Vazhdon restaurimi i shtëpisë së familjes Dukagjini dhe Muriqi në Prizren

Vazhdon restaurimi i shtëpisë së familjes Dukagjini dhe Muriqi në Prizren

Kultura March 11, 2020 - 17:33

Vazhdojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Dukagjini dhe familjes Muriqi në qytetin e Prizrenit. Krahas historikut kjo shtëpi ka edhe një sërë vlerash ndërtimoro-arkitektonike. Shtëpia e familjes Dukagjini dhe Muriqi është ndërtuar në shek. XIX, ndërkohë që në periudha të ndryshme janë kryer ndërhyrje restauruese, shkruan zeri.info.

Ajo është njëra ndër ndërtimet më tipike në tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit. Duke u bazuar në stilin e ndërtimit dhe në tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit mund të thuhet se objekti u përket shtëpive me sallë qendrore, për arsye të rolit qendror të salloneve te të dyja katet. Sipas nevojave të pronarëve të shtëpisë, objekti është i ndarë në dy pjesë dhe sot shfrytëzohet si shtëpia e familjes Dukagjini dhe shtëpia e familjes Muriqi. Shtëpia pas ndarjes ka humbur tipologjinë e saj origjinale, por ende ruan vlerat artistiko-arkitekturore të saj.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, thotë se “Hartimi i projektit restaurues për këtë shtëpi është një tjetër hap i rëndësishëm i politikave të Ministrisë së Kulturës për ndërhyrje restauruese në shumë asete të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, në kuadër të zbatimit të programit - Masat Preventive Intervenimet Emergjente”. Projekti i restaurimit është hartuar nga zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe po mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, me ç’rast  synon t’ia rikthejë shkëlqimin e munguar kësaj pasurie të trashëgimisë sonë kulturore. Zëri