Shkrimtari Tufa kërkon azil politik në Zvicër

Shkrimtari Tufa kërkon azil politik në Zvicër

Kultura December 04, 2019 - 11:09
Image

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe të Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK), Agron Tufa ka kërkuar azil politik në Zvicër. Sipas medieve në Shqipëri, një vendim i tillë ka ardhur pas kërcënimeve të shumta për jetën që Tufa ka marrë për shkak të detyrës. Duke iu referuar të njëjtave burime, mësohet se ai aktualisht ndodhet në Zvicër së bashku me familjen e tij dhe që nga aty ka paraqitur dorëheqjen nëpërmjet një letre dërguar kryetarit të Bordit Drejtues të ISKPK-së, Uran Butka.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i Agron Tufës, Kujtim Cakrani. “Kërcënimet dhe zvarritja pa fund e gjyqit, mosfillimi i procesit ndaj Cajës, kërcënimet në rrugë dhe format e fshehta të shantazhit e kanë shtyrë drejtorin e Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit, z. Agron Tufa, të kërkojë strehim politik për ta mbrojtur familjen dhe jetën e tij. Në një vend ku krimi komunist i djeshëm është më i egër se kurrë, kërkimi dhe vendosja e drejtësisë është e pamundur”, ka shkruar avokati Cakrani.

Reagime për ketë kërkesë azili të shkrimtarit Tufa pati edhe në Kosovë. Kolegu i tij Ag Apolloni ka deklaruar se ky lajm e dëshpëron, për faktin se Agron Tufa është shkrimtar dhe intelektual i dorës së parë. “Agron Tufa u persekutua, sepse duke i zbardhur krimet e komunizmit tregonte se sa e nxirë është sot fytyra e Shqipërisë, që s’ka kaluar ende nëpër procesin e lustracionit”, ka theksuar Apolloni në shkrimin e tij në rrjetin social “Facebook”.

Agron Tufa (1967) është poet, prozator, përkthyes dhe studiues, fitues i disa çmimeve letrare, mes të cilëve “Pena e Argjendtë” për romanin më të mirë “Tabula Rasa”, 2005, “Çmimi i Madh Letrar Kombëtar” për gjithë veprën letrare (2009), etj. Është përkthyes i disa prej autorëve më të rëndësishëm rusë të shekullit XX, si: Ana Ahmatova, Marina Cvetajeva, Osip Mandelshtam, Josif Brodskij, Evgenij Zamjatin, Boris Pasternak, Danjill Harms, Olga Sjedakova, etj. Vepra e tij në prozë e poezi është përkthyer në disa gjuhë të huaja.Zëri