Ekspozita 'Dedë Jakova', shtyhet inaugurimi në muzeun 'Marubi'

Ekspozita 'Dedë Jakova', shtyhet inaugurimi në muzeun 'Marubi'

Kultura March 13, 2020 - 11:48

Ekspozita “Dedë Jakova”, që ishte menduar të hapej në muzeun kombëtar të fotografisë "Marubi" në Shkodër, është shtyrë për një moment tjetër. Muzeu bën me dije se kjo vjen në kuadrin e masave parandaluese së përhapjes së koronavirusit, në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Kulturës. “Në zbatim të këtyre masave, edhe inaugurimi i ekspozitës ‘Dedë Jakova’, e cila ishte parashikuar të hapej më datën 3 prill, do të shtyhet deri në një komunikim të dytë nga ana e Muzeut”, shprehet institucioni muzeor, që ndodhet në qytetin e Shkodrës, shkruan gazeta "Zëri".

Dedë Jakova ishte një fotograf shkodran, që ia dhuroi shtetit rreth 50 mijë negativë, në xham dhe në celuloid, me format 10 cm x 15 cm deri 6 cm x 9 cm. Dedë Jakova ishte fotografi i rinisë. Kështu e quante populli i Shkodrës. Ai ishte dhe si fotoreporter për kohën dhe e zhvilloi veprimtarinë e tij nga viti 1930 deri në 1959-n. Në fondin e tij zbulojmë një larmi temash, si histori, etnografi, urbanistikë, teatër e shumë të tjera të rëndësishme. Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” mban në arkivin e tij rreth 400.000 negativë në pllaka xhami, të organizuara në mënyrë të përkryer dhe të klasifikuar sipas vitit të shkrepjes dhe përmbajtjes së fotografisë. Në dy katet e muzeut do të mundë të shihni edhe studiot e fotografit të famshëm Pietro Marubit dhe të pasardhësve të tij.

Ishte Pietro Marubi, azilanti politik italian, ai që hapi këtë godinë si studion e tij të re, ndoshta duke mos parashikuar qëndrimin 150-vjeçar të këtij institucioni ose ndikimin e tij të gjerë në fushat e fotografisë, të mjekësisë, të arkitekturës dhe të kulturës së përgjithshme shqiptare. Pas vdekjes së tij studion e trashëgoi nxënësi i tij shqiptar e më pas fëmijët e nxënësit, të cilët e mbajtën të gjallë dinastinë e familjes Marubi. Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” është i pari muze fotografie në Shqipëri i hapur në maj 2016 nga koleksioni i ish-fototekës kombëtare “Marubi”.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” ruan dhe promovon vlerat e një koleksioni fotografik, që shtrihet nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në fundin e shekullit njëzet, pjesë e të cilit janë Marubët e pasardhësit e tyre, që kanë dokumentuar momente të rëndësishme të jetës shoqërore, kulturore, sportive e deri politike, duke fiksuar kështu rrjedhën e pakthyeshme të kohës./ZËRI