Ekspozita 'Rrugëtim - Ismail Qemali ndër vite' në qytetin e Vlorës

Ekspozita 'Rrugëtim - Ismail Qemali ndër vite' në qytetin e Vlorës

Kultura January 30, 2020 - 06:01

Muzeu Historik Kombëtar i Tiranës dhe Muzeu Kombëtar i Pavarësisë Vlorë kanë hapur ekspozitën me titull “Rrugëtim - Ismail Qemali ndër vite”, në përkujtim të 101-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit. Ekspozita është realizuar për të kujtuar Ismail Qemalin dhe kontributin e tij të paçmuar për kombin shqiptar. Ismail Qemali ka lindur në Vlorë, më 16 janar të vitit 1844, në qytetin, ku 68 vjet më vonë do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kuvendi Kombëtar dhe ngritja e flamurit më 28 nëntor u zhvilluan në shtëpinë ku ka lindur Ismail Qemali. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, ai vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862 - 1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll. Ai mori pjesë së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin në mbledhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj. Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funksionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar). Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi.

Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe ia dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mirë idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare. Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Evropës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një kuvend kombëtar. Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912, lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe ministër i Punëve të Jashtme. Zëri