Infektuar: 1110
Shëruar: 843
Vdekur: 30
Vdes ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj

Vdes ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj

Kultura May 07, 2020 - 08:09

Është ndarë nga jeta ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj.

Brahimaj ishte njeriu kyç i rithemelimit të Shkollës së Baletit, respektivisht Baletit Kombëtar të Kosovës.

Gjatë udhëheqjes së tij, BKK ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar nga e gjithë bota, gjë që rezulton me suksese të njëpasnjëshme.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Kulturës:

NJOFTIM

Sot më 07.05.2020 ka ndërruar jetë Ahmet Brahimaj, ish-Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës.

Ahmet Brahimaj u lind më 06.12.1953 në Novosellë, Pejë. Shkollën e Mesme të Baletit (1968-1972) e kreu në Shkup dhe i takon Gjeneratës së Parë të Baletit të Kosovës. Si solist i kësaj Trupe ka luajtur në të gjitha shfaqjet që janë pregaditur atëkohë, pra ka luajtur në 38 Premiera baleti, e në shumë premiera të tjera të Dramës.

Ai ishte njeriu kyç i rithemelimit të Shkollës së Baletit respektivisht Baletit Kombëtar të Kosovës. Gjatë udhëheqjes së Brahimajt, BKK ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar nga e gjithë Bota, gjë që rezulton me suksese të njëpasnjëshme.

Më datën 26/11/2010, me Urdhërin e Presidentit të Kosovës, me Rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, Ahmet Brahimaj nderohet me çmimin e madh “Artist i Merituar” për kontributin e dhënë në zhvillimin e Artit të Baletit në Republikën e Kosovës.

Sot Balerinët e BKK-së kanë humbur “Babain” e përbashkët i cili nuk e kurseu asnjë moment të jetës së tij për të punuar për ne qe të kemi sukses si institucion e të njihet në mbarë botën.

Ne do të jemi mirënjohës tërë jetën dhe do të bëjmë çmos që ta vazhdojmë atë që ti ke nisur!