Libri i javës - 'Egoja është armiku' nga Ryan Holiday

Libri i javës - 'Egoja është armiku' nga Ryan Holiday

Kultura January 27, 2020 - 10:21

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Egoja është armiku” nga Ryan Holiday.  Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Minevera” dhe është përkthyer nga Blendi Lami.

Ky libër na tregon se ka një ndryshim të madh ndërmjet vetëbesimit dhe egos. Është shumë e rëndësishme që secili prej nesh të besojë në atë çka bën dhe se cili është, por jo aq sa ky vetëbesim t’ju pushtojë të gjithin dhe të kthehet në një ego arrogante. Ai vazhdon shpjegimin e tij duke thënë se egoja bazohet në vlerësimin objektiv të aftësive dhe arritjeve tuaja. “Është më se e vërtetë se pjesa më e madhe e njerëzve të suksesshëm janë edhe egoistë. Këtu mund të përmendim, për shembull, rastin e pashërueshëm të Steve Jobsit, i cili u nda nga kjo jetë si një prej egoistëve të pandreqshëm, por që rezultoi të ishte shumë i suksesshëm. A ishte egoja që e çoi atë drejt suksesit apo talenti, puna e palodhur dhe përkushtimi? A do të kishte qenë ai po kaq i suksesshëm po të mos kishte qenë për egon e tij?”, thekson autori. 

Gjithmonë sipas Holidayt, lista me elemente të tilla si vetëbesimi i tepruar, krenaria fodulle, lakmia, paranoja etj., do të shtohen nëse ju bini pre e egos, prandaj këshillohet që të mbeteni një “student i përjetshëm” nëse doni të avanconi dhe të mos mbeteni në vend. Të qenit në sfidë me veten do t’ju kujtojë se ju gjithmonë do të jeni në një proces të vazhdueshëm mësimi gjërash të reja. Sepse kjo është pikërisht edhe lufta e egos, vazhdimisht ju bind që ju dini gjithçka dhe nuk keni më se çfarë të mësoni dhe pikërisht në këtë moment, ajo vret tek ju procesin e të mësuarit.

Sipas Holidayt, obsesioni i rrjeteve sociale që e ka pushtuar pjesën më të madhe prej nesh na ka shndërruar në artistë me profile të rreme. Qëllimi kryesor i krijimit të rrjeteve sociale ishte vënia në kontakt e njerëzve me njëri-tjetrin, pavarësisht shtetit apo kontinentit se ku ndodheshin, por rezultoi e kundërta. Pjesa më e madhe e përdoruesve të rrjeteve sociale e prezantojnë veten me profile të rreme, ku mbizotërojnë fotot e përkryera familjare ku të gjithë anëtarët janë të qeshur dhe që të krijojnë idenë se ju keni një jetë të përsosur. Efekti i këtyre rrjeteve sociale po na ndan nga realiteti në të cilin jetojmë dhe po na ndan edhe nga njerëzit të cilët na rrethojnë. Bota reale në të cilën jetojmë është mbyllur në një dhomë pa dritë duke nxjerrë në pak botën joreale të përkryer të rrjeteve sociale. Dhe rezultati i gjithë këtij procesi është: xhelozia dhe inferioriteti në nivele ekstreme.

“Egoja është armiku” nga Ryan Holiday është një libër që duhet ta lexojë çdo sportist, çdo sipërmarrës, çdo mendimtar ose person që aspiron të bëhet lider. Librin mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë. Zëri