“Heshtje e rëndë”, ekspozita që proteston për viktimat e Kosovës

“Heshtje e rëndë”, ekspozita që proteston për viktimat e Kosovës

Kultura March 04, 2020 - 10:30
Image

Është hapur mbrëmjen e së hënës në Galerinë Kombëtare të Kosovës ekspozita “Heshtje e rëndë”, që tregon veprat e fundit të skulptorit kosovar Burim Gashit. Kjo ekspozitë tregon gjithashtu pasojat emocionale të ngjarjeve traumatike, që ishin krijuar nga lufta, dhuna dhe paqartësia për njerëzit e zhdukur. Në këtë seri të re të veprave Burimi tregon shumë përvoja personale dhe traumatike, që lufta dhe dekadat në vijim ia kanë shkaktuar atij dhe njerëzve përreth tij,shkruan sot gazeta "Zëri".

Drejtoresha e GKK-së, Arta Agani, në hapje të kësaj ekspozite ka potencuar faktin se edhe pavarësisht asaj se Burim Gashi është zyrtar në Ministrinë e Arsimit, ai kurrë nuk e la anash artin e tij dhe skulpturat fantastike që i ka. Kurse kuratorja e kësaj ekspozite, gjermania Many Gransch, e vlerësoi lart punën e Burimit dhe kontributin e tij për dokumentimin e luftës së Kosovës përmes artit. Ajo tha se ndihet me fat që nuk e ka përjetuar një luftë të tillë, por fat e konsideroi punën me Burimin, që ia mundësoi të jetë pjesë e këtij projekti. “Falënderoj Burim Gashin për hapësirën e dhënë dhe që ka ndarë me mua idetë e tij dhe për të gjitha përpjekjet e për punën që ka bërë në këtë ekspozitë”, tha ajo para të pranishmëve.

Duke shikuar veprat e Burimit vërehet se materiali i skulpturave monumentale nga çeliku shkakton një kontrast të vrazhdë me format organike, rrjedhëse të pamjes filigrane të skulpturave dhe të instalacioneve. Forma dhe materiali i veprave të artit reflektonte mbi peshën subjektive që shtrihet mbi çdo person dhe gjithashtu shtrojnë pyetje se çfarë po u bën kjo peshë njerëzve nëse vazhdojnë ta mbajnë atë në heshtje.

Në veprat e tij Burim Gashi jo vetëm që po ia hap veten audiencës, por gjithashtu krijon një hapësirë të ndjeshme për të reflektuar, për të menduar dhe për të folur për përvojat, për emocionet dhe për kujtimet individuale e kolektive.

Kurse artisti që ka zgjedhur këtë metodë për t’i shpalosur këtë vuajtje 20-vjeçare në mbrëmjen kur u hap ekspozita nuk foli shumë, duke lënë hapësirë më shumë për punën e tij artistike.

“Jam munduar që përmes artit tim të protestoj dhe besoj se këtë do ta përjetoni edhe ju pasi të hyni brenda”, tha Gashi.

Artisti Burim Gashi është i lindur në Prishtinë, në vitin 1973. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Prishtinë. Studimet themelore i kreu më 1998-n në Fakultetin e Arteve - Dega e Skulpturës, në Universitetin e Prishtinës, në klasën e profesorit Agim Çavdarbasha. Studimet postdiplomike, pra ato të magjistraturës, i kreu po ashtu në drejtimin e skulpturës në të njëjtin fakultet. Gjatë studimeve dy herë është shpallur student i dalluar në skulpturë.

Burim Gashi që nga viti 2004 është i zyrtar i lartë për cilësi në Departamentin e Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit. Gjatë kësaj kohe ka pasur pozita të ndryshme në këtë Ministri, duke përfshirë edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Arsimit të Lartë, që e ushtron edhe tani.

Që nga viti 2011 është i angazhuar edhe si mësimdhënës në Fakultetin e Arteve, Departamenti i Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës. Në vitet 2004 - 2008 ishte anëtar i Bordit të Galerisë së Arteve të Kosovës. Gashi është pjesëmarrës në shumë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.Zëri