Artistët kritikojnë kalendarin kulturor Shqipëri - Kosovë

Artistët kritikojnë kalendarin kulturor Shqipëri - Kosovë

Kultura February 12, 2020 - 08:05

Si kalendar kulturor pa ndikim të madh në jetën artistike e konsiderojnë artistët kalendarin kulturor Shqipëri - Kosovë. Kështu shprehen artistët për këtë kalendar, i cili në 2014 u nënshkrua për herë të parë mes dy ministrive të Kulturës, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. Artistë nga institucionet nga Kosova, si dhe nga Shqipëria pohojnë se ky kalendar nuk ka pasur ndonjë peshë konkrete në jetën artistike, shkruan sot gazeta "Zëri".

Aktori nga Kosova Naim Berisha shprehet se është e domosdoshme që ky kalendar të riprojektohet. “Kalendari i përbashkët kulturor në mes të Shqipërisë dhe të Kosovës deri më sot ka qenë më shumë formal sesa përmbajtjesor, prandaj është e domosdoshme që përmbajtja e tij të riprojektohet  nga të dyja ministritë gjejgëse”, pohon aktori.

Sipas tij, deri më tani edhe pse është nënshkruar prej disa vitesh nga dy ministrat e Kulturës dhe është pohuar për rëndësinë e tij në jetën artistike, ky kalendar artistik i ka ngjarë një shisheje me dizajn të bukur, por e zbrazët.

Regjisori Nikolin Gurakuqi është i njohur për shfaqjet e tij në skenën e Teatrit të Operës dhe të Baletit në Tiranë. Por dhe për regjisorin, edhe pse ky kalendar kulturor deri tani është pohuar me bujë nga dy ministritë, në Shqipëri dhe Kosovë, duhet që institucionet e artit të integrohen te njëra-tjetra. Gurakuqi shprehet për agjencinë e lajmeve “Sot” se artistët nga Kosova nuk janë aq sa duhet në skenat e Shqipërisë.  “Mendoj se artistët e vendeve gjegjëse duhet të marrin pjesë në kalendarët gjegjës të aktiviteteve, të mos jenë shkëmbimet sporadike, por të vazhdueshme. Duhet integrim i artit të të dyja vendeve si nga ana artistike, ashtu edhe institucionale. Duhet të dalin institucionet artistike nga bunkerizimi, të hapen të integrohen te njëra-tjetra. Ku janë artistët kosovarë në skenat tona dhe ne në skenat e tyre?”, shprehet regjisori i njohur Nikolin Gurakuqi.

Regjisor dhe pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë, Nikolin Gurakuqi shton më tej se edhe artistët që kanë eksperiencë nga Shqipëria duhet të jenë më shumë në Kosovë. “Unë si pedagog në Universitetin e Arteve kam pasur shumë studentë kosovarë të talentuar. Ku janë ata në skenat tona? Askund. Po kështu ne nuk ftohemi me ndonjë përjashtim, të kontribuojmë në skenat e tyre, edhe se kemi një eksperiencë të madhe në fushën e operës”, thotë regjisori.  

Në prill të 2019-s ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, nënshkroi këtë kalendar artistik me ministrin e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, Kujtim Gashi. Zëri