Infektuar: 34295
Shëruar: 21043
Vdekur: 914
Shuhet bilbili i këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha

Shuhet bilbili i këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha

Kultura February 08, 2020 - 10:39
Image

Dje në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë bilbili i muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha. Ikona e muzikës ka vdekur në moshën 86-vjeçare dhe lajmin për vdekjen e saj e bënë të ditur familjarët. Sot do të mbahet mbledhja përkujtimore dhe më pas do të bëhet varrimi i saj në vendlindje, në fshatin Pagarushë të Malishevës, ashtu siç kishte lënë amanet e ndjera. Familjarët e saj kanë thënë se e ndjera ka kërkuar që kur të vdesë varrimi i saj të bëhet vetëm me praninë e familjarëve të ngushtë dhe pa përcjellje të medieve. Pas këtij lajmi të hidhur ngushëllimet e tyre i kanë shprehur shumë figura shtetërore dhe artistë. 

Ylli i muzikës përkujtohet nga krerët e shtetit

 “Nexhmije Pagarusha ka lënë pas vetes një trashëgimi të pasur, ndaj së cilës jemi falënderues dhe përballë së cilës kemi përgjegjësi”. Me këto fjalë ka ngushëlluar familjen e këngëtares ministrja e Kulturës, e Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi. “Ndarja nga jeta e Nexhmijes është një humbje e madhe për ju, për miqtë e saj dhe për kulturën shqiptare, së cilës ajo i dha shumë vlera dhe dinjitet. Nexhmije Pagarusha me artin e saj muzikor ka dhënë shumë për kulturën shqiptare, duke e ngritur në një nivel të lartë. Dhe kështu ajo u bë ikonë e Kosovës moderne, duke u bërë edhe burim frymëzimi për breza të tërë. Prandaj ajo do të mbetet përgjithmonë bilbili i këngës shqipe në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë. Kujtimi për Nexhmijen do të jetë i përhershëm për ne dhe një shembull fisnik për brezat e ardhshëm”, shkroi Dumoshi në telegramin e saj ngushëllues. Tutje ministrja tha se Nexhmija me punën dhe me kontributin e saj ka sjellë një epokë identiteti në fushën e këngës dhe të muzikës shqipe, duke fituar respektin e gjithë atyre që e kanë njohur, sidomos të atyre të botës muzikore, por edhe më gjerë. “Këngët e saj, veçmas ‘Baresha’, janë kryevepra të artit muzikor. Ne jemi brez me fat që u rritëm me këngët e saj”, përfundoi kështu Dumoshi. Presidenti Thaçi: Nexhmija me zërin e saj përjetësoi muzikën shqiptare Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke ngushëlluar familjen dhe gjithë Kosovën tha se Nexhmije Pagarusha me zërin e saj përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare. “Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe për artin tonë kombëtar. Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, duke u bazuar në dhuntitë dhe në talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës”, u shpreh Thaçi. Ne anën tjetër edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta është shprehur i pikëlluar, duke thënë se Nexhmije Pagarusha ishte një artiste e madhe dhe e papërsëritshme. “Me shumë dhimbje e hidhërim të thellë mora lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të mbretëreshës së këngës shqiptare, artistes sonë të madhe e të papërsëritshme, Nexhmije Pagarusha. E dashur dhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada, kjo humbje e pazëvendësueshme i ka prekur sot të gjithë shqiptarët dhe admiruesit e saj kudo”, shkroi Meta, duke shtuar se si artiste që bëri histori në momente të vështira falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur, Nexhmije Pagarusha, do të jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë. Tutje Meta tha se ndihet fatlum që e njohu nga afër. “Ajo nuk ishte magjike vetëm në skenë dhe në ekran, por në çdo moment të jetës së saj. Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë artdashësve shqiptarë. Si një nga përfaqësueset më të mëdha të artit e të muzikës, e nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, me trashëgiminë e vyer që la pas, Nexhmije Pagarusha do të mbetet e paharruar për të gjithë ne”, përfundoi kështu presidenti i Shqippërisë.

Kolegët e mbretëreshës së muzikës shqipe kujtojnë çastet e bukura me të

Sopranoja Inva Mula, pas lajmit për ndarjen nga jeta të këngëtares dhe aktores Nexhmije Pagarush,a ka thënë se ajo do të futet te legjendat e artistëve shqiptarë. Artistja lajmin e hidhur e ka marrë nga mediet në Shqipëri. “Jam shumë e emocionuar pasi lajmin e mora nga ju dhe jam në atë emocionin e momentit që nuk di ç’të shpreh. Për një zonjë të nderuar dhe artiste që bëri histori në kohë të vështira dhe dha shijen e bukur të interpretimit të këngës shqiptare me elokuencën e saj, me elegancën, me bukurinë e shpirtit, me vokalin”, u shpreh Mula. Inva rrëfeu se një nga momentet më të bukura me të ishin kur ajo do të organizonte një koncert për nder të 80-vjetorit të të atit. Inva Mula kërkoi që dhe Nexhmije Pagarusha si mike e të atit të saj të vinte, por i thanë se ishte shumë e sëmurë. Mula shprehet se shkoi vetë në Prishtinë për t’ia kërkuar dhe pavarësisht se ishte në gjendje të rëndë prej sëmundjes së saj u ngrit dhe erdhi në Tiranë për të performuar. Sopranoja shqiptare shprehet se ai ishte një nga momentet më të bukura të jetës së saj dhe ia ofroi pikërisht Nexhmije Pagarusha. Ardit Gjebrea përmes një postimi në “Instagram” me shpirtin e tij binjak tha se përjetë do ta kujtojë të qeshur e të ëmbël. “Unë sot dua të të kujtoj kështu dhe jo vetëm sot, por gjithë jetën. E mira, e ëmbla, lozonjarja ime. Të gjithë sot humbën artisten e madhe, njeriun e familjes, bashkudhëtaren speciale, ndërsa mua m'u këput filli që më lidhte me shpirtin binjak, me një shpirt si ai yti që pata fatin ta njoh, ta jetoj dhe të ma falje sa herë isha dhe nuk isha me ty. Kush tha që u shua bylbyli? Zë si yti, është nga ata që e kanë jetën eterne. Më sëmbon zemra tani, por e di që je diku këtu, me mua, që aq shumë të dua!”, u shpreh ai. Divën e muzikës së mirëfilltë shqiptare e kujton dhe Rrjeti Grave të Kosovës. “Vdekja e saj nuk është humbje e madhe vetëm për familjen e miqtë e saj, por edhe për botën e artit mbarëshqiptar. Kthejmë kokën pas dhe me krenari kujtojmë se në vitin 2015 Pagarusha mori mirënjohje nga RrGK-ja për ‘Guximin dhe veprat të cilat kanë motivuar dhe kanë fuqizuar vajzat dhe gratë në Kosovë’. Krenohemi që përgjatë përpjekjeve tona për fuqizimin e grave rrugët na u kryqëzuan me një grua kaq të fuqishme siç ishte dhe do të mbetet gjithnjë Nexhmije Pagarusha”, është thënë në telegramin ngushëllues të RrGK-së.

Një jetë kushtuar artit dhe muzikës

Nexhmije Pagarusha ndër vite ka treguar se ishte një artiste e kompletuar, këngëtare e mrekullueshme, por edhe aktore e dalluar filmi. Ajo u lind më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës. Ka ndjekur shkollën e muzikës në Beograd, për të filluar karrierën si këngëtare në radio “Prishtina” në vitin 1948 e për të vazhduar për 40 vjet të pushtojë botën e muzikës. Pavarësisht se këngëtarja nuk ishte e përcaktuar se cilin zhanër të muzikës e kultivonte, këngët e saj u dëgjuan me ëndje çdoherë dhe nga të gjitha moshat. “Baresha” është njëra ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj. Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, të Puçinit, të Verdit etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Mendohet se gjatë karrierës ajo ka interpretuar mbi 150 këngë. Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, në Shqipëri, në Bullgari, në Izrael etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë. Pas 16 vjetësh larg skenës ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë. Në Kosovë Nexhmije Pagarusha është shpallur “Këngëtarja e Shekullit”, kurse në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani e ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”. Në tetor të vitit 2018 Qeveria e Kosovës ia dha Pagarushës statusin e “Qytetares me Merita të Veçanta” për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe, duke përfshirë edhe mbështetjen financiare të saj siç është përcaktuar në propozim-vendimin në vlerë prej 500 eurosh në muaj. Vitin e kaluar ajo festoi më 7 maj ditëlindjen e 86-të. Për nder të saj Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizoi një mbrëmje kulturore, me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga trevat shqiptare, të cilët i kënduan edhe disa nga këngët më të bukura të repertorit të saj. Dashamirët e bilbilit të këngës shqipe u mblodhën në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Në Pagarushë të Malishevës pritet së shpejti të ngrihet një qendër kulturore, e cila i bën nder jetës dhe veprës së këngëtares së mirënjohur kosovare, Nexhmije Pagarushës. Vitin e kaluar Ministria e Kulturës ka shpallur konkursin e projektimit për hartimin e projektit për ndërtimin e kompleksit “Nexhmije Pagarusha”, në Pagarushë. “Sipas detyrës projektuese të konkursit të projektimit, qendra kulturore, e cila do ta mbajë emrin ‘Nexhmije Pagarusha’, do të ketë për qëllim promovimin e vlerave kulturore të artit skenik, të muzikës, të komunikimit dhe të ndërveprimit mes njerëzve, të promovimit të trashëgimisë kulturoro-materiale dhe shpirtërore, zgjerimit të aktiviteteve kulturore, përfshirjen e të rinjve të Pagarushës dhe të fshatrave përreth në jetën socio-kulturore dhe sportive”.