë pak të njohur në skenën ndërkombëtare të letërsisë, për shkakun se që nga rënia e sistemit monist nuk është investuar në përkthimin e letërsisë shqiptare në gjuhë botërore.

“Ylli i letërsisë botërore pa asnjë dyshim është dhe do të mbetet Ismail Kadare e që njëherësh është përfaqësuesi më i denjë i letërsisë sonë, përmes të cilit bota e njeh Shqipërinë. Mirëpo nëse letërsia shqiptare do të mbetet vetëm me Kadarenë lirisht mund të konstatojmë se letërsia jonë ka vdekur”, potencoi ai.

Sahitaj thotë se Ismail Kadare i vuri themelet për njohjen e letërsisë shqiptare në botë dhe emri i tij është një ndihmesë e madhe për krijuesit e gjeneratave të reja shqiptare që të botohen jashtë, sepse këta kanë bazë të fortë të ndërtuar nga Ismail Kadareja, Ali Podrimja, Gani Xhafolli, Dritero Agolli, Fatos Kongoli, Edmond Tupja e disa të tjerë.

Gjatë dy dekadave të fundit Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë ka bërë përpjekje sistematike për ringjalljen e letërsisë sonë në skenën internacionale dhe brenda kësaj kohe ka arritur të botojë autorët shqiptarë nga shtëpi botuese të njohura si në Francë, Greqi, Belgjikë... Në vitin 2019 u botuan veprat e 12 poetëve e poeteve shqiptare në antologjinë botërore të rrjetit frankofon dhe dy vepra tjera të dy shkrimtarëve.

Autorët e përfshirë në ketë libër:

Adem Xheladini

Albert Shala

Alma Jaku

Anila Kananasi Karapidou

Alketa Gashi–Fazliu

Berat Dakaj

Behare Rexhepi

Bilall Maliqi

Biser Mehmeti

Driton Smakaj

Edlira Qefalija

Flora Peci

Ibrahim Berisha

Isuf Hoxha

Izet Avdyli

Ibraim Koça

Istref Haxhillari

Asllan Qyqalla

Leonita Fazliu

Luan Xhuli

Mevlyde Saraçi

Miranda Lushaj

Hasan Selimi

Prend Buzhala

Remzi Limani

Rozeta Kreste

Sadik Bicaj

Sheqir Podvorica

Shefqet Dinaj

Zyrafete Manaj

Xhelal Ademi

Gjon Gjergjaj

Sebahate Sopjani

Viktoria Seferi

Reshat Sahitaj.