Skënder Luarasi përkujtohet përmes një ekspozite

Skënder Luarasi përkujtohet përmes një ekspozite

Kultura January 22, 2020 - 10:05

Një ekspozitë në përkujtim të publicistit dhe të studiuesit Skënder Luarasi u çel në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Institucioni shprehet se duke pasur në vëmendje promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë kulturore kombëtare dhe personaliteteve që i japin dinjitet asaj, çeli të hënë, një ekspozitë përkujtimore në 120-vjetorin e lindjes së shqipëruesit, publicistit, studiuesit Skënder Luarasi (1920-1982).

Në këtë ekspozitë u sollën në vëmendje të publikut nga artikujt e tij të parë botuar në periodikun e kohës si “Dielli”, “Rilindja e Arbënis”, “Zëri i Korçës”, “Studenti”, “Dialëria”, etj, shqipërimet e emrave më të mëdhenj të letërsisë botërore si: Friedrich von Schiller, Johann Wolfgang Goethe, William Shakespeare, George Gordon Byron, Charles Dickens, Walt Whitman, Aleksandr S. Puskin, Feliks Lope dela Vega, John Milton, Kalidasa, etj. Nuk mund të lihen jashtë vëmendjes veprat të cilat janë përmbledhur dhe përgatitur prej Skënder Luarasit si, “Kolonel Thomson” (1934), “Vepra” e Migjenit (1957), “Petro Luarasi : jeta dhe vepra” (1958), “Fjala shqipe” (1961), “Gjerasim Qiriazi: jeta dhe vepra” (1962), “Ismail Qemali” (1971), “Isa Boletini: jetëshkrim i shkurtër” (1972), etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në hollin e Bibliotekës Kombëtare. Skënder Luarasi qe arsimtar, përkthyes, dramaturg, publicist, studiues, vullnetar në Luftën e Spanjës.

Lindi në Luaras të Kolonjës, i biri i Petro Nini Luarasit, pasardhës të familjes Kostallari të Luarasit. Për veprimtarinë e tij të shquar patriotiko-antifashisto-demokratike, edukativo-letrare është nderuar me urdhrat e lartë: “Urdhri i Flamurit” (1960) dhe “Nderi i Kombit” (1996). Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi i viteve ’30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar. Ka qenë editor-përgjegjës në revistat: "Studenti" SHBA më 1920, "Djalëria" Austri më 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës "Vullnetari i Lirisë" Spanjë më 1937. Ky i fundit organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës. Deri në vitin 1992 veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore. Zëri