Anulohet retrospektiva e Arta Dobroshit në kinemanë “Armata”

Anulohet retrospektiva e Arta Dobroshit në kinemanë “Armata”

Kultura March 13, 2020 - 11:44
Image

Për shkak të koronavirusit është shtyrë shfaqja e filmave për nder të aktores Arta Dobroshi, që ishte planifikuar këtë janë në kuadër të “Javës së Frankofonisë” në kinemanë “Armata” në Prishtinë, shkruan gazeta "Zëri".

Kinemaja "Armata" ka njoftuar se kur aktivitetet kulturore do të rifillojnë, atëherë do të jepen për publikun filmat: “Tri botë”, “Syri magjik”, “Drita”, “Heshtja e Lornës” dhe “I humburi”. "Për shkak të situatës së krijuar rreth përhapjes së virusit ‘COVID-19’ (Coronavirus) dhe rekomandimit të Qeverisë së Kosovës, retrospektiva e Arta Dobroshit dhe seria e filmave mbi racizmin ‘We Are Racist Two’ në kinemanë ‘Armata’ shtyhen për një datë të mëvonshme. Me kohë do t’ju lajmërojmë për rifillimin e programit tonë të rregullt", thuhet në njoftimin e kinemasë.

Kinemaja “Armata” përkrahet nga Komuna e Prishtinës, nga “Swiss Agency for Development and Cooperation” (SDC) dhe gjendet në rrugën “Brigada e Kosovës”, prapa Amfiteatrit të sheshit “Zahir Pajaziti”.

“Javët e Frankofonisë” në Kosovë kanë nisur më 5 mars. Në kuadër të tyre po planifikoheshin një varg aktivitetesh kulturore, që lidhen me artin, me muzikën, me kinematografinë e me letërsinë. Të gjitha këto kanë për qëllim promovimin e gjuhës dhe të kulturës frënge.

Kosova është pjesë e Organizatës Botërore të Frankofonisë (OIF) prej nëntorit 2014. Në Samitin e 17-të të Frankofonisë, që u mbajt në tetor të vitit 2018, në Jerevan të Armenisë, shtetet anëtare të OIF-it votuan unanimisht që Kosovës t’i avancohet statusi në këtë organizatë, nga ai vëzhgues në anëtar i asociuar.

Shfaqja e filmave të Dobroshit në kuadër të “Javëve të Frankofonisë” nuk është nderi i vetëm që Franca ia bën Arta Dobroshit. Para disa javësh është shpallur “Kalorëse e Arteve dhe e Letrave”. Bëhet fjalë për njërën nga dekoratat më të larta që e ndan shteti francez për të shpërblyer individët që janë dalluar përmes krijimtarisë së tyre në fushën artistike ose letrare ose përmes kontributit që ata kanë dhënë për shtrirjen dhe për promovimin e artit dhe të letërsisë në Francë dhe në mbarë botën.

Në një ceremoni solemne të mbajtur para disa javësh në Rezidencën e Francës në Prishtinë aktorja nga Kosova me nam botëror e ka pranuar dekoratën e presidentit francez Emmanuel Macronit nëpërmjet ambasadores së Francës në Kosovë Marie-Christine Butel. Për urdhrin që zë fill në vitin 1469 ambasadorja ka treguar se fillimisht ishte menduar që t’u jepej vetëm aristokratëve, por më vonë do të bëhej urdhër i meritës civile për artistë, për arkitektë, për koleksionues e për shkrimtarë. “Ky Urdhër është i destinuar të shpërblejë personat sikur jeni ju, zonja Arta Dobroshi, që jeni dalluar në lëmin artistik dhe të letërsisë ose për kontributin e dhënë në realizimin e artit dhe të letërsisë në Francë dhe në botë”, i është drejtuar ambasadorja aktores Dobroshi.

Ajo ka përshkruar meritat e Dobroshit, që janë edhe arsye të dekorimit të saj. Ka përmendur se aktorja u lind në Prishtinë më 2 tetor 1980 dhe u rrit midis kryeqytetit të Kosovës, Tiranës dhe SHBA-së. Marie-Christine Butel ka thënë se qysh prej moshës 10-vjeçare Dobroshi ka bërë fushatë për paqen e më pas ka përjetuar luftën e si refugjate ishte angazhuar për ndërtimin e një spitali në kampin e refugjatëve në Maqedoni. “Vullneti juaj për të ecur në hapat e aktoreve, si Shirley Temple dhe Sophie Marceau, ju shpie të luani në teatër në një moshë mjaft të re. Më pas ishit regjistruar në studime për arte dramatike në Prishtinë”, ka thënë ambasadorja. Duke përshkruar biografinë e Dobroshit, ajo ka thënë se e vërejtur nga vëllezërit Dardenne gjatë një shfaqjeje teatrale në Sarajevë, Dobroshi shkëlqeu me personazhin e Lornës në filmin madhështor “Heshtja e Lornës” më 2008-n, rol për të cilin ishte nominuar në Festivalin e Kanës. Kësisoj Dobroshi do të bëhej aktorja e parë nga Kosova që eci nëpër qilimin e kuq të këtij festivali. Ambasadorja ka përmendur se aktorja më 2011-n ka luajtur përkrah Isabelle Roselinit në filmin “3 herë në 20 vjet” të Julia Gavras. “Roli juaj i Verës në ‘Tri botë’ më 2012-n, nga Catherine Corsini, jua mundësoi të jeni e nominuar për çmimin ‘Best Female Hope’ në ceremoninë ‘Oscars’ në vitin 2013”, ka thënë ambasadorja Marie-Christine Butel. Sipas saj, Dobroshi u bë pjesë e projekteve kinematografike që ishin të ndërlidhura me vlerat, të cilat i ka në zemër: paqen, lirinë e drejtësinë. “Qytetare e Tokës, siç ju keni dëshirë të ju thërrasin, ju jeni ikonë e cila bart mesazhin e shpresës, të pajtimit, të paqes për të rinj të vendit dhe të regjionit tuaj të goditur rëndë nga konflikte vdekjeprurëse”, ka thënë ambasadorja.

Dashuria e Dobroshit për të tjerët, etja për të ndarë vlerat universale dhe angazhimi qytetar për shtetin francez janë tregues që aktorja do të ketë karrierë të gjatë e të bukur. Pasi ka pranuar dekoratën, aktorja Dobroshi ka falënderuar shtetin francez, ambasadoren e secilin anëtar të familjes së saj. Dobroshi ka thënë se i duket magjike që ka pranuar dekoratën dhe se ndihet vërtet e nderuar dhe e bekuar për vlerësimin e Qeverisë së Francës. Paraprakisht në nëntor të vitit të kaluar me urdhrin “Kalorëse e Arteve dhe e Letrave” ishte nderuar regjisorja Blerta Zeqiri./ZËRI

Image

Image