Kitaristi që dërgon frymën e Ballkanit në skenën e xhazit në Nju-Jork

Kitaristi që dërgon frymën e Ballkanit në skenën e xhazit në Nju-Jork

Kultura January 12, 2020 - 14:27

Taulant Mehmeti është një 28-vjeçar nga Kosova, që po dërgon frymën e muzikës ballkanike në skenën e xhazit në Nju-Jork gjatë 7 vjetëve të fundit. “Medium.com” përmes një profili që ka shkruar për muzikantin shpalos rrugëtimin e tij personal e muzikor nga Kosova në Nju-Jork.

“Medium”-i shkruan se historia e jetës së tij nga të qenit refugjat e deri te performimet në klubet më të njohura të xhazit në botë është një shembull se si kur bie në dashuri me procesin e të bërit muzikë kufijtë tejkalohen. “Për të kuptuar më mirë bukurinë e procesit muzikor të Taulantit duhet të njihni historinë e jetës së tij. Taulant u lind më 1991-n, në një periudhë kur shqiptarët në Kosovë po përballeshin me padrejtësi sistemike nga qeveria serbe. Nëna e Taulantit duhej të udhëtonte në një spital 60 milje larg vendlindjes për ta lindur, sepse spitali publik nuk u siguronte shërbime shqiptarëve të Kosovës. Vitin kur lindi të dy prindërit e tij, si dhe shumica e shqiptarëve të Kosovës, u pushuan nga të gjitha pozicionet publike thjesht në bazë të etnisë”, shkruhet në këtë artikull. Mediumi amerikan thekson se tensionet në Kosovë u përshkallëzuan në një proces spastrimi etnik, që u shpalos në të gjithë vendin. “Regjimi serb ishte i pamëshirshëm për të gjithë ata që nuk ishin serbë - më shumë se 80% e popullsisë së Kosovës ishte në krizë. Taulanti kujton se si xhaxhallarët e tij u mbajtën si të burgosur politikë. Familja e tij ishte vazhdimisht nën mbikëqyrjen e shërbimit sekret serb, në një pikë që telefonat e tyre ishin përgjuar. Familja e tij luftoi me varfërinë dhe Taulanti ishte gjithmonë i njohur si një fëmijë i dashur. Ai kujton se kur fitonte para për ditëlindjen e tij nuk i shpenzonte ato për lodra, por përpiqej të shihte se si mund ta mbështeste familjen e tij”, theksohet më tutje. “Medium.com” shkruan se kulmi i këtij tensioni filloi në pranverën e 1999-s, kur shpërtheu dhuna. Taulanti dhe familja e tij u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre nga ushtarët serb. Ai ende ndihet i traumatizuar nga kjo përvojë. Taulanti dhe familja e tij më në fund gjetën strehim në Maqedoni gjatë dhunës kulmore të luftës. Ai mbeti refugjat derisa lufta mbaroi falë ndërhyrjes së SHBA-së e të NATO-s, që ndaloi dhunën dhe i dha fund spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.

Frymëzim muzikor nga vëllezërit e tij

Taulanti u rrit me tre vëllezër më të vjetër - Kushtrimin, Jasharin dhe Bashkimin. Dy të parët ishin muzikantë amatorë. Ai kujton se kur ishte 10 vjeç vëllai i tij Kushtrimi e mësoi atë të luante me kitarë kolonën zanore të “Pink Panther”-it. Ai moment ishte fillimi i marrëdhënies së tij të thellë me kitarën. Një natë Jashari ishte nisur të bënte punët dhe para se të largohej për pesë minuta ia mësoi Taulantit se si të luante një akord në kitarë.

Kur Jashari u kthye në shtëpi zbuloi se Taulanti tashmë kishte kompozuar një këngë thjesht duke përdorur akordin, që sapo e kishte mësuar. Ndërsa Taulanti ra në dashuri me kitarën, shëndeti i vëllait të tij të madh Kushtrimit ishte përkeqësuar dhe mjekët zbuluan se ai kishte kancer pankreatik. Mjekët ishin të bindur që kanceri u zhvillua për shkak të ekspozimit traumatik që Kushtrimi kishte gjatë luftës, në moshën 24 vjeçe. Shumë shpejt, pas kësaj, Kushtrimi ndërroi jetë, duke lënë familjen dhe miqtë me zemër të thyer.

Shërimi përmes muzikës

Taulanti u ndikua shumë nga vdekja e vëllait. E vetmja gjë që do ta ndihmonte atë të shërohej ishte të luante kitarën e tij. Ai e përshkruan muzikën si terapinë e tij, kur luan në kitarë për të hapet një botë me bukuri dhe me mundësi.

Vëllai i Taulantit, Bashkimi, jetonte në Londër kur ia bleu Taulantit kitarën e tij të parë. Kjo ishte një ëndërr e realizuar për Taulantin. Sapo iu dhurua kitara Jashari pagoi që ai të merrte mësimin e tij të parë për kitarë nga njëri prej kitaristëve më të njohur të rokut kosovar, Nexhat Macula. Nga kjo pikë e tutje Taulanti filloi të merrte mësime private me këdo që ishte i gatshëm ta ndihmonte të rritet si kitarist. Ai u largua nga sporti dhe filloi të përqendrohet vetëm në muzikë. Disa muaj pas mësimit të tij të parë Taulanti filloi të shkruajë muzikë dhe formoi grupin e tij. Shumë njerëz ishin të impresionuar nga aftësitë e tij muzikore. Taulanti filloi të kuptojë dhe të vlerësojë thellësinë e plotë të xhazit kur takoi Armend Xhaferin, muzikantin e njohur të xhazit në Kosovë. Duke kuptuar se sa e rëndësishme ishte për të të luante dhe të mësonte nga muzikantë të tjerë, Taulanti filloi të luante me muzikantët elitë të xhazit të Kosovës. Ai po performonte në vendet më prestigjioze në Kosovë dhe po fitonte një shumë të mirë parash deri në moshën 18 vjeçe përmes performancës. Taulanti lakmonte më shumë rritje dhe vendosi të kërkojë mundësi arsimore jashtë vendit.

Kthimi në rrënjët autentike

Taulanti aplikoi në Universitetin e Grazit në Austri, ku nuk e pranuan. Ata shpjeguan se Nju-Jorku ishte vendi për një kitarist të kalibrit të tij. Ai u transferua në Nju-Jork, ku përjetoi një tronditje kulturore - dinamikën e qytetit, si dhe larminë e popullatës, duke përfshirë racën, etnitë, gjinitë dhe shumë aspekte të tjera, që ishin tepër të ndryshme nga Kosova. Përfundimisht Taulanti ra në dashuri me Nju-Jorkun, qytetin që nuk fle kurrë.

Taulanti ka interpretuar më shumë se një mijë herë në të gjithë qytetin, duke përfshirë koncerte në ambiente të tilla si: “Blue Note”, “Iridium”, “Smalls Jazz Club”, “B.B.Kings” dhe me artistë si Vic Juris, Ingrid Jensen dhe Cameron Brown. Ai gjithashtu ka luajtur në festivale ndërkombëtare, si “Bern Jazz” Zvicër; “Reykjavik Jazz” Islandë; “Carthage Jazz” në Tunizi; “Jazz Circulo” në Madrid - Spanjë. Politika ka ndërprerë rrugën e disa koncerteve ndërkombëtare për shkak të procesit të komplikuar të vizave për qytetarët e Kosovës (gjysma e vendeve të botës nuk do ta pranojnë as pasaportën e Kosovës). Sa më shumë Taulanti luante me muzikantë të klasit botëror, aq më shumë ai kuptonte rëndësinë e origjinalitetit në performancën dhe në kompozimin e tij. Autentike për Taulantin ishte muzika të cilën ai u rrit duke e dëgjuar, muzika ballkanike me ndikim shqiptar. “Luajtja e melodive në ritmet ballkanike aktivizon një lloj motori, që sjell eksitim, gëzim dhe ndjenjën e shtëpisë. Akordet në 4/4 janë të shkëlqyera, por zemra ime rreh për Ballkanik”, përshkruan Taulanti për stilin e tij. Në shtatë vjetët e fundit Taulanti ka punuar në një album, i cili sjell së bashku ritmet e tij të Ballkanit dhe harmoninë e xhazit. Albumi i tij i fundit mban emrin “Song to my brother”. Taulanti jo vetëm që bën një kombinim shumë unik të zhanreve të Ballkanit dhe të Jazzit, por ai sjell interpretuesit më të mirë të muzikës xhaz në NY, duke përfshirë Ingrid Jensenin, Keefe Martinin, Sergej Avanesovin, Marko Churnchetzin dhe Connor Parksin në album./ZERI