“Shota” me koncert humanitar në TKK për familjen Abazi

“Shota” me koncert humanitar në TKK për familjen Abazi

Kultura December 05, 2019 - 10:34

Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota” të shtunën do të mbajë një koncert humanitar në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ky koncert është më i veçantë dhe të ardhurat nga kjo ngjarje do të dedikohen për familjen Abazi, e cila humbi në tërmetin e fundit në Shqipëri dy djemtë e saj. Vëllezërit Shemsedin e Isa Abazi kanë vdekur ditë më parë në tërmetin që goditi Shqipërinë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook” Shefqet Gjocaj, nga ky ansambël, ka bërë të ditur se çmimi i biletës për këtë koncert është 5 euro. “Meqenëse për shkak të pasojave tragjike të tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri kishim anuluar koncertin premierë të Ansamblit, i planifikuar të mbahej më datën 27 nëntor, kemi vendosur të njëjtin ta mbajmë më datën 7 dhjetor (ditë e shtunë) dhe do të ketë karakter humanitar. Respektivisht, të gjitha mjetet që do të grumbullohen nga shitja e biletave do t’i dedikohen familjes Abazi nga Livoçi i Ulët i Gjilanit, e cila humbi dy anëtarë të familjes në këtë fatkeqësi. Ftojmë të gjithë dashamirët e Ansamblit dhe njerëzit e vullnetit të mirë të vijnë në koncert dhe të japin kontributin e tyre në këtë akt humanitar”, ka shkruar Gjocaj në “Facebook”. Ai ka shtuar se biletat shiten në sportelin e TKK-së nga dita e premte (06.12.2019). Çmimi i biletës është 5 euro.

Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota” vazhdon të afirmojë vlerat e vërteta kulturore kombëtare, të tilla si origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet ekzotike, me të cilat “Shota” është paraqitur në mbi 50 vende të botës, në të gjitha kontinentet. Sipas dëshmive, gjatë kësaj periudhe më shumë se 60-vjeçare ansambli "Shota" ka shfaqur mbi 7500 koncerte në Kosovë, në ish-Jugosllavi, në Evropë, në Amerikë, në Afrikë, në Azi dhe në Australi. Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve "Shota" u themelua më 30 shtator 1950 si ansambël profesional me vendim të Kuvendit të ish-Krahinës Autonome të Kosovës dhe të Metohisë, sikur edhe tri ansamblet tjera, në ish-Jugosllavi: "Llado" - Zagreb, "Kollo" Beograd dhe "Tanec" – Shkup. Zëri