“A.y.l.a.n”, shfaqja më e mirë e “Talisë së Flakës”

“A.y.l.a.n”, shfaqja më e mirë e “Talisë së Flakës”

Kultura January 28, 2020 - 10:25
Image

Shfaqja “A.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit triumfoi në festivalin e dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës”, duke fituar çmimin “Shfaqja më e Mirë e Festivalit”. Të dielën edicioni i 29-të i festivalit të dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës” u përmbyll me këtë shfaqje të Teatrit të Gjilanit, të realizuar nga autori Jeton Neziraj dhe nga regjisorja Blerta Rrustemi-Neziraj,shkruan sot gazeta "Zëri"

Pas kësaj shfaqjeje u mbajt dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të tjera të festivalit. Juria vlerësuese përbëhej nga: Agim Selimi, regjisor, Visar Krusha, dramaturg dhe Ekrem Sopi, regjisor. Këta të tre kanë vlerësuar prurjet e këtij edicioni dhe kanë ndarë çmimet e parapara për këtë festival. “A.y.l.a.n” është një performancë teatrore, që në mënyrë ironike shpërfaq dramën aktuale të refugjatëve në Evropë dhe përpjekjen e paskrupullt të shumë njerëzve për të përfituar nga tragjedia e tyre. Përderisa në shumicën e vendeve evropiane ndjenjat antirefugjatë janë në rritje, ndërkohë që empatia për dramën dhe për vuajtjen e tyre ka filluar të zbehet, shfaqja ‘a.y.l.an’ na konfronton me domosdoshmërinë për të parë dramën e tjetrit në vetveten tonë.

Tragjedia e tanishme e tjetrit ishte tragjedia jonë e djeshme dhe mund të jetë tragjedia jonë e nesërme. Mund të themi se pamja e vogëlushit sirian Aylan Kurdi, i shtrirë në bregdetin turk pasi ishte mbytur në Detin Mesdhe, në vitin 2015, duket të ketë inspiruar edhe autorin Jeton Nezirajn dhe regjisoren Blerta Rrustemi-Nezirajn, që përmes aktorëve të Teatrit të Qytetit të Gjilanit sollën këtë shfaqje të mrekullueshme. Kjo shfaqje, prodhim i Teatrit të Gjilanit, u luajt nga: Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani dhe Alban Shahiqi.

Gjatë ceremonisë u dhanë mirënjohje dhe çmime të ndryshme, ku u vlerësuan aktorët dhe regjisorët për punën e tyre. “Drama më e Mirë Origjinale e Festivalit” u vlerësua shfaqja “Shkamat” e Fadil Hysajt. “Regjia më e Mirë e Festivalit” ishte çmimi që iu nda regjisores Blerta Rrustemi-Nezirajt për shfaqjen “A.y.l.a.n”. Çmimi “Aktorja më e Mirë e Festivalit” i takoi aktores Sheqerie Buqajt për rolin në shfaqjen “Shkamat”.

 

Çmimi “Aktori më i Mirë i Festivalit” i takoi aktorit Xhevdet Doda për rolin në shfaqjen “Shkamat’. Ndërsa Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit, bëri të ditur edhe për disa çmime speciale që i ndajnë e që i bëjnë nder Teatrit, angazhimi i të cilëve ka bërë të këtë interesim të madh për teatrin. Kështu çmimi “Post Mortum” iu nda aktorit dhe regjisorit Nuhi Matoshit. Çmimi tjetër iu dedikua aktorit Muharrem Sylejmanit. Po ashtu u ndanë edhe dy mirënjohje: edhe atë për Burhan Sylejmanin dhe për Behajdin Hoxhën.

Përndryshe, Deniza Limani, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport dhe kryesuese e Bordit të këtij manifestimi, në përmbyllje të festivalit “Talia e Flakës” përshëndeti të pranishmit në emër të kryetarit të Gjilanit Lutfi Hazirit, nën patronatin e të cilit mbahet ky manifestim mbarëkombëtar, duke u shprehur e lumtur që pjesëmarrja dhe interesimi për të përcjellë këtë manifestim ishte i madh. Ajo veçoi veçmas interesimin e të rinjve me çka garantohet e ardhmja e këtij festivali, përkatësisht e këtij manifestimi. Aktivitetet e manifestimit “Flaka e Janarit 2020” do të vazhdojnë edhe më 28 janar, kur mbahet festivali i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës” në sallën e teatrit të qytetit. Ndërkaq në ditën e fundit, më 31 janar, zhvillohen dy aktivitete – ora e madhe letrare “Pena e Flakës”, ku shpallen edhe rezultatet e konkursit letrar në prozë dhe në poezi, si dhe festivali i këngës popullore “Fest Flaka".Zëri