Beqiri: Ligji për gjuhën më asocion me një kohë që e mendonim të perënduar

Beqiri: Ligji për gjuhën më asocion me një kohë që e mendonim të perënduar

Kultura January 14, 2020 - 10:32

Ka disa ditë që diskutohet nisma për të propozuar një ligj të ri, i cili mbron gjuhën shqipe. Këtë nismë e ka ndërmarrë Akademia e Shkencave në Shqipëri e cila ka deklaruar se do t’ia propozojë qeverisë shqiptare një ligj për ruajtjen dhe për zhvillimin e gjuhës. Kjo temë ka hapur shumë diskutime edhe mes gjuhëtarëve, studiuesve e profesorëve në Kosovë. Për gazetën “Zëri’ gjuhëtarë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” thonë se gjuha jonë duhet të kultivohet dhe të mbrohet përmes mekanizmave të tjerë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Profesori i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Xhavit Beqiri, thotë për gazetën “Zëri” se çështja e pastërtisë së gjuhës sonë dhe e shmangies së përdorimit të fjalëve e të ndërtimeve të huaja sintaksore duhet të shihet më shumë si problem sociolinguistik. Sipas tij, kjo çështje mund të trajtohet qoftë si një temë mjaft interesante sociolinguistike, nëse në qendër të vështrimit vihet gjuha shqipe në raport me shoqërinë shqiptare, qoftë si një temë e sociologjisë së gjuhës, nëse dëshirohet të hetohet qëndrimi i shoqërisë shqiptare ndaj gjuhës shqipe. “Madje, studimi i themeltë i kësaj teme do të ishte me shumë interes për të parë më me saktësi pse shqiptarët po e përbuzin gjuhën e tyre, për t’i parë jo vetëm shkaqet, po edhe pasojat (e pritshme). ‘Gjuha, siç dihet, shkon nga t’i teket, nuk njeh asnjë dekret nga lart, as nga politika, as nga akademitë, ajo mund ta ndalë hapin, por edhe mund të devijojë në gjendje të tjera, të cilat i konsideron optimale’, thoshte semiologu Umberto Eco. Sado që ky mendim i Eco-s për gjuhën disi na ngushëllon, prapëseprapë nuk kemi si të mos e shfaqim një dozë frike se, po nuk ndodhi ndonjë ndryshim rrënjësor në qëndrimin tonë ndaj gjuhës, shqipja, pas disa motesh, mund të ketë një pamje krejt tjetër, një sistem të trashëguar e të normëzuar të shqipes, të mbizotëruar gati tërësisht me leksik/fjalës të huaj”, thotë Beqiri. Ai tutje shton se beson se “shpëtimi i gjuhës” duhet të kërkohet te pasuria e madhe e leksikut/fjalësit shqip, te ai det i madh fjalësh konotimesh nga më të begatshmet, të cilat kanë mbetur jashtë fjalorëve të cunguar të shqipes së sotme normative. “Le të hedhim një sy në thesarin e pashtershëm të epikës gojore shqipe, le ta kthejmë vëmendjen kah vepra e paanë e Fishtës, e Koliqit, e Camajt dhe e të gjithë krijuesve të tjerë që ishin të ndaluar, që të shohim se shqipja i ka të gjitha mundësitë për të qenë sërish porsi i ambli flladi i erës (Fishta), e pastër dhe e dëlirë (Naimi). Me vendime të njëanshme, me dekrete plenumesh e me ligje absurde, gjuha as shpëtohet, as pasurohet! Thesari i brendshëm i vet gjuhës, i ruajtur dhe i mbrujtur në letërsi (në të gjitha format e saj), është pika drejt së cilës duhet të drejtohemi!  Përfundimisht, nxitimi për të nxjerrë një ligj për gjuhën, më asocion me një kohë që e mendonim të perënduar, me një kohë kur ai që e bënte ligjin, e bënte edhe gjuhën”, thekson Beqiri.