'Baresha' e Nexhmije Pagarushës dëgjohet në Parlamentin e Kosovës

'Baresha' e Nexhmije Pagarushës dëgjohet në Parlamentin e Kosovës

Kultura February 13, 2020 - 17:38

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur të ënjten me këngën “Baresha”, të këngëtares Nexhmije Pagarusha. Kjo u bë në shenjë nderimi për këtë figurë të shquar, që na la para pak ditësh, shkruan zeri.info.

Në sallë, në të cilën ishin të pranishëm rreth 97 deputetë, u shqyrtua propozim-vendimi për formimin e komisioneve parlamentare.

Rikujtojmë se ikona e muzikës ka vdekur më 7 shkurt 2020 në moshën 86-vjeçare. Nexhmije Pagarusha ndër vite ka treguar se ishte një artiste e kompletuar, këngëtare e mrekullueshme, por edhe aktore e dalluar filmi. Në tetor të vitit 2018 Qeveria e Kosovës ia dha Pagarushës statusin e “Qytetares me Merita të Veçanta” për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe, duke përfshirë edhe mbështetjen financiare të saj, siç është përcaktuar në propozim-vendimin në vlerë prej 500 eurosh në muaj. Vitin e kaluar ajo festoi më 7 maj ditëlindjen e 86-të. Për nder të saj Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizoi një mbrëmje kulturore, me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga trevat shqiptare, të cilët i kënduan edhe disa nga këngët më të bukura të repertorit të saj. Dashamirët e bilbilit të këngës shqipe u mblodhën në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Në Pagarushë të Malishevës pritet së shpejti të ngrihet një qendër kulturore, e cila i bën nder jetës dhe veprës së këngëtares së mirënjohur kosovare, Nexhmije Pagarushës. Zëri