“Marubi” i bashkohet nismës “Muaji i Kujtesës”

“Marubi” i bashkohet nismës “Muaji i Kujtesës”

Kultura February 21, 2020 - 08:05

Muzeu kombëtar i fotografisë në Shkodër “Marubi” i është bashkuar nismës "Muaji i Kujtesës", të Ministrisë së Kulturës në Shqipëri. Muzeu bën me dije se gjatë këtij muaji në ditën e parë të javës do të publikohen imazhe të ndryshme. “Çdo të hënë të muajit shkurt do të publikojmë një imazh nga ngjarjet e viteve '90-a, që ruhen në kujtesën tonë kolektive si pararoje të lirisë së fjalës e të besimit”, pohuan zyrtarë të muzeut, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Së fundmi, muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” publikoi me foto imazhin e besimtarëve, që orientohen drejt hyrjes së një hapësire të shenjtë, që shënon edhe rihapjen së Xhamisë së Plumbit në Shkodër më 16 nëntor 1990, pas mbylljes së saj në vitin 1967 në kuadër të Revolucionit Kulturor. “Mijëra besimtarë u grumbulluan të kremtonin atë të premte, ritin e faljes nën drejtimin e Haxhi Hafiz Sabri Koçit. Kjo datë shënon edhe rihapjen e xhamive në Shqipëri pas vitesh ateizmi. Foto Angjelin Nenshati, “Hapja e Xhamisë së Plumbit” Shkodër, 16.11.1990, koleksion i familjes Angjelin Nenshati”, shkruhet në njoftim e Muzeut.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” mban në arkivin e tij rreth 400.000 negativë në pllaka xhami, të organizuar në mënyrë të përkryer dhe të klasifikuar sipas vitit të shkrepjes dhe përmbajtjes së fotografisë. Në katet e muzeut janë edhe studiot e fotografit të famshëm Pietro Marubit dhe të pasardhësve të tij. Dyzet vjetët e karrierës së Pietro Marubit u janë dedikuar mijëra fotografive të ngjarjeve të rëndësishme, si edhe jetës së përditshme shqiptare. Shumë prej tyre janë portrete të qytetarëve të thjeshtë, figurave të famshme si Edith Durham, si edhe kurtizaneve të asaj kohe, fotot e të cilave përmbajnë elemente nude, duke krijuar kështu një koleksion jo vetëm interesant ose të bukur, por edhe avangarde për kohën. Njeriu ishte subjekti kryesor i Marubit. Ai ndihmoi edhe mjekësinë e asaj kohe, duke fotografuar simptomat e sëmundjeve të ndryshme, të cilat ishin ende të panjohura. Në Muze sot gjejmë edhe urbanistika e planimetri të qyteteve ndër vite, peizazhe natyrore, shtëpi karakteristike të qytetit dhe fshatit, veshje tradicionale të zonave të ndryshme si dhe mijëra ushtarë e komandantë të Luftës së I dhe të II Botërore. Në Muze herë pas here hapen dhe ekspozita të ndryshme. Zëri