Infektuar: 15472
Shëruar: 13278
Vdekur: 622
Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina shpallin person “Non-grata” Peter Handken

Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina shpallin person “Non-grata” Peter Handken

Kultura December 12, 2019 - 10:29
Image

Kosova ka shpallur person “Non-grata” nobelistin e ri të letërsisë, shkrimtarin austriak Peter Handke, që njihet për qëndrimet e tij proserbe. Vendimi u mor të mërkurën, një ditë pasi Akademia suedeze e “Nobel”-it nderoi Handken edhe zyrtarisht, duke ia dhënë çmimin në një ceremoni solemne të mbajtur në Sallën e Koncerteve në Stokholm, të martën. Lajmin për këtë vendim e ka dhënë ministri në largim i Punëve të Jashtme në Kosovë, Begjet Pacolli. “Sot kam vendosur të shpall Peter Handken si jo të mirëpritur në Kosovë. Ai është një person ‘Non-grata’ nga sot. Mohimi i krimeve dhe mbështetja e kriminelëve është krim i tmerrshëm”, ka njoftuar Pacolli. Fituesi i sivjetmë i çmimit “Nobel për Letërsi”, Peter Handke, është shpallur person “Non-grata” edhe në Kantonin e Sarajevës. Ky vendim, i iniciuar nga deputetët e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), u miratua unanimisht në seancën e së mërkurës nga Asambleja e Kantonit të Sarajevës. Deklarata dënon dhënien e çmimit “Nobel” për mohuesin e gjenocidit të Srebrenicës, ku serbët vranë e masakruan tetë mijë burra myslimanë. Në deklaratë thuhet se faza përfundimtare e gjenocidit është pikërisht mohimi i gjenocidit dhe se fituesi i çmimit “Nobel në Letërsi” gjatë agresionit të tij në Bosnjë e Hercegovinë mbështeti publikisht regjimin serbomadh, me në krye kriminelin e luftës, Slobodan Millosheviq. “Handke nuk ndryshon pikëpamjet e tij sot, por shkon një hap më tej, duke njoftuar ardhjen e tij në Bosnjë e Hercegovinë dhe vizitën e tij te nënat nga Kravica në afërsi të Srebrenicës”, vazhdon deklarata. Anëtarët e Asamblesë së Kantonit të Sarajevës e përshkruan dhënien e çmimit “Nobel” për Handken si një ofendim të ri për viktimat, me vlerësimin se vizita e tij në BeH dhe në Sarajevë do të shkaktonte poshtërim shtesë për viktimat e agresionit serbomadh,shkruan sot gazeta "Zëri".

 

Një “Nobel” i përcjellë me bojkot e me protesta


Ceremonia e dhënies së çmimit “Nobel”, që u zhvillua këtë të martë, në Stokholm, u prit me protesta e me bojkote. Në një shesh të Stokholmit më shumë se 100 protestues demonstruan kundër çmimit që iu dhurua Peter Handkes, i cili njihet për qëndrime proserbe që prej luftërave të fillimviteve të ’90-a në ish-Jugosllavi. Ndër të tjerë, në protestën e mbajtur në këtë shesh foli edhe poeti nga Gjakova Shqiptar Oseku, që jeton e punon në Suedi. Oseku falënderoi organizatorët e protestës, që sipas tij mundësuan t’i dalin zot së vërtetës. “Unë quhem Shqiptar Oseku, jam poet dhe vij nga Rrjeti Suedezo-Shqiptar. Nuk kam ardhur vetëm, jam me ambasadoren e Kosovës, me ambasadorin e Shqipërisë e me ambasadorët e Bosnjë e Hercegovinës, të Kroacisë e të Turqisë, që refuzuan të hanë bukë e turp sonte. Ata zgjodhën sonte më mirë të rrinë me ne, ndaj ne u themi faleminderit”, tha Oseku para të pranishmëve. Shkrimtari vijoi duke përmendur përjetimet e shqiptarëve të Kosovës dhe të boshnjakëve, por duke qenë banor dhe tashmë edhe shtetas suedez, Oseku kërkoi falje, siç tha ai, për prekjen e plagëve që Akademia suedeze bëri duke ia dhënë këtë çmim Handkes. “Unë vij nga Gjakova, një qytet në kufi me Shqipërinë, që pësoi Bosnjën e vet më 1999-n. Rrugët e qytetit tim ishin si ato të Bosnjës. Burra e gra të vrarë, dhunime, fëmijë e pleq të masakruar. Por sonte këtu nuk dua të jem veç shqiptar. Sonte dua të jem edhe boshnjak. Dua të jem nga Sarajeva. Dua të jem nga Srebrenica. Nga Tuzlla. Nga Foca. Nga Jajce. Nga Bijelina. Nga Gorazhde. Sonte dua të jem nga çdo pëllëmbë e asaj Bosnjë e Hercegovine që e mbyten në gjak kriminelët, të cilët i justifikon Peter Handke. Sonte jam edhe suedez, pse jam qytetar suedez tash sa dekada. Jam këtu me vajzën time, që ka lindur në Suedi. Si suedez dua të them atë që duhej ta thoshte Akademia suedeze sonte, sikur të mos ishte e mbytur në relativizëm moral. Dua të them se më vjen turp, sa turp. Dua të ju them të gjithëve na falni: na falni që jua prekëm plagët”, u shpreh Oseku gjatë protestës. Në këtë protestë u panë pankarta të ndryshme. Në njërën prej tyre shkruhej: “Zotëri Handke, kërko falje sot për viktimat e Srebrenicës”.

Adnan Mahmutoviç, një profesor universiteti në Stokholm, i cili organizoi protestën, tha se nderimi i Handkes me këtë çmim dëmton dinjitetin e viktimave të luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Po ashtu Christina Doctare, një doktoreshë suedeze, që mori çmimin “Nobel për Paqe” në vitin 1988, si anëtare e Forcës Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, e ktheu mbrapsht çmimin e saj në shenjë proteste të martën, për shkak se Akademia nderoi me këtë çmim Handken. “Kam qenë krenare për Akademinë më parë. Çmimi ‘Nobel’ ishte diçka shumë e rëndësishme për Suedinë çdo vit. Tani ndihem e turpëruar dhe fajtore”, tha Doctare në tubim.

Edhe Munira Subasiç, presidente e shoqatës “Nënat e Srebrenicës dhe të Enklavës së Zepës”, deklaroi se Akademisë suedeze, e cila zgjedh fituesit e “Nobel”-it, duhet t’i vijë turp për veprimet e saj. “Me këtë protestë ne po dërgojmë, po kërkojmë ndalimin e përhapjes së gënjeshtrave”, tha Subasiç.

Në anën tjetër presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka uruar austriakun Handke për këtë çmim. Ai deklaroi se Handke është një mik i vërtetë i Serbisë dhe se Serbia e konsideron sikur e ka fituar një qytetar i saj këtë çmim të rëndësishëm. "Ju lutemi, pranoni urimet e mia më të sinqerta. Si një laureat i çmimit ‘Nobel’, ju jeni të mbishkruar në mesin e pavdekurve. Ky çmim është një çmim për veprën tuaj të shquar letrare, për njohuritë dhe për krijimtarinë tuaj, por edhe për cilësitë tuaja të pakrahasueshme morale, për guximin dhe për dinjitetin të luftosh për idealet e tua të një intelektuali të shquar”, u shpreh presidenti serb. Vuçiqi gjithashtu e ftoi Handken të vizitojë Serbinë, duke thënë se Serbia e konsideron mik të vërtetë. “Më lejoni t’ju them se çmimin ‘Nobel’ për ju ne e përjetojmë si të fituar nga njëri prej nesh. Tani, përveç Ivo Andriqit, kemi edhe një tjetër laureat të ‘Nobel’-it”, shtoi Vuçiqi.

Handkes, 77-vjeçar, iu dha çmimi pavarësisht mbështetjes së tij të hapur për liderin serb Slobodan Millosheviq, i cili vdiq në 2006-n në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, ky po gjykohej për krime lufte dhe për gjenocid.Zëri