Filmbërja, fushë sfiduese për artistët në Kosovë

Filmbërja, fushë sfiduese për artistët në Kosovë

Kultura February 19, 2020 - 08:00
Image

Prodhimi i filmave vazhdon të mbetet sfidë në Kosovë si për profesionistët, ashtu edhe për të rinjtë që i rreken këtij profesioni. Buxheti, infrastruktura e njohja ndërkombëtare janë vetëm disa nga vështirësitë me të cilat përballen filmbërësit në Kosovë. Për gazetën “Zëri” regjisorja More Raça dhe regjisori Durim Kryeziu rrëfejnë prapaskenat e vështirësitë e të realizuarit film në Kosovë. Ata tregojnë se me çfarë sfidash përballën derisa filmat arrijnë të shkëlqejnë nëpër festivale, shkruan sot gazeta "Zëri".

Raça: Buxheti, infrastruktura dhe distribuimi, sfidat kryesore

Regjisorja e re More Raça thotë se vështirësitë me të cilat përballen filmbërësit në Kosovë janë të mëdha. E kryesorja sipas saj mbetet buxheti. Raça thotë se edhe pse shteti jep një përkrahje të caktuar, kjo nuk është e mjaftueshme. Ajo thekson faktin se Ligji për Sponsorizime nuk është mjaftueshëm i qartë. “Përkrahja e shtetit deri më tani nuk ka munguar, por sigurisht se nuk është e mjaftueshme. Megjithatë duke pasur parasysh se Kosova është një vend i vogël me buxhet të ulët, edhe mundësitë janë më të vogla për përkrahje. Por gjithmonë ka mënyra e mundësi të tjera institucionale përmes të cilave mund t’u dilet në ndihmë kineastëve. Shpresoj se në të ardhmen të kemi më shumë përkrahje institucionale dhe të mundemi të bëjmë më tepër për zhvillimin e kinematografisë kosovare”, shprehet Raça.

Regjisorja thekson se situata financiare ndikon edhe në infrastrukturën filmike që Kosova ka. Sipas saj, edhe kjo pjesë lë shumë për të dëshiruar. “Ka shumë vështirësi për realizimin e një projekti filmik, duke u nisur nga ato buxhetore që gjithmonë janë probleme për kineastët në Ballkan dhe më gjerë. Më pas problemet si ato të mungesës së infrastrukturës, ku mungojnë studiot filmike, vështirësi të gjetjes së hapësirave dhe të shesheve të xhirimit. Pas realizimit të filmit fillojnë sfidat më të mëdha si distribuimi i filmit”, tregon Raça. Si një nga vështirësitë kryesore ajo e sheh edhe distribuimin e filmave. Megjithatë si arritje të kinematografisë kosovare regjisorja Raça përmend prezantimin e filmave jashtë vendit dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës, që arrihet përmes këtyre filmave. Në anën tjetër ajo vlerëson se edhe festivalet vendore e luajnë rolin e vet të rëndësishëm dhe janë në shërbim të zhvillimit të kinematografisë. Këtu përmend festivalet siç janë “DokuFest” dhe “PriFilmFest”, ku përveç filmave ndërkombëtarë ka edhe punëtori e mysafirë nga bota ndërkombëtare kinematografike.

Kryeziu: Filmbërësit e rinj kosovarë janë ambiciozë

Regjisori Durim Kryeziu thotë për “Zërin” se për t’u krijuar një film artistik duhet të krijohet një realitet i ri fiktiv mbi të cilën ndërtohet një dramë ose një konflikt, duke shpërfaqur disa karaktere të cilën në momentin që do të ballafaqohen në mes vete krijojnë një ngjarje mbi të cilën do të ndërtohet një vepër e tërë, duke dhënë kuptime e mesazhe të caktuara. “Pra, për t’u krijuar një vepër kinematografike duhet një gamë e madhe e njerëzve, të cilët punojnë në sektorë të ndryshëm. Kjo është vështirësia e parë, sepse një regjisor dëshiron që gjithë stafin ta ketë nga Kosova, atëherë fillojnë problemet e mëdha sepse nuk mjafton vetëm dëshira, por duhet një përgatitje profesionale me një eksperiencë të madhe dhe me një staf të shkolluar, mirëpo në Kosovë mungojnë disa shkolla adekuate”, thotë Kryeziu. Sipas tij, viteve të fundit kemi shumë prodhime e filma në Kosovë falë rritjes së buxhetit dhe të disa mundësive të krijuar si nga Ligji i Sponsorizimit dhe i mbështetjes se sponsorëve privatë. “Po ashtu mendoj se ardhja e kompanisë ‘Cineplexx’ në Kosovë ka ndikuar që filmi të marrë një zhvillim më të madh duke rritur shikueshmërinë dhe duke nxitur artistë të pavarur të prodhojnë filma, duke u munduar t’i kthejnë investimet përmes shitjes së biletave”, konsideron Kryeziu. I pyetur se sa po bën shteti për filmbërësit e rinj, Kryeziu thotë se këta janë treguar ambiciozë, seriozë dhe profesionalë duke krijuar filma të shkurtër, të gjatë artistik dhe dokumentar. “Duke e parë këtë seriozitet mendoj se rritja e buxhetit do të jetë invertim real dhe i nevojshëm për përmirësimin e kushteve që filmat të dalin më kreativë dhe më të pasur artistikisht”, shprehet regjisori. Ai konsideron se festivalet e shumta që veprojnë në Kosovë janë vendtakim i artistëve ku mund të shkëmbejnë ide e mundësi për lidhje bashkëpunimi me mysafirë ndërkombëtarë. “Po ashtu një funksion tjetër i rëndësishëm i festivaleve është edhe qasja e publikut për shikimin e prurjeve të reja artistike duke e ditur që këta filma nuk kanë synime komerciale dhe nuk mund të shihen ne repertorin e kinemave. Mendoj se festivalet në Kosovë kanë ndikuar shumë në afrimin e kinematografisë së Kosovë dhe sa më shumë festivale që ka mendoj se është më mirë për artistët dhe për publikun, që besoj se ndikon pozitivisht për afirmimin dhe nevojën për të parë film”, përfundon kështu Kryeziu. Rikujtojmë se shumë filma kosovarë viteve të fundit kanë shëtitur nëpër festivale botërore, duke i shërbyer kështu njohjes së Kosovës nëpër botë. Zëri