Heta: MKRS-ja duhet të reformohet dhe roli i saj duhet të decentralizohet

Heta: MKRS-ja duhet të reformohet dhe roli i saj duhet të decentralizohet

Kultura February 26, 2020 - 10:31
Image

Pak ditë pasi në krye të Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit ka ardhur kabineti i ri në krye me ministren Vlora Dumoshin, Albert Heta, nga Rrjeti i Organizatave të Pavarura të Kulturës, që njëherësh është edhe drejtor i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, në një intervistë për gazetën “Zëri” flet për urgjencat e kësaj fushe dhe për pritshmëritë e tij nga kjo qeverisje për këtë mandat

Zëri: Këto ditë ka nisur punën kabineti i ri në MKRS. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Heta: Fillimisht më duhet t’i uroj sukses në punë ministres Dumoshi dhe kabinetit të saj. Sfidat, por edhe hapësira për sukses në këtë fushë janë të mëdha. Ne si Rrjet i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe të Kulturës (RRIPAK) kemi reaguar dhe kemi kërkuar me ngulm krijimin e Ministrisë së Kulturës si hap i ri zhvillimi, por edhe kemi kundërshtuar po aq me ngulm planin për zhbërjen e MKRS-së dhe sot lirisht mund të shprehem se jam i kënaqur që së paku kemi pasur sukses në ndaljen e zhbërjes së MKRS-së, që përbënte hap të rrezikshëm, me pasoja katastrofale për interesin e vendit. Zhvillimi i artit dhe i kulturës në Kosovë janë interes kombëtar dhe vëmendja e rritur në këtë fushëveprimtari shoqërore është pritshmëri, që duhet të krijojë hapësirë për zhvillim, emancipim dhe përparim të gjithmbarshëm shoqëror dhe ekonomik në vendin tonë.

Zëri: Sipas jush, çka duhet të ketë prioritet kjo ministri në këtë mandat?

Heta: Duke e pasur parasysh që ne në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor dhe në RRIPAK e kemi përcjellë në vazhdimësi edhe punën e MKRS-së, unë mendoj që ministrja Dumoshi do të duhej të ketë prioritet kryesor reformimin dhe decentralizimin e rolit të MKRS-së në zhvillimet në artin dhe në kulturën në Kosovë. Për mua kjo është sfida më e madhe afatgjate, por edhe njësia matëse e suksesit të këtij mandati qeverisës, që është fituar duke bërë premtime për ndryshime përmbajtjesore. Kjo duhet të ndodhë në këtë mandat, sepse MKRS-ja gjatë kësaj kohe shpesh është kthyer në një instrument partiak dhe klentelist dhe kjo mundësi e shfrytëzuar nga politikanët e papërgjegjshëm i ka shkaktuar dëme të mëdha vendit, buxhetit publik, institucioneve publike dhe të pavarura të artit dhe të kulturës, artistëve si komunitet, por edhe publikut të gjerë në Kosovë.

Zëri: Si e vlerësoni gjendjen aktuale në MKRS? Sa janë reale planet e bëra publike për ndërtimin e teatrit të operës dhe të baletit “Ibrahim Rugova”, të muzeut të krimeve të luftës, të muzeut të artit bashkëkohor dhe të muzeut të historisë brenda këtij mandati qeverisës?

Heta: Aktualisht MKRS-ja është një shpenzues i madh i buxhetit publik për art dhe për kulturë dhe jo një institucion qeveritar që krijon mundësi për krijimin dhe për zhvillimin e hapësirës për përmbajtje artistike e kulturore. MKRS-ja është vetë operatore kulturore, edhe institucion kulturor që operon i pambikëqyrur dhe me politika e kritere jotransparente të shpërndarjes së buxhetit publik. Ajo ende ka ndikim të pakontrolluar dhe dominues në zhvillimet në artin dhe në kulturën në Kosovë, që e bën Kosovën të afërt me modelet e vjetra të shteteve të centralizuara, në të cilat arti dhe kultura janë mjet dhe mënyrë e kontrollit shoqëror, që shfrytëzohet nga politikanët që nuk punojnë për interesin e përgjithshëm. Kjo në Kosovë mundësohet nga korniza ligjore, me të cilën rregullohet ndikimi politik në MKRS dhe ndikimi i MKRS-së në artin dhe në kulturën në Kosovë. Aktualisht MKRS-ja është kthyer edhe në institucion që keqpërdoret jo vetëm nga politikanët dhe nga burokracia e MKRS-së, por edhe nga grupet e “artistëve” klientelistë të afërt me partitë politike dhe me burokracinë e MKRS-së.

Në raport me planet e bëra publike të kësaj Qeverie vetëm krijimi i një paradigme të re për artin dhe për kulturën në Kosovë, si pasojë e reformimit dhe e decentralizimit të rolit të MKRS-së, do t’u ndihmonte edhe projekteve që kanë ngecur në Kosovë, siç është rasti me projektin për krijimin e një institucioni të ri, teatrin e operës dhe të baletit “Ibrahim Rugova”, por edhe institucionet e tjera me interes publik, si plani për krijimin e muzeut të artit bashkëkohor si një institucion i ri ose edhe muzetë e tjera të përmendura. Të gjitha këto investime strategjike kombëtare janë institucione të reja dhe si të tilla duhet të shihen. Ato nuk duhet të trajtohen vetëm në një hapësirë e re, në një ndërtesë të re, që mund të shfrytëzohet siç shfrytëzohen institucionet aktuale publike.

Duke i vlerësuar kapacitetet, punën dhe misionin nga një proces i paanshëm, që do të duhej të rezultojë me ristrukturimin dhe me profesionalizimin e këtyre institucioneve, ato do të bëheshin gati për rolin e ri, që duhet ta kenë, jo më si “organe” të MKRS-së, por si institucione të pavarura të artit dhe të kulturës, që i shërbejnë publikut dhe interes kombëtar në art dhe në kulturë. Aktualisht këto institucione me statutet e tyre funksionojnë si organe të MKRS-së. Ato e pranojnë tërë buxhetin nga buxheti publik nga MKRS-ja, shpesh pa pasur nevojë të konkurrojnë për mbështetje shtesë ose t’i nënshtrohen vlerësimit profesional të programit të tyre, të mbështetur në kritere transparente të vlerësimit. Mungesa e vlerësimit të performancës, investimit në kapacitetet e tyre profesionale dhe llogaridhënies për programin e mbështetur nga buxheti publik i ka dëmtuar këto institucione, që dikur kanë qenë bartëse të jetës artistike dhe kulturore në vend.

Zëri: Po për institucionet e pavarura kulturore çka mund të bëhet më tepër?

Heta: Modelet e rregullimit politik të një vendi demokratik dallohen nga pozita e nismave të pavarura artistike, qytetare e individuale dhe nga raporti qeveritar me institucionet e pavarura të artit dhe të kulturës, të krijuara nga qytetarët. Diskriminimi që u bëhet institucioneve të pavarura të artit dhe të kulturës në Kosovë është i pashembullt edhe në raport me kapacitetin e këtyre institucioneve të trashëgiminë historike, që ato e paraqesin, por edhe interesin kombëtar. Aktualisht pjesa më e madhe e përmbajtjes artistike dhe kulturore në Kosovë, që tregohet si tregim për Kosovën edhe jashtë vendit, krijohet nga këto institucione te pavarura të artit dhe të kulturës dhe nga artistët e pavarur individualë. Në këtë rrafsh rasti i diskriminimit të artit dhe të kulturës edhe me Ligjin për Sponsorizim duhet të korrigjohet sa më shpejt.

Procesi i reformimit dhe i decentralizimit të rolit të MKRS-së në një proces afatmesëm do të duhej të sillte barazinë ligjore të punës dhe të punëtorëve të artit dhe të kulturës, të angazhuar në institucionet e pavarura të artit dhe të kulturës, barazinë dhe drejtësinë për punën e artistëve individualë. Kjo barazi do të duhej të reflektohej edhe në të drejtën e në shfrytëzimin e barabartë të hapësirave publike dhe të resurseve materiale, që krijohen nga taksat e qytetarëve të Kosovës. Artistët e pavarur individualë dhe zhdukja e tyre nga radari i përgjegjësisë publike dhe ligjore janë një skandal tjetër, që duhet të trajtohet urgjentisht.

Në kushtet e tanishme dhe në raport me zhvillimet afatshkurta dhe afatmesme hapi i parë i ndryshimit është transparenca e plotë ose radikale e vendimmarrjes në MKRS dhe hapja e MKRS-së për përfshirjen e kapacitetit profesional dhe kritereve profesionale të vlerësimit të projekteve, me pjesëmarrjen e deleguar të profesionistëve të besueshëm, të pavarur në juritë profesionale vlerësuese. Kjo duhet të ndodhë edhe në raport me konkursin publik të shpallur nga MKRS-ja për mbështetjen e projekteve artistike për vitin 2020. Ky është hapi i parë me të cilin tregohet largimi nga praktika e deritanishme e ndikimit politik e partiak në shpërndarjen e buxhetit publik në art dhe në kulturë. Për këto veprime nuk ka pengesa ligjore as nga kjo kornizë ligjore. Këta hapa të parë të ndryshimit duhet të zhvillohen paralelisht me hapat e iniciuar dhe me proceset afatgjata, që do të siguronin reformimin e MKRS-së dhe rolin e ri të këtij dikasteri qeveritar karshi zhvillimeve në art dhe në kulturë në Kosovë.

Zëri: A konsideroni se në këtë proces bashkëpunimi me vendet tjera është i dobishëm dhe i mundshëm, po ashtu edhe marrja e modeleve të suksesshme nga vendet e rajonit?

Heta: Disa vite me parë ne në RRIPAK në koordinim me ministrat e atëhershëm të kulturës, të Kosovës, të Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë, e kemi iniciuar “Platformën A4”, që përveç të tjerash ka pasur për synim koordinimin e punëve në fushën e zhvillimit të politikave progresive për art dhe për kulturë. Në atë kohë disa nga këto vende kanë pas bërë hapa të rëndësishëm për zhvillimin e hapësirave dhe mundësive të reja në art dhe në kulturë. Për shkak të ndryshimeve të rrethanave në qeveritë e këtyre vendeve kjo nismë dhe nisma të ngjashme janë ndalur, bashkë me procesin e hapjes së qeverive të disa prej këtyre vendeve për bashkëpunim strategjik me institucionet e pavarura të artit dhe të kulturës, që kanë akumuluar dije dhe ekspertizë në politikëbërje. Ndryshimet në Kosovë ose një raport i ri ndërveprimi i MKRS-së, i udhëhequr nga ministrja Dumoshi, me institucionet e pavarura të artit dhe të kulturës dhe me mekanizmat koordinues të këtyre institucioneve duhet të bëhen shkas për rinisjen e këtyre nismave.

Në anën tjetër, nga bashkëpunimet me institucionet qeveritare të vendeve të rajonit, që janë pjesë e Bashkimit Evropian, ato janë treguar të hapura për bashkëpunim me MKRS-në. Stacioni dhe Sekretariati i RRIPAK-ut janë të gatshëm ta lehtësojnë këtë proces. Ky bashkëpunim dhe ky shkëmbimi i përvojave pa dyshim që do ta lehtësonin këtë proces. Për procese të ngjashme unë jam i sigurt që edhe Bashkimi Evropian do të ishte i interesuar të bëhet pjesë e ndryshimit.

Për fund, është me rëndësi të theksohet që Vlora Dumoshi, me gjithë kufizimet që i ka pasur, ka mbetur në kujtesë për përkushtimin dhe për punën e mirë të bërë kur ka shërbyer si drejtore e Kulturës në Komunën e Prishtinës. Unë shpresoj që në këtë detyrë të re ministrja Dumoshi do të dëshmohet me vizionin e përbashkët, me bashkëpunimin dhe me përfshirjen e të gjithë kapacitetit profesional që ekziston në vend për të krijuar hapësirë të re për zhvillimin e hovshëm të artit dhe të kulturës në Kosovë.Zëri