I jepet lamtumira e fundit Nexhmije Pagarushës

I jepet lamtumira e fundit Nexhmije Pagarushës

Kultura February 10, 2020 - 08:05

Flamuri i Kosovës u ul në gjysmështizë për bilbilin e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Shumë dashamirë e nderuan jetën dhe veprën e saj dhe e përcollën me pikëllim drejt banesës së fundit artisten e papërsëritshme shqiptare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me duartrokitje të gjata u përcoll nga Teatri Kombëtar i Kosovës Nexhimije Pagarusha, bilbili i këngës shqipe. Para se kortezhi me arkivolin e saj të nisej nga Teatri Kombëtar i Kosovës, duke kaluar nëpër sheshet kryesore të Prishtinës, para tij u bënë homazhe dhe u mbajt një akademi përkujtimore. Familjarët, krerët e shtetit, artistët e adhuruesit e muzikës e përcollën Pagarushën me duartrokitje, duke e çmuar fort gjithë bagazhin artistik që artistja la pas vetes. Për gruan që këndoi “Bareshën” e shumë këngë të tjera u tha se la gjurmë të pashlyeshme në historinë e kulturës dhe të muzikës shqiptare.

Në shenjë respekti për artisten Nexhmije Pagarushën, e cila i dha vlera të përjetshme kulturës dhe artit tonë kombëtar, presidenti Hashim Thaçi shpalli 9 shkurtin ditë zie. Në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë flamuri shtetëror u ul në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Sipas amanetit të saj, këngëtarja që vdiq më 7 shkurt u varros në fshatin e lindjes, në Pagarushë të Malishevës, me një ceremoni private, ku morën pjesë vetëm familjarët dhe miqtë e ngushtë. Pas varrimit e pamja do të vazhdojë edhe për dy ditë të tjera, deri më datën 11.02.2020, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, nga ora 8:00 deri në orën 17:00.

Familjarët e kujtojnë si një grua të fortë, një nënë e një gjyshe të pashoqe

Pas homazheve që nisën mëngjesin e së dielës në Teatrin Kombëtar të Kosovës u mbajt në mesditë edhe akademia përkujtimore kushtuar Nexhmije Pagarushës. Familjarët, udhëheqësit e shtetit, bashkëpunëtorët e dashamirët folën për kontributin e Nexhmijes në kulturën muzikore shqiptare. Në emër të familjes të pranishmëve iu drejtua mbesa e të ndjerës, Mirjeta Mulliqi. Ajo mes lotësh e me shumë emocione tha se Nexhmija para së gjithash ka qenë një grua e fortë, një nënë, një hallë e një gjyshe e pashoq. Një grua që kishte inspiruar familjarët e tjerë e veçanërisht gratë e asaj familjeje. “Ka qenë një grua e fortë me shumë vlera, një grua modeste. Për të familja ishte çdoherë në rend të parë. Për ne mbesat dhe nipat ka treguar shumë durim, ka pasur çdoherë veshë dhe kohë për ne. Ka qenë gjithmonë e gëzuar dhe e buzëqeshur. Na ka mësuar të jemi të pavarura, të luftojmë për pozitën tonë si gra në shoqëri”, u shpreh ajo për të pranishmit, duke e falënderuar secilin për pjesëmarrje. Në këtë ceremoni përkujtimore ishin anëtarët e ansamblit “Shota” ata që i qëndruan tërë kohën afër dhe nderuan kortezhin mortor të këngëtares.

Image

Osmani: Nexhmija reflektonte një forcë shtytëse

Fjalën në këtë akademi përkujtimore e mori edhe e para Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila i shprehi ngushëllime familjes së të ndjerës dhe gjithë Kosovës. “Jam këtu para jush për ta ndarë dhimbjen e madhe për humbjen e Nexhmijes sonë, këngët e së cilës i kemi njohur e dashur qysh në fëmijëri e në rininë e hershme. Atëbotë ne nuk e dinim se zëri ynë mund të dëgjohej në institucione e në politikë, por mahniteshim me atë që këngës ia jepte vulën e përjetësisë. Nexhmija reflektonte një forcë shtytëse për mua dhe për shoqet e mia, që të guxonin dhe të ëndërronim që një ditë të kapërcenim frikën e pasigurinë, të dëshmonim praninë tonë, ëndrrën tonë dhe dëshirën për të jetuar në një shoqëri të lirë e të barabartë”, u shpreh Osmani para të pranishmëve.

Thaçi: Kudo që jetojnë shqiptarët, janë zemërthyer dhe të pikëlluar

Ndër figurat politike që u përkulën para arkivolit ishte edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili bëri homazhe tek arkivoli i këngëtares, mirëpo nuk u deklarua për medie. Nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook” Thaçi tha se kujtimi për bilbilin e Kosovës kurrë nuk do të zbehet dhe këngët e saj do të jetojnë përgjithmonë me ne. “Sot, në ceremoninë mortore, i bëmë nderimet e fundit për bilbilin e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Kudo që jetojnë shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri, janë zemërthyer dhe të pikëlluar. Kujtimi për bilbilin e Kosovës kurrë nuk do të zbehet dhe këngët e saj do të jetojnë përgjithmonë me ne”, ka shkruar Thaçi.

Kurti: Nexhmija e la skenën, por asnjëherë nuk e la këngën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore për këngëtaren Nexhmije Pagarushën ka thënë se muzika dhe arti kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar. Kreu i ekzekutivit thotë se ata që e kishin fatin ta njihnin për së afërmi e kishin kënaqësinë ta njihnin thjeshtësinë e saj. “Ajo u bë gruaja e fshatit, larg qytetit ku jetonin njerëzit e artit e të kulturës, në një kohë e një botë ku nuk të ofrohej mundësi. Por ajo bëhet gruaja nga fshati që sfidoi paragjykimet. Në amanetin e saj Nexhmija kërkoi të varrosej në fshatin Pagarushë, afër babait të saj Veselit, për të treguar dashurinë për të”, tha Kurti. Ai tha se Nexhmije Pagarusha ishte bilbil i gëzuar, por edhe i trishtë, bilbil poshtë një shteti, që ishte në diktaturë, por mbi supet e një populli si ky. “Nexhmija e la skenën, por asnjëherë nuk e la këngën”, ka thënë Kurti.

E për t’i shprehur ngushëllimet dhe nderimet e tij i pranishëm ishte edhe ambasadori nga Shqipëria, Qemal Minxhozi, i cili e konsideronte Nexhmijen një urë lidhëse të bashkimit midis shqiptarëve. “Pagarusha jonë u rrit pa nënë, por dashuria e saj për Kosovën, Shqipërinë e më gjerë e bënë nënën e këngës shqiptare. Bilbili Pagarusha u bë simbol i bashkimit midis shqiptarëve. Janë të paktë ata që nuk e kanë njohur shpirtin, karakterin, bujarinë dhe personalitetin e pamatshëm të saj”, tha ambasadori i Shqipërisë.

Në anën tjetër, kompozitori dhe dirigjenti Rafet Rudi, i cili foli në emër të komunitetit artistik, tha se Nexhmija ka përfaqësuar bukurinë e muzikës sonë popullore, ka qenë shenja përmes së cilës muzika jonë popullore është njohur në ish-Jugosllavi. “Ajo ka pasuruar muzikën kosovare, ajo e ka definuar muzikën shqipe”, u shpreh Rudi.

Një jetë kushtuar artit dhe muzikës

Nexhmije Pagarusha ndër vite ka treguar se ishte një artiste e kompletuar, këngëtare e mrekullueshme, por edhe aktore e dalluar filmi. Ajo u lind më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës. Ka ndjekur Shkollën e Muzikës në Beograd, për të filluar karrierën si këngëtare në radion “Prishtina” në vitin 1948 e për të vazhduar për 40 vjet të pushtojë botën e muzikës. Pavarësisht se këngëtarja nuk ishte e përcaktuar se cilin zhanër të muzikës e kultivonte, këngët e saj u dëgjuan me ëndje çdoherë dhe nga të gjitha moshat. “Baresha” është njëra ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukajt. Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera në shqip të Bethovenit, të Puçinit, të Verdit etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Mendohet se gjatë karrierës ajo ka interpretuar mbi 150 këngë. Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, në Shqipëri, në Bullgari, në Izrael etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë. Pas 16 vjetësh larg skenës ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë. Në Kosovë Nexhmije Pagarusha është shpallur “Këngëtarja e Shekullit”, kurse në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani e ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”. Në tetor të vitit 2018 Qeveria e Kosovës ia dha Pagarushës statusin “Qytetare me Merita të Veçanta” për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe, duke përfshirë edhe mbështetjen financiare të saj, siç është përcaktuar në propozim-vendimin në vlerë prej 500 eurosh në muaj. Vitin e kaluar ajo festoi, më 7 maj, ditëlindjen e 86-të. Për nder të saj Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizoi një mbrëmje kulturore, me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga trevat shqiptare, të cilët i kënduan edhe disa nga këngët më të bukura të repertorit të saj. Dashamirët e bilbilit të këngës shqipe u mblodhën në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Në Pagarushë të Malishevës pritet së shpejti të ngrihet një qendër kulturore, e cila i bën nder jetës dhe veprës së këngëtares së mirënjohur kosovare, Nexhmije Pagarusha. Vitin e kaluar Ministria e Kulturës ka shpallur konkursin e projektimit për hartimin e projektit për ndërtimin e kompleksit “Nexhmije Pagarusha”, në Pagarushë. Sipas detyrës projektuese të konkursit të projektimit, qendra kulturore, e cila do ta mbajë emrin “Nexhmije Pagarusha”, do të ketë për qëllim promovimin e vlerave kulturore të artit skenik, të muzikës, të komunikimit dhe të ndërveprimit mes njerëzve, të promovimit të trashëgimisë kulturoro-materiale dhe shpirtërore, zgjerimit të aktiviteteve kulturore, përfshirjen e të rinjve të Pagarushës dhe të fshatrave përreth në jetën socio-kulturore dhe sportive. Zëri