'Gurët e vetmisë' shpërblehet si romani më i mirë

'Gurët e vetmisë' shpërblehet si romani më i mirë

Kultura January 24, 2020 - 10:35

Ministria e Kulturës në Shqipëri ka shpallur fituesit e çmimeve kombëtare të letërsisë për vitin 2018. Përmes një ceremonie për çmimet, të mbajtur të mërkurën, u shpallën edhe gjashtë fituesit. Juria e këtij viti ishte e përbërë nga Alda Bardhyli, kryetare dhe anëtarë: Visar Zhiti, Dhurata Shehri, Brikena Çabej dhe Riza Braholli. Autorja Mimoza Hafizi fitoi çmimin e letërsisë për fëmijë me librin “Pika trëndafili”, Havzi Nela u nderua me çmim për vëllimin më të mirë poetik me “Vepra poetike e plotë”, çmimi “Eseistikë 2018” shkoi për shkrimtarin Ismail Kadare, me veprën “Kur sunduesit grinden”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Nga juria e këtij viti Enkel Demi u shpall fitues me çmimin “Romani më i Mirë 2018”, me librin “Gurët e vetmisë”. Ky libër është një rrëfenjë epike për atë që ka ndodhur vërtet një shekull më parë në tokat shqiptare. “Gurët e vetmisë” tregon se si në një vend diku mes kufijsh një grusht njerëzish përpiqen të ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre në vendin ku kanë pasur rrënjët e të parëve, nën hijen e së shkuarës, duke u ruajtur nga pabesia e armikut. Kjo është një përrallë nga e kaluara, me djem gjaknxehtë e me vajza lozonjare, me valle ndjellëse e shtjella kumtesh, që nxijnë lulet e lotojnë gjak. Këtu nuk ka prijës të shquar e fjalëmëdhenj, por ka vetëm njerëz shpirtmirë: qejflinj, sedërlinj e besëplotë, që ngulmojnë për paqe. Historia e tyre plekset me mite e me legjenda, të cilat jo vetëm janë pjesë e një përditshmërie të shtruar e të thjeshtë, por janë pjesë e thelbit të këtij populli të vogël e të harruar. Këta njerëz me rrënjë të thella, të ndërthurura në gëzime e në hidhërime të moçme, jetojnë të zhytur në një fatalizëm, që është njëherazi shpëtimtari dhe përndjekësi i tyre më i ashpër. Romani nuk ka stërhollime, gjykime e as leksione, por vetëm kujtime dhe mall.

Luan Topçiu u vlerësua me çmimin “Përkthimi më i Mirë” dhe Roland Gjoza u vlerësua me çmimin “Tregimi më i Mirë 2018”. Për romanin ishin në garë autorët: Andreas Dushi me “Marrja e gjakut”, Vrion Graçi me “Pëllumbat i vrasin natën”, Enkel Demi (Tom Kuka) me “Gurët e vetmisë”. Për këtë tregim ishin në garë: Daut Gumeni me “Qershia e egër”, Roland Gjoza me librin “Për vajzat nga Parisi” dhe Faruk Myrtaj me librin “Këpucë për gjyqin e fundit”. Në poezi konkurruan autorët: Sabri Hamiti me librin “Kukula e Sokratit”, Flutura Açka me “Roja i dritës”, Havzi Nela me “Vepra poetike e plotë”. Në estetikë konkurruan autorët: Mateo Mandala me “Jeronim De Rada: Portret artisti në rini”, Ismail Kadare me veprën “Kur sunduesit grinden”, si dhe Arian Leka me librin “Në kërkim të këmishës së humbur”.

Në letërsinë për fëmijë dhe të rinj konkurronin autorët: Mimoza Hafizi me “Pika trëndafili”, Skënder Hasko me “S’ka si shoku im” dhe Shkëlzen Halili me “Gjergji takon Skënderbeun”. Për përkthim në garë ishin autorët: Eriona Karabolli-Sabato, Ernesto: “Abadoni, engjëlli i skëterrës”, autori Agron Tufa me Paul Celan “Flokëboret e zeza” dhe Luan Topçiu-Linda Maria Baros: “Shtëpia me brisqe rroje”. Që nga koha kur u shpallën edhe autorët në garë Ministria e Kulturës herë pas here ka publikuar veprat dhe autorët në konkurrim. Por ndryshe nga sa ishte më parë, këtë vit nuk u ndanë vetëm dy çmime. Më herët ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bëri me dije se do të jenë disa çmime. “Këtë vit nuk do të kemi më dy çmime të mëdha, por 6 syresh. Pas një pune disamujore juria do të shpallë fituesit e çmimeve për romanin më të mirë, përmbledhjen me tregime, vëllimin poetik, veprën më të mirë eseistike, krijimtarinë letrare për fëmijë e të rinj dhe përkthimin nga gjuha e huaj”, u shpreh Margariti. Por edhe pse çdo vit janë ndarë këto çmime letrare, nuk kanë munguar kritikat për mënyrën sesi janë zhvilluar. Çmimet këtë herë u dhanë pak me vonesë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, pasi duhej të ishin ndarë që në muajt e fundit të vitit që kaloi. Zëri