'Cirku fluturues' vjen në 'Cineplexx' gjatë marsit

'Cirku fluturues' vjen në 'Cineplexx' gjatë marsit

Kultura February 20, 2020 - 08:00
Image

 

Filmi “Cirku fluturues” i regjisorit Fatos Berisha do të jetë pjesë e programit të kinemasë “Cineplexx” muajin që po vjen. Filmi kosovar i metrazhit të gjatë do të shfaqet nga muaji mars në rrjetin e kinemasë austriake në Kosovë, “Cineplexx”. Lajmin e ka herë të ditur regjisori Fatos Berisha, shkruan sot gazeta "Zëri".

 Ai ka konfirmuar se ky film do të jetë nëpër pikat e “Cineplexx”-it në Kosovë që nga 12 marsi. “Premiera e Kosovës në ‘Cineplexx’ më 12 mars. Më pastaj edhe në gjitha kinematë e Kosovës gjatë muajit mars”, ka deklaruar Berisha. “Cirku fluturues” është një komedi e zezë, e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta të një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. “Cirku fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topiw. Ndërsa në rolet dytësore luajnë: Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj. Producente e filmit është Vjosa Berisha, kurse bashkëproducentë janë: Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka dhe Fatos Berisha. Pjesa tjetër e ekipit përbëhet nga drejtori i fotografisë Almir Ðikoli, montazheri Vladimir Pavlovski, disenjatori i setit Arben Shala, kompozitori Ognen Anastasovski, si dhe kostumografja Desantila Lika. Përveç “Cirkut fluturues”, kinemaja “Cineplexx” me pikat në “Veternik” të Prishtinës dhe në Prizren vazhdimisht po shfaq filmat vendorë. Se publiku kosovar po i mirëpret krijimet kinematografike kosovare po e dëshmon numri i biletave që po shiten në këtë kinema. Zyrtarët e kësaj kinemaje deklarojnë se filmat vendorë pothuajse u bëjnë konkurrencë atyre ndërkombëtarë sa i përket shikueshmërisë.

Një rrugëtim të suksesshëm edhe nëpër botë

Filmi “Cirku fluturues” ka pasur premierën botërore në njërin prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit, në Tallin të Estonisë. E pas kësaj filmi i Berishës u vlerësua edhe para publikut italian. Nga Italia nuk u kthye pa trofe. Filmi “Cirku fluturues”, nga Fatos Berisha, ka fituar çmimin për filmin më të mirë të huaj të metrazhit të gjatë në Itali, në garën “Fabrique du Cinema Awards”. Xhirimet e këtij filmi u mbyllën në prill të vitit 2018, pas një rrugëtimi 22-ditësh të ndarë në katër javë – një në Kosovë, një në Ulqin, një në Shkodër dhe një në Tiranë. “Cirku fluturues” është bashkëprodhim i Kosovës (“B2 Films Kosovo” dhe “Ikone Studio”), i Shqipërisë (“B2 Agency”, “Albania”) dhe i Maqedonisë Veriore (“Black Cat Production”). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë Veriore. Ky film pati premierën botërore në nëntor të vitit 2019 në “Estonia Tallinn Film Festival”. Filmi pati një pritje dhe një reagim jashtëzakonisht të mirë nga publiku. Ky festival organizohet qe më tepër se dy dekada, nga viti 1997 dhe cilësohet si njëra nga ngjarjet kryesore të kulturës në kryeqytetin estonez. Ky është filmi i parë i gjatë i regjisorit Fatos Berisha, i cili shënon një sukses të madh me premierë botërore në konkurrencë kryesore në këtë festival kaq të njohur. Muajin e kaluar publiku i Kalifornisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mirëpritur filmin kosovar “Cirku fluturues”, të regjisorit Fatos Berisha. Ky film pati dy repriza para publikut amerikan. Zëri