“Muaji i Kujtesës” me aktivitete në Muzeun Historik Kombëtar

“Muaji i Kujtesës” me aktivitete në Muzeun Historik Kombëtar

Kultura March 04, 2020 - 10:34
Image

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, i iniciuar nga Ministria e Kulturës, zhvilloi një sërë aktivitetesh, jo vetëm për të kujtuar, por edhe për t’u solidarizuar ndaj atyre ngjarjeve që na kanë prekur të gjithëve.

MHK-ja ka publikuar disa nga aktivitetet, që janë zhvilluar gjatë kësaj kohe. “Konferencë shkencore dhe ekspozitë ‘Emigracioni politik shqiptar 1944-1990’; ‘103-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit’; ekspozitë me objekte personale të personave që kanë vuajtur nga regjimi komunist, si dhe me piktura të artistit Lekë Tasit; ‘Një ditë me kuratorin’ – ‘Objektet e Sabiha Kasimatit në Muzeun Historik Kombëtar”’, shkruan institucioni.

Muaji shkurt është caktuar si “Muaji i Kujtesës” për shkak të atyre ngjarjeve që do të ndryshonin rrjedhën e historisë shqiptare, prandaj Muzeu shprehet se këto aktivitete janë jo vetëm për të kujtuar, por edhe për t’u solidarizuar ndaj ngjarjeve që na kanë prekur të gjithëve.

Në një aktivitet Lekë Tasi foli rreth librit të tij “Grabjani rrëzë kodrave”, ku rrëfeu ngjarje, që ka përjetuar gjatë viteve të internimit. Me një aktivitet të vlerësuar në krijimtarinë e tij Lekë Tasi ekspozoi dhjetë tablo në vaj, që janë punuar pas viteve të ’90-ta. Lekë Tasi gjatë këtij aktiviteti u shpreh se në tablo tregon periudhën e jetës së tij, ku ka qenë në internim. “Në ekspozitë prezantohen një numër pikturash të punuara nga unë ndër vite. Janë dhjetë punime në këtë ekspozitë dhe në qendër është Grabjani. Janë punë që janë të punuara me vaj pas viteve të ’90-ta. Por në libër tregoj për periudhën sa kam qenë i internuar, para viteve të ’90-ta”, pohoi piktori. Lekë Tasi u lind më 1929-n, studioi violonçel nën drejtimin e pedagogut Walter Calettit në vitet 1939 - 1943, më pas me Ymer Skënderin, në Liceun Artistik në vitet 1949-1952. Punoi çelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës, ku u pushua për motive politike në vitin 1967. I ati Koço Tasi, avokat me profesion, i njohur në vitet ’20, kishte qenë anëtar i Parlamentit të parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës.

Pas revolucionit të qershorit emigroi për 17 vjet në Greqi. Leka u pushua nga puna dhe u dërgua me punë të detyruar, pak më vonë u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjës, 1975-1990.Zëri