Drama e absurdit ndërmjet jetës dhe vdekjes

Drama e absurdit ndërmjet jetës dhe vdekjes

Kultura January 16, 2020 - 10:21

Skënder Zogaj

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë ditë më parë trupa e pavarur teatrore “Kontakt” e Teatrit të Luftës nga Sarajeva u paraqit me shfaqjen “Askund askënd nuk e kam”. Kjo shfaqje u realizua me tekstin e Eduard Bondit, në regji të aktorit të mirënjohur kosovar Alban Ukajt, me skenografi të Mirna Lerit, kostume të Lena Samarxhiq dhe me muzikën e Leonardo Shariqit e Nedim Zlatarit. Shfaqja ishte fort e mirë, sepse kështu e vlerësoi publiku artdashës i kryeqendrës së Kosovës, që shpërbleu me duartrokitje frenetike, kreacionet artistike të aktorëve Snezhana Bogiceviq (Sara), Jasenko Pashiq (James) dhe Alban Ukaj (Grit).

Shfaqja zgjoi kërshërinë e publikut që nga skenografia, e thjesht, por me simbolikë të ngjeshur në funksion të përmbajtjes së dramës, që zhvillohet brenda një trekëndëshi brenda mureve të larta, sipërfaqja e të cilit është e mbushur me karrige, që japin pamjen e një salle për mbajtjen e mbledhjes ose të një fushe, ku renditja e karrigeve përfytyron në një vend varrezash. Ky reflektim impresiv i dyfishtë skenografik është në funksion të lojës teatrore dhe e mban peng shikuesin me absurdin e dramës që zhvillohet ndërmjet jetës dhe vdekjes. Janë tri qenie plot ankth dhe shpirtërisht të përhumbur, që e kërkojnë vetveten brenda një hapësire me kohë ngufatëse.

E ngujuar brenda mureve të larta qëndron Sara, e lodhur fizikisht dhe e shkallmuar shpirtërisht, të cilën e bren fort meraku të kuptojë se çfarë po ndodhte përjashta mureve, por këtë orvatje ia ndalojnë krismat kërcënuese, duke ia kujtuar se rebelimin dhe ndjenjat i ka të ndaluara. Brenda mureve jeta është e privuar nga çdolloj kënaqësie, por janë të lejuara tundimet reflektuese sa më të forta shpirtërore, si shpëlarje e shpirtit dhe mundësi për risocializim me kohën dhe rrethanave fiktive. Katarsisi është një qëllim finok i ndërtuesve të mureve të larta, brenda të cilave preferohet pendesa. Ballafaqimi dhe debati i zjarrtë i bashkëshortëve, Sarës (Snezhana Bogiceviq) me Jamesin (Jasenko Pashiq), ndodh me përplasjen e fuqishme refuzuese ndaj njëri-tjetrit dhe kjo pasqyron gjendjen e hipertraumatizuar në të cilën ndodhen. Konflikti ashpërsohet edhe më shumë kur vjen Griti (Alban Ukaj), që deklarohet se është vëllai i Sarës. Ardhja e Gritit e acaron shumë Jamesin, që dyshon se është vëlla i Sarës dhe kërkon largimin e tij, por Griti nuk ka ku të shkojë, madje edhe nuk dëshiron të largohet sepse e ndien veten pjesë përbërëse të rrethit vicioz, të cilit i bëhet zëdhënës hipotetik i jetës brenda atyre mureve të larta. Griti me karrigen që e mban mbi shpinë si samar (ose si rrasë e varrit) udhëton përmes tingujve të saksofonit, këndon e qan duke i shfryrë mllefet.

Kjo është përmbajtja e shkurtër e shfaqjes, me tri personazhet brilante të Eduard Bondit, që regjisori Alban Ukaj u ka dhënë jetë teatrore duke zbërthyer me kreativitet të lartë artistik karakteret e tyre deri në detaje, duke ruajtur të përbashkëtat e tyre, por njëkohësisht duke theksuar të veçantat e mëdha dalluese. Tre aktorët realizuan tre brinjat e një trekëndëshi të mrekullueshëm autorial, që spontanisht kapërceu muret e larta të skenografisë dhe u bë pjesë e publikut, që u ndie pjesë e lojës. Snezhana Bogiceviq (Sara) e shtrydhi karakterin e gruas së hipertraumatizuar, e cila “askund askënd nuk e ka”, por, njëherësh –me tepricë ka gjithçka dhe gjithkund (!) prandaj e ka të destinuar përfundimin tragjik: Sara bën vetëvrasje për t’iu kthyer vetvetes, por dhe për të mos ia lënë pushtetit mundësinë që t’ia marrë jetën. Snezhanës ia mbajti ison me përkushtim të madh aktori Jasenko Pashiq (James, bashkëshorti i Sarës), që i shërbeu ndjeshëm në realizimin e ballafaqimit të tensionuar emocional, sidomos në refuzimin e Gritit të shkathtë, që Alban Ukaj ua impononte me aktrim perfekt, me lirizëm veprimesh të qarta, me lëvizjet dhe gjestet e kultivuara mirë e në funksion të thyerjeve të shumta emocionale të partnerëve që u dha dhe mori joshje, për artikulimin sa më të mirë artistik të lojës teatrore.

Shfaqja e Alban Ukajt “Askund askënd nuk e kam” publikut artdashës të Prishtinës ia ofroi një realizim të bukur teatrore, që do të dëshironim ta kishim edhe në gjuhën shqipe në ndonjërin nga teatrot e Kosovës.Zëri