84-vjetori i lindjes së Demaçit shënohet me një ekspozitë

84-vjetori i lindjes së Demaçit shënohet me një ekspozitë

Kultura February 27, 2020 - 10:41
Image


Dhjetëra portrete unike të Adem Demaçit janë ekspozuar dje në hollin e bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Ekspozita e titulluar “Kujtesa e Kosovës: Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi” është organizuar me rastin e 84-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit. Në ceremoninë e hapjes të pranishëm ishin dhe Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës, Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, si dhe Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë,shkruan sot gazeta "Zëri"

Hapja e kësaj ekspozite për njërën prej figurave më të shquara të jetës politike kulturore të Kosovës siç është Demaçi është kontribut para se gjithash i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, bashkë më Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Fazli Garajku, drejtori i rizgjedhur dje i Bibliotekës Kombëtare, ka thënë se ky koleksion me portrete dhe fotografi të Adem Demaçit do të ruhen në bibliotekën "Pjetër Bogdani". “Hapja e kësaj ekspozite është kontribut i Shoqatës së të Burgosurve Politikë. Është nder dhe privilegj se kjo Shoqatë ka hapur këtë projekt të vjeljes së shkruar të portreteve të Adem Demaçit. Piktura dhe fotografitë që po shohim sot janë një pjesë e përzgjedhur nga një shumë sosh nga Selatin Novosella, i cili është njëri nga koleksionuesit më fanatikë”, tha ai duke shtuar se këto portrete që kanë historinë e vet të frymëzimit dhe të përjetësimit në pikturë e fotografi janë një koleksion i rrallë që do të ruhen në Bibliotekën Kombëtare.

Kryeministri Albin Kurti në anën tjetër gjatë fjalës së tij ka thënë se baca Adem, siç e quan ai, mbetet veprimtari më unik i çështjes kombëtare. “Jetën e tij e kuptonte si shërbim për popullin shqiptar. Kur nuk ishin shkollat shqiptare Adem Demaçi ishte mësues, kur nuk kishim ushtri ai ishte luftëtar. Kur ishim të ndarë ai na bënte bashkë. Baca Adem ia kushtoi jetën dhe idealin kombit shqiptar. Nuk përçante të tjerët për të na bashkuar. Adem Demaçi ishte vetëmohim me paramendim”, është shprehur Kurti, duke shtuar se pa Adem Demaçin rrugëtimi i tij do të ishte pamundur. “Një falënderim të veçantë pa të cilin rrugëtimi im do të ishte i pamundur. Adem Demaçi ka jetuar gjatë dhe i tillë do të jetë ndikimi i tij”.

Ndër të tjera kryeministri ka premtuar se do të marrë përsipër botimin dhe shpërndarjen e veprës së plotë të Adem Demaçit. “Baca Adem pavarësisht mospajtimeve kishte edhe diçka që na bashkonte dhe vetëm të bashkuar mund ta arrinim idealin e përbashkët. Ai e dinte se populli i shtypur ekziston për aq sa reziston. Nuk i mohonte të arriturat e të tjerëve, nuk kënaqej më pak sepse mendonte se meritojmë më shumë. Si kryeministër zotohem se do të përkujdesemi për botimin e librave të Adem Demaçit”, ka përfunduar kështu Kurti.

Anëtari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Selatin Novosella, njëherësh dhe koleksionuesi i ekspozitës, tha se Adem Demaçi i ka tubuar sërish. "Kështu gjithmonë do të na tubojë gjithë jeta e tij, shembulli i tij, sakrifica e tij, vepra e tij, misioni i tij historik, vizioni i tij politik dhe filozofia e tij jetësore", tha Novosella duke shtuar se arkivi i jetës dhe i veprës se Adem Demaçit është i jashtëzakonshëm me rreth 10 mijë faqe të dokumenteve arkivore, i cili përmban dorëshkrime, intervista, fjalime, analiza, vepra për Adem Demaçin etj. Novosella kërkoi nga Qeveria e Kosovës të themelohet instituti për të burgosurit politikë me emrin e Adem Demaçit dhe të mbulohet financiarisht botimi i librit, vepër kjo me 40 vëllime. Ndër të tjera ai është shprehur se kur të na zbehet dashuria për atdheun duhet ta kujtojmë Adem Demaçin. Sa herë të ligështohemi në udhëkryqe të jetës do të na kujtohet mendimi i artë i tij. Për të arritur në cak duhet të vraposh, nëse nuk mund të vraposh ecën, nëse s’mund të ecësh, shko këmbë e duar zvarrë, por në cak duhet të arrihet. Kjo ishte filozofia e tij jetësore. Sa herë të na zbehet dashuria për atdheun do ta kujtojmë bacën Adem. Brezat duhet të mësojnë për Adem Demaçin. Shumica e njerëzve vdesin, por ai duhet të jetë pjesë e jetës sonë”, përfundoi Novosella.

Rikujtojmë se Adem Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018. Ai ishte personaliteti shqiptar që vuajti dënimin më të gjatë në ish-Jugosllavi, në mbrojtje të çështjes kombëtare.Zëri