Kosova dhe Shqipëria bojkotojnë sot ceremoninë e 'Nobel'-it

Kosova dhe Shqipëria bojkotojnë sot ceremoninë e 'Nobel'-it

Kultura December 10, 2019 - 10:30

Kosova dhe Shqipëria do të bojkotojnë ceremoninë e sotme të “Nobel”-it, ku do t’i ndahet çmimi “Nobel për Letërsi” për vitin 2019 Handkes, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se i dërguari i vendit tonë në Suedi nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Stokholm të martën, në shenjë proteste për mbështetjen e Handkes ndaj serbëve në luftërat e viteve të ’90-ta në ish-Jugosllavi.

Në anën tjetër, ambasadorja e Kosovës në Suedi Shkëndije Geci-Sherifi, duke përmendur faktin se dje ishte Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit dhe e Dinjitetit të Viktimave të Krimit, të Gjenocidit dhe e Parandalimit të këtij Krimi, ka kritikuar faktin se pikërisht sot do t’i ndahet çmimi “Nobel” shkrimtarit austriak Peter Handke, i cili njihet si mbështetës i liderit të ndjerë të ish-Jugosllavisë Sllobodan Millosheviqit, i cili ishte gjykuar në Tribunalin e Hagës pikërisht nën akuzën për gjenocid, veç të tjerash. “Përballë vendimit për të shpërblyer një mohues të gjenocidit me një çmim ‘Nobel’, jam e bindur që kjo lejon një përhapje të revizionizmit midis qarqeve artistike, stigmatizimin e mëtejshëm të viktimave dhe mbi të gjitha krijimin e një kulture, ku artistët nuk pritet të mbështesin vlerat morale ose njerëzore”, ka thënë ambasadorja Geci-Sherifi. Ajo ka postuar edhe një deklaratë të Antonio Guterresit, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, ku ai kërkon mbrojtje për viktimat e gjenocidit. “Kudo që shohim njerëz të cilët përballen me diskriminim sistematik ose bëhen caqe të dhunës thjesht për shkak se kush janë ata, për shkak të identitetit të tyre, ne duhet të veprojmë – si për të mbrojtur ata që janë në rrezik të menjëhershëm, ashtu edhe ata që mund të jenë në rrezik në të ardhmen. Duke promovuar një kulturë të paqes dhe të mosdhunës, që përfshin respektimin e diversitetit dhe mosdiskriminimit, ne mund të ndërtojmë shoqëri që janë rezistente ndaj rrezikut të gjenocidit”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Përzgjedhja e Akademisë Suedeze për çmimin e këtij viti, që u shpall në tetor, ngjalli reagime në Kosovë, por edhe në Ballkan përgjithësisht, për shkak të admirimit të Handkes ndaj liderit serb të ndjerë, Sllobodan Millosheviq. Dy anëtarë të Komitetit të “Nobel”-it dhanë dorëheqje për shkak të kësaj përzgjedhjeje gjatë kësaj jave dhe një anëtar i Akademisë Suedeze, historiani dhe shkrimtari Peter Englund, tha se do ta bojkotojë ceremoninë. Zëri