“Marriage Story” kryeson me nominime në “Globin e Artë”

“Marriage Story” kryeson me nominime në “Globin e Artë”

Kultura December 11, 2019 - 10:33

Saga zemërthyere e “Netflix”-it, “Marriage Story” kryeson në nominimet për “Globin e Artë 2020”. Ky film ka marrë gjashtë të tilla, duke përfshirë dramën më të mirë, në atë që konsiderohet si pararendësja e oskarëve. “The Irishman”, një tjetër film i “Netflix”-it dhe “Once Upon a time in Hollywood” i Quentin Tarantinos kanë secili nga pesë nominime. “The Crown”, “Chernobyl” dhe trilleri amerikan “Unbelievable” kryesojnë për sa u takon serive televizive me nga katër nominime secili. Në garën për filmin më të mirë, përveç “Marriage Story” dhe “The Irishman” të Martin Scorceses janë edhe “Jocker” dhe “The Two Popes”. Filmi i Tarantinos ndërkohë është në garë për muzikën ose për komedinë më të mirë, bashkë me satirikun “Jojo Rabbit”, trillerin “Knives Out” dhe “Rocketman”, biografinë e Elton Johnit. Ndërsa në garë për titullin e regjisorit më të mirë janë Scorsese, Mendes, Tarantino dhe Todd Phillips. Yjet britanike dominojnë në nominimet e këtij viti me Taron Egerton të Rocketman dhe Phoebe Waller Bridge, si pretenduesit për çmime. Për sa i takon titullit si aktori më i mirë në një film dramë, në garë janë Christian Bale për rolin në Ford kundër Ferrarit, Antonio Banderas, Joaquin Phoenix etj. Ndërsa Daniel Craig është nominuar në kategorinë e aktorit më të mirë në një film komedi, bashkë me Leonardo DiCaprion dhe Eddie Murphyn. Përveç këtyre kategorive “Globi i Artë” i vitit 2020 do të nderojë Tom Hanksin me çmimin “Cecil B.deMille” dhe Ellen DeGeneres me çmimin e krijuar rishtas “Carol Burnett Award”. The Hollywood Foreign Press Association (HFPA) ka përzgjedhur Dylan dhe Paris Brosnan si ambasadorët e “Globit të Artë” për sezonin e çmimeve të “Globit të Artë 2020”. Dylan dhe Paris janë djemtë e kandidatit të dyfishtë për çmimin “Globi i Artë”, Pierce Brosnan dhe producentes e ambientalistes Keely Shaye Brosnan. Përveçqë të rreshtohen me një organizatë jofitimprurëse dhe të punojnë për të rritur ndërgjegjësimin për një kauzë që kanë zgjedhur, Dylan dhe Paris do të ndihmojnë në shpërndarjen e statujave gjatë 77-vjetorit të çmimeve të “Globit të Artë”. Ambasadorja e “Globit të Artë 2019”, e cila është në largim, Isan Elba, vajza e fituesit të “Globit të Artë” Idris Elba, prezantoi Dylan dhe Paris si Ambasadorët e “Globit të Artë” të vitit 2020 në Catch LA në West Hollywood, California. Kjo është hera e parë që pozicioni do të mbahet nga dy vëllezër."Për herë të parë në historinë e ‘Globit të Artë’, ne kemi përzgjedhur me krenari dy vëllezër për të përfaqësuar The Hollywood Foreign Press Association këtë sezon çmimesh", tha presidenti i HFPA Lorenzo Soria. Edicioni i ndarjes së çmimeve “Globi i Artë” do të mbahet më 5 janar të vitit që po vjen.Zëri