Gjashtë shtete bojkotojnë ceremoninë e Nobelit

Gjashtë shtete bojkotojnë ceremoninë e Nobelit

Kultura December 10, 2019 - 19:58
Detajet

Të martën mbrëma në Stokholm, do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimit Nobel për Letërsi.

Në vitin 1999, në mënyrë barabare, u vranë mbi 10 mijë kosovarë.
Forcat Serbe, pas çdo beteje të humbur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mllefin e tyre e shfrynin në qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës.

E urdhërdhënësi i gjithë këtyre krimeve, ishte pikërisht presidenti i Republikës Federale të Jogusllavisë, Slobodan Milosevic.

Por, përveç tij, kishte edhe të tjerë që i përkrahnin krimet ndaj civilëve të pambrojtur.

Një ndër ta, ishte edhe shkrimtari austriak, Peter Handke.

Bile, Handke, përkrahjen për  Millosheviqin, e bëri edhe duke e shkruar një libër me titull “Drejtësi për Serbinë” dhe mbajti një fjalim para 20 mijë të pranishmëve me rastin e vdekjes së kasapit të Ballkanit.

E pikërisht Handkes, të martën në Stokholm do t’i ndahet çmimi Nobel për letërsi.

Por, ceremoninë e ndarjes së çmimit, nga afër në Sallën e Koncerteve të kryeqytetit suedez, nuk do ta ndjek ambasadorja e Kosovës në këtë shtet Shkëndije – Geci – Sherifi.
Kjo u bë e ditur nga Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Kosova nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit në Stokholm këtë vit. Unë konfirmoj se ambasadorja ynë Znj. Shkendije-Geci-Sherifi do të bojkotojë këtë event, shkaku i fituesit kontravers të Çmimit Nobel, Peter Handke, mik dhe mbështetës i politikës së Millosheviqit. Unë gjithashtu pres që edhe Ambasadori i Shqipërisë të veprojë në mënyrë të ngjashme”, ka thënë Pacolli, ministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
  E në shenjë proteste, nga afër nuk do ta ndjekin edhe shumë vende të tjera.

Të pranishëm në Sallën e Koncerteve të Stokholmit, nuk do të jenë as përfaqësuesit e Shqipërisë,  Bosnje – Hercegovinës, të Kroacisë, Turqisë dhe të Afganistanit.

Ndërkohë, në shenjë proteste edhe dy anëtarë të komitetit të Nobelit, kanë dhënë dorëheqje, ndërsa disa të tjerë, përfshirë edhe ish sekretarin, Peter Englud, refuzuan të marrin pjesë në ceremoninë e këtij viti.

Ndërkohë, në fjalimin e tij të premten, Peter Handke nga gazetarët u pyet se pse e mohoi masakrën e Sebrenicës.

Por, pyetjeve Handke u përgjigj duke thënë që tani nuk është momenti të përgjigjet në këtë pyetje.
“Kjo është një histori e gjatë. Ta tregoj këtë storie këtu, mendoj që nuk është momenti i duhur”, ka thënë Handke.

Ndryshe, në muajin tetor kur u bë i ditur se Peter Handke ishte fitues i çmimit Nobel për Letërsi, pati reagime të shumta.

Madje, mbi 60 mijë njerëz e kanë firmosur një peticion, përmes të cilit i bëhet thirrje komitetit të Nobelit, ta revokojë çmimin i cili iu nda një përkrahësi të madh të Slobodan Milloshevicit.

Peter Handkes do t’i dorëzohet një çek në vlerë mbi 800 mijë euro.