Me çmimin 'Azem Shkreli' nderohet Sabile Keçmezi–Basha

Me çmimin 'Azem Shkreli' nderohet Sabile Keçmezi–Basha

Kultura February 18, 2020 - 08:00

Sabile Keçmezi–Basha është laureatja e sivjetme për çmimin kombëtar të veprës jetësore “Azem Shkreli”. Ministrja e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, Vlora Dumoshi, për nder të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka ndarë të hënën çmimin kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet vjetore për letërsi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në ceremoninë, e cila u mbajt në kabinetin e ministres Dumoshi, Sabile Keçmezi–Basha ka thënë se është e nderuar që e mori çmimin “Azem Shkreli”, për veprën e të cilit ka një respekt të veçantë. “Asnjëherë nuk kam punuar për shkrime letrare. Kam shkruar se e kam ndier se duhet të shkruaj, pasi njeriu e ka një mision të veçantë dhe të shkruash do të thotë ta sfidosh veten, jetën dhe vdekjen”, ka thënë ajo.

Sabile Keçmezi–Basha ka botuar mbi 300 njësi bibliografike zhanresh të ndryshme për të cilat mori shumë mirënjohje, shpërblime dhe çmime letrare. Ajo ka marrë pjesë në tubime të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë saj. Ishte redaktore përgjegjëse për hapësirën etnike shqiptare në territorin e ish-Jugosllavisë në revistën “Bota shqiptare”, që botohej në Tiranë.

Në këtë ceremoni të ndarjes së çmimeve vjetore për letërsi ministrja e Kulturës, e Rinisë e e Sportit, Vlora Dumoshi, ka vënë theksin te bashkëpunimi për ta shpënë përpara letërsinë shqipe, për të cilën ka thënë se nuk ka më të bukur. “Do të punojmë më shumë dhe do të qëndrojmë prapa si Ministri e Kulturës që letërsinë tonë ta çojmë përpara, sepse nuk ka më të bukur sesa letërsia jonë”, theksoi Dumoshi.

Juria profesionale, e cila ka bërë vlerësimin, çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” ia ka ndarë Rrahman Paçarizit për veprën “Shtatë udhë” dhe Albina Idrizit për veprën “Përsëri mars”. Çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” e ka marrë Xhevdet Bajraj për vëllimin “Kur qajnë hardhitë” dhe Nexhat Rexha për vëllimin “Duke kërkuar hijen tënde”. Ndërkaq çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” e ka marrë Berat Daka (Armagedoni) për studimin “Dramat e Qosjes” e çmimin për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” e mori Isa Memishi për përkthimin e romanit “Guaska”, të Mustafa Halifas.

Juria po ashtu ka ndarë edhe çmimin për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj “Vehbi Kikaj” për Januz Fetahaj për veprën “Libri i përrallave të gjyshit”. Çmimi “Azem Shkreli” shoqërohej me shpërblim në vlerë monetare prej 5,000 eurosh. Në anën tjetër secili nga çmimet do të shpërblehet me vlerë monetare nga 2,500 euro.

Gjashtë propozime për çmimin kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli” i ishin adresuar Ministrisë së Kulturës në konkursin e sivjetshëm. Tetë propozime për prozë, pesë për kritikë letraro-eseistike, gjashtë për përkthim, trembëdhjetë për poezi dhe shtatë për poezi në kategorinë e asaj për fëmijë, janë ato që juria shqyrtoi për çmimet vjetore për letërsi.

Rikujtojmë se Azem Shkreli (1938 - 1997) ishte një poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës e drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i “Kosova Filmit”. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të pasluftës. Shkreli u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim "Zogj dhe gurë", e botuar më 1997-n. Vdiq në pranverën e vitit 1997. Zëri