Filmi “Love” vjen në Prishtinë dhe në Prizren

Filmi “Love” vjen në Prishtinë dhe në Prizren

Kultura January 12, 2020 - 14:53

Filmi artistik “Love”, me regji nga Dionis Papadhimitri, vjen për publikun premierë në Prishtinë. Një projekt kinematografik, me skenar nga Dionis Papadhimitri dhe nga Irvin Muçaj, "Love" është një prodhim i shtëpisë kinematografike “Papadhimitri Film Production”.

Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe xhirimet e filmit “Love” janë bërë në Tiranë. Filmi më parë është shfaqur në Tiranë dhe tani po vijon dhe për publikun në Kosovë. Në role janë aktorët: Genti Kame, Gent Hazizi, Gentian Zenelaj, Herion Mustafaraj, Luli Bitri, Rozi Kostani, Olta Gixhari dhe Sara Kolami. Filmi po shfaqet për publikun në kinemanë “Cineplexx” në Prishtinë dhe në Prizren. Në qendër të filmit “Love” qëndron Geri, rolin e të cilit e luan aktori Genti Kame.

Geri, një mashkull rreth të 40-tave, i lodhur nga jeta në Itali, kthehet në vendlindjen e tij në Tiranë. I palumtur nga martesa prej 10 vjetësh, ai vendos të jetojë pa bashkëshorten e tij në Tiranën e zhurmshme të klubeve, të diskove, ku takohet me miqtë e tij të mirë, Tomin, Mondin dhe Danielin, role të luajtura nga Gent Hazizi, Gentian Zenelaj dhe Herion Mustafaraj. Por një zë i vazhdueshëm e shoqëron në çdo periudhë të ditës. Është Ela, që në film luhet nga aktorja Luli Bitri, gruaja e tij, që e ka lënë në Itali. Pasioni për seks me dashurinë e tij të parë Fionën, rol i luajtur nga aktorja Rozi Kostani dhe lidhja me një vajzë të re Elizën, një rol i luajtur nga Olta Gixhari, e bëjnë Gerin që të pakësojë numrin e antidepresivëve që ai pi. Por kjo zgjat deri në ditën kur Ela vjen duke i prishur balancat e tij dhe nëpërmjet kontrollit që arrin të vërë mbi të e rrënon këtë marrëdhënie, duke e bërë Gerin të pajtohet me statusin e një martese lineare, ku dashuria është një term i harruar.

Si gjithmonë, fundi është i njëjtë, kthehet sërish tek ajo, zëri që ia prishte qetësinë. Më herët producenti Klajd Papadhimitri ka pohuar se në rolin kryesor është Genti Kame, që sjell me shumë ndjenjë si një personazh i ri në karrierën e tij. “Të ndarë nga vitet, katër shokë fëmijërie takohen sot në një Tiranë, që shkëlqen nga dritat dhe nga luksi ekstrem dhe nën buzëqeshjet e tyre nisim të njohim të vërtetën. Gent Hazizi, Herion Mustafaraj dhe Gentian Zenelaj janë të pazëvendësueshëm për diversitetin që kanë arritur. Në Tiranën tonë sot i gjen të gjitha dhe seksualiteti ende është çështje politikash, ndërkohë që vitet ikin. Në tri role të arritur hyjnë në film plot sensualitet Olta Gixhari, Rozi Kostani dhe debutuesja Sara Kolami, që sjell gjithë pasionin e saj”, tregoi Papadhimtri./ZERI/