“Një tokë e re” nga Eckhart Tolle

“Një tokë e re” nga Eckhart Tolle

Kultura March 09, 2020 - 11:01

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin "Një tokë e re" nga Eckhart Tolle. Libri është përkthyer në shqip nga shtëpia botuese “Pema”, kurse është përkthyer nga Ridvan Bunjaku.

Pas librit "Fuqia e së tashmes", Eckhart Tolle vjen te lexuesi me librin "Një tokë e re". Një lexim thelbësor dhe i domosdoshëm për të gjithë. A jemi gati për një tokë të re? Më pak ego, më pak paragjykime, më pak mure e më shumë ura, drejt një toke të re ku zotëron harmonia. Është këtu. Tash.

Në shumë pjesë të botës po shfaqet një ndjesi e drejtësisë shoqërore, të cilën të parët tanë as që kanë mundur ta ëndërrojnë. Nënshtrimi i një race nga një tjetër, dominimi ndaj femrave nëpër mijëra vite të patriarkatit dhe zhvlerësimi i njerëzve në bazë të klasës shoqërore janë, për një numër në rritje nga ne, makthe të së shkuarës. Njerëzit e orientimeve të ndryshme gjinore e gjejnë veten gjithnjë e më të pranuar thjesht si njerëz. Racat martohen dhe përzihen me gjithnjë e më pak paragjykime. Është një vetëdije në rritje e njëshmërisë së brendshme të gjithçkaje që ekziston, kështu që gjithnjë e më shumë po e shohim një vetëdije – dhe merakosje të thellë – për të afërmit tanë, për kafshët e panumërta që janë bashkudhëtarët tanë, dhe për vetë planetin.

Një vetëdije e tillë nënkupton se vërtet ka pakësim të egos te një numër gjithnjë e më i madh i njerëzve, dhe në disa pjesë të planetit më shumë se në pjesë të tjera. Ky dobësim i egos shkakton rritje të empatisë dhe dhembshurisë përtej përkatësive fisnore, racore, kombëtare apo religjioze. Janë ato cilësi që na bëjnë vërtet njerëzorë.

“Një tokë e re” është shkruar sipas rrëfimit tradicional, duke na sjellë anekdota dhe filozofi në një mënyrë që është e pranueshme për të gjithë. Përmes iluminimit, përndritjes dhe ngritjes shpirtërore, ky libër është një manifest i thellë shpirtëror për një mënyrë jete më të mirë dhe për të ndërtuar një botë më të mirë. Librin mund ta blini në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë./Zëri