“Planeti i ftohtë” vjen në qytetin e Gjakovës

“Planeti i ftohtë” vjen në qytetin e Gjakovës

Kultura dhjetor 12, 2019 - 11:31

Këtë të enjte, më 12 dhjetor, në teatrin e Gjakovës “Hadi Shehu” do të jepet shfaqja me kukulla “Planeti i ftohtë”. Lajmi është bërë i ditur përmes faqes zyrtare të teatrit.

“Planeti i ftohtë” realizohet në bashkëpunim me “Klau’s Film Association” - Tiranë.

Shfaqja flet për një vajzë me emrin Klea, e cila ka dëshirë të fluturojë lart në qiell për t’i parë yjet nga afër. Ëndrra ia plotëson dëshirën dhe arrin të ngjitet lart në qiell, por ajo çka sheh nuk e gëzon aspak. Ajo gjendet e vetme në mes humbëtirës dhe fillon të dridhet jo vetëm nga frika e vetmisë, por edhe nga i ftohti i madh. Pikërisht në momentin kur i ka humbur shpresat dhe frika i ka hyrë në palcë ajo njihet me dy banorë të planetit Hundwcip: Cipkon dhe Cipkofreskun. Ata janë dy fëmijë të çuditshëm, të cilët me anë të lojës dhe të shakasë arrijnë t’ia largojnë vetminë dhe frikën Kleas dhe t’ia ngrohin sadopak zemrën. Pasi miqësohen, luajnë e argëtohen, ata ia rrëfejnë asaj historinë e tyre sa të trishtë, aq edhe qesharake brenda një realiteti aspak të zakonshëm njerëzor. Fantazia është elementi mbizotërues i kësaj vepre. Të papriturat, situatat dhe rrethanat i bëjnë këto personazhe tepër simpatike dhe të dashura për të gjithë. Aty çdokush mund ta shohë ose ta gjejë veten”, shkruhet në postim.

Shfaqja fillon prej orës 17:00 dhe hyrja kushton një euro.Zëri