Kuratorët: “Tirana Patience” do të hapet kur GKA-ja ta rinisë aktivitetin e rregullt

Kuratorët: “Tirana Patience” do të hapet kur GKA-ja ta rinisë aktivitetin e rregullt

Kultura December 12, 2019 - 10:50
Image


Kuratorët e ekspozitës “Tirana Patience”, Adam Szymczyk dhe Natasa Ilic, përmes një deklarate shprehen se në kushtet tragjike dhe tronditëse nga tërmeti, që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, në solidaritet me familjet e viktimave, u vendos që ekspozita të mbahet në një datë tjetër në Galerinë Kombëtare të Arteve. “Ekspozita do të hapet në momentin që Galeria Kombëtare e Arteve të rinisë aktivitetin e saj të rregullt, si dhe nuk do të ketë ceremoni speciale, që shënon hapjen e ekspozitës. Derisa të hapet vetëm puna e Ibrahim Mahamas ‘Palace of Dreams’ mund të shihet, pasi mbulon të gjithë perimetrin e fasadës së ndërtesës”, shprehen kuratorët. Një simpozium, që do të adresojë ekspozitën dhe rrethanat e saj, është programuar të zhvillohet në pranverën e 2020-s, data do të lajmërohet në një komunikim të dytë. Sipas kuratorëve, “Tirana Patience”, ndryshe nga të tjerat, sjell si lëvizje të saj origjinale tërheqjen e përkohshme dhe jo shfaqjen e punimeve që kanë qenë të ekspozuara, duke ndryshuar konfigurimin gjatë gjithë dekadës së fundit. “Këto janë pjesë e koleksionit të gjerë, që ndodhet në Galerinë Kombëtare të Arteve (në ekzistencë që nga viti 1954), të artit realist socialist të prodhuar në Shqipëri gjatë sundimit të Enver Hoxhës nga viti 1946 deri në vitin 1985 dhe duke vazhduar edhe në fillim të viteve 1990”, pohojnë ata. “Tirana Patience” u mundëson vizitorëve të ekspozitës krijimin e një lidhjeje më të ngushtë me disa vepra, që janë trajtuar veçanërisht nga një numër pjesëmarrësish shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ky është hapi i dytë i projektit. Artistë, kuratorë dhe studiues i prezantojnë vetë punimet e tyre artistike ose shkëmbejnë njohuri dhe perceptime, duke adresuar vepra të veçanta arti brenda koleksionit të përhershëm dhe duke ua paraqitur ato vizitorëve në mënyrë diskursive dhe performative. Kuratorët shpresojnë që kjo ekspozitë të jetë lëvizja drejt një debati produktiv dhe të hapur, që të mundë të përfshijë sa më shumë pjesëmarrës për një periudhë më të gjatë kohe. “Ne si kuratorë besojmë në rëndësinë e kohës dhe në hedhjen e një hapi pas, në mënyrë që të jemi në gjendje t'i shohim gjërat rishtazi si një parakusht për ndryshim”, shprehen Natasa Ilic dhe Adam Szymczyk. “Tirana Patience” përfshin punë të koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve nga artistë si Abdulla Cangonji, Abdurrahim Buza, Alush Shima, Andon Lakuriqi, Arben Basha etj. Ekspozita prezanton komisionime të reja, vepra dhe ndërhyrje performative nga Anri Sala, Anna Daucikova, Artur Zmijewski etj. Arkitektura e ekspozitës është konceptuar nga Joanna Meyer-Grohbrugge.Zëri