Greg Rama hap ekspozitën personale 'Ex Nihilo' në Tiranë

Greg Rama hap ekspozitën personale 'Ex Nihilo' në Tiranë

Kultura March 07, 2020 - 12:50


“Ex Nihilo” titullohet ekspozita personale e artistit Greg Rama, që u çel në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura. Në galerinë FAB artisti Greg Rama vjen me një tjetër ekspozitë dhe këtë herë e kuruar nga Ardian Isufi. Në qendër të ekspozitës është një instalacion, që përshkohet nga spektatorët përmes dritës imagjinare. Instalacioni shtrihet në tri hapësirat e Galerisë së Fakultetit të Arteve të Bukura, ku elementët e tij janë një fije bari dhe një bulë ujë, shkruan sot gazeta "Zëri.

 Për artistin Greg Rama, që vjen me ekspozitën e tij “Ex Nihilo” në galerinë e artit GAB, ideja për t’i dhënë rëndësi diçkaje të zakonshme ka ardhur nga asgjëja. Në reagimin e tij artisti shprehet mes të tjerave se ka reflektuar në lidhje me ndikimin që kanë te ne gjërat të cilat janë të zakonshme. “Ideja ka qenë për t’i dhënë rëndësi të veçantë diçkaje të zakonshme ose banale, që mund të jetë një fije bari dhe koncepti është pak abstrakt. Ka ardhur realisht nga asgjëja dhe unë kam reflektuar në lidhje me impaktin që kanë te ne gjërat e vogla, gjërat e zakonshme. Kur fokusohemi tek to e kuptojmë që janë një pjesë e rëndësishme e të tërës”, pohon artisti Greg Rama.

Gregu nuk lë pa rrëfyer as ndikimin e dy prindërve artistë, Edi Ramës (piktor dhe kryeministër) dhe Matilda Makoçit (aktore) në zgjedhjen e tij për të qenë pjesë e artit figurativ. “Të kesh dy prindër artistë është dhe nuk është shumë e vështirë. Por unë mendoj se jam me fat për të dy, pasi kanë ndikuar që të merrem me këtë punë. Që i vogël ime më donte të merresha me art, edhe pse unë s’mendoja kështu. Por ja ku jemi dhe me sa duket ka dalë instinkti i nënës”, rrëfen Gregu.

Ekspozita “Ex Nihilo” vjen për publikun këto ditë të muajt mars në galerinë e artit FAB, e kuruar nga Ardian Isufi. Kuratori Isufi mes të tjerave shprehet se për ekspozitën “Ex Nihilo” është bërë një punë e madhe nga artisti, por edhe nga stafi i galerisë FAB. “Për ekspozitën ‘Ex Nihilo’ është bërë një punë e jashtëzakonshme nëpërmjet Gregut dhe stafit tonë për ta sjellë këtë vlerë në një vlerë hapësinore, ku sallat e galerisë FAB janë në vetvete vepra arti të Greg Ramës”, pohon kuratori i ekspozitës, Ardian Isufi.

“Ex Nihilo” ose zgjatimi ëndërrimtar pa fillim e pa mbarim

Në tekstin kuratorial nga Ardian Isufi shpjegohet për elementët e ekspozitës. “Fije bari - përcjellës të një zgjatimi ëndërrtar pa fillim e pa mbarim si metaforë e krijimit nga jomaterialja, nga hiçi [latinisht ex nihilo], ku arti synon t’u japë formë dhe peshë proceseve më të padukshme, t’i japë formë asaj që po zhduket përpara syve tanë. Jo edhe aq si objekte, sepse kjo do të thotë të biem në kurthin e sendërtimit, por si instrumente përvoje”. Bulë uji - materie e tejdukshme delikate, formë tranzitore e materies shpirtërore.

Situatë e një përjetimi të përkohshëm, njëfarë “arti i ikjes nga koha, i pabindur ndaj çfarëdolloj fiksimi”.

“Ex Nihilo”- instalacioni dhe hapësira në të cilën instalacioni merr jetë janë rrëfimtarë të përbashkët të një ngjarjeje të papërcaktuar dhe procesuale, duke e futur qenien njerëzore, sidomos publikun fizik, në paradhoma dhe në dhoma simulakre, për t’i shumëfishuar psikologjikisht ngjarjet, ndarjet dhe nëntekstet në hapësira mentale dhe shpirtërore. Në tekstin kuratorial të ekspozitës “Ex Nihilo” nga kuratori Ardian Isufi thuhet se të tria dhomat në të cilat shtrihet “Ex Nihilo” janë vizatuar me linja drite imagjinare dhe prezantojnë një triptik kinematik. “Brenda tij spektatori kthehet në personazhin kryesor, në ingranazhin vendimtar, që plotëson veprën përfundimisht dhe shëtit kujtesën personale nga një territor në tjetrin në një botë çudirash, duke ndjekur në mënyrë intensive indet e errëta jeshilore…. imazhe të ngurta që i rrëshqasin para syve.

Spektatorit i zbulohet pak nga pak, me një qartësi organike, bashkë me ca të vërteta të tjera, se kur të dalë nga hojet ekspozitive bota do t'i riprezantohet ndryshe, thuajse ‘ex nihilo’”, shprehet kuratori. Ekspozita do të qëndrojë në galerinë FAB deri më datën 15 mars për vizitorët. Zëri