Pakoviqi, Zmaku e Steriani në rezidencën letrare 'Prishtina nuk ka lumë'

Pakoviqi, Zmaku e Steriani në rezidencën letrare 'Prishtina nuk ka lumë'

Kultura January 27, 2020 - 10:18
Image

Qendra “Multimedia” në bashkëpunim me “Reading Balkans” ka bërë përzgjedhjen e shkrimtarëve, të cilët do të jenë pjesë e rezidencës së programit “Prishtina nuk ka lumë”, për vitin 2020. Artistët e përzgjedhur janë: Zlatko Pakoviq nga Serbia, që do të jetë pjesë e këtij programi në muajin tetor të këtij viti. Jasna Jasna Zmak nga Kroacia dhe Jean Lorin Sterian nga Romania, të cilën do të jenë pjesë e këtij programi në muajin dhjetor, shkruan sot gazeta "Zëri".

Zlatko Pakoviq është regjisor, gazetar e publicist nga Serbia. Pakoviqi ka punuar një shfaqje me Qendrën Kulturore për Dekontaminim në Beograd në bashkëpunim me qendrën “Multimedia” në Kosovë, të cilën e udhëheq Jeton Neziraj. Shfaqja titullohet “Enciklopedia e të gjallëve” dhe ka të bëjë me intervenimet artistike në realitetin serbo-kosovar. Sipas Pakoviqit, ekipi që ka punuar ka qenë i përbërë nga artistë kosovarë e ata serbë dhe kjo shfaqje flet për të gjitha perspektivat, mirëkuptimin e problemeve 100-vjeçare të serbëve dhe të shqiptarëve, por edhe për mirëkuptimin e situatës së sotme dhe për mirëkuptimin e një perspektive plotësisht ndryshe në një bashkëpunim po ashtu ndryshe.

Jasna Jasna Zmak është dramaturge, shkrimtare dhe skenariste kroate. Ajo është diplomuar në Dramaturgji në Akademinë e Arteve Dramatike në Zagreb, ku ka punuar si asistente që nga 2012-a dhe si profesoreshë nga viti 2019. Ajo ka një doktoratë në letërsi, arte interpretuese, filma dhe kulturë nga Fakulteti i Shkencave Humane dhe Shkencat Sociale, Universiteti i Zagrebit.

Jean-Lorin Sterian është një shkrimtar, dramaturg, regjisor dhe interpretues. Ai ka botuar libra të zhanrit fikson dhe antropologji. Në vitin 2008 ai krijoi teatrin lorgean - një teatër të hapësirave intime, në banesën e tij, një vend të hapur për aktorët dhe për valltarët, i cili u bë shenjë tregtare për kulturën alternative të Bukureshtit. Të tre të përzgjedhurit janë shkrimtarë, të cilët kanë treguar mjaft suksese në fushën e letërsisë.

Rezidenca është rregulluar paraprakisht nga projekti “Reading Ballkan” në bashkëpunim me shtëpitë botuese “Goga” (Slo), botimin “Goten” (MK), “Krokodil” (Srb), “Udruga Kurs” (Cro), “Poeteka” (Alb), qendra “Multimedia” (Kos), “Pen Bih” dhe “S. Fischer Stiftung” (De) dhe partnerë.

Programi i  rezidencës letrare “Reading Ballkanit 2020” është i hapur për t’i mirëpritur shkrimtarët e trillimeve, poetët, eseistët, dramaturgët, shkrimtarët e skenarëve dhe shkrimtarët e librave komikë nga Evropa Juglindore (Sllovenia, Kroacia, Serbia, Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Rumania, Mali i Zi, Bullgari). Projekti i leximit të Ballkanit mbështetet nga programi i Evropës Krijuese të BE-së. “Në veçanti po u kushtojmë vëmendje shkrimtarëve që janë inovatorë, të cilët në veprat e tyre merren me tema bashkëkohore. Do të mundësojmë pjesëmarrjen e shkrimtarëve të të gjitha moshave dhe gjinive me një kriter të përbashkët: që punimet e tyre pasqyrojnë tema të migracionit, mërgim gjuhësor, pajtim, rolin e kulturës dhe rëndësinë e dialogut për të luftuar nacionalizmin dhe jotolerancën”, thuhej në konkursin e qendrës “Multimedia”.

Bursa për shkrimtarët do të përfshijë një qëndrim 4-javor në një apartament, shumën e udhëtimit (deri në 150 euro), një grant në vlerë prej 1000 eurosh bruto (afro 750 neto), një ngjarje letrare me autorin në vendin ku do të mbahet rezidenca, një përkthim i një teksti që do të prezantohet në këtë ngjarje (në gjuhën e rezidencës pritëse) dhe një përkthim i një teksti në anglisht për t'u përfshirë në aplikacionin celular dhe që do të përdoret në qëllime promovuese. Kohëzgjatja e qëndrimit do të jetë 4 javë. Të gjitha rezidencat do të organizohen midis 1 marsit 2020 dhe 31 dhjetorit. Zëri