Përkujtohet në 1-vjetorin e vdekjes pedagogia dhe muzikantja Iliriana Vorfaj

Përkujtohet në 1-vjetorin e vdekjes pedagogia dhe muzikantja Iliriana Vorfaj

Kultura December 03, 2019 - 10:35
Image

Për ta nderuar jetën dhe veprën e muzikantes tashmë të ndjerë, Iliriana Vorfaj, të dielën, më 8 dhjetor, familjarët, miqtë, dashamirët e ish-studentet e saj do të mblidhen në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë. E për ta vazhduar misionin e saj, siç merret vesh, në këtë takim përkujtimor do të bëhen të ditura edhe disa detaje për një fondacion, që do të themelohet për nder të muzikantes. “Me rastin e 1-vjetorit qëkur violinistja pedagogia, aktivistja për të drejtat e njeriut dhe mikja jonë Iliriana Vorfaj u nda nga jeta, ju ftojmë që së bashku me kolegët, nxënësit dhe familjen ta përkujtojmë në një takim me bisedë dhe me muzikë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve. Aty më tutje bëhet e ditur se në këtë takim do të prezantohet edhe iniciativa bamirëse e fëmijëve të Ilirjanës, Yllkës dhe Liburnit, që kanë ndërmarrë në kujtim të dy prindërve të ndjerë.  “Fondacioni ‘IL-IR’ do të fokusohet në bursa për studentët në nevojë dhe në iniciativa bamirëse të tjera për qytetarët në nevojë”, theksohet më tutje në këtë njoftim. Ky fondacion tashmë ka edhe faqen e vet zyrtare në internet, në të cilën shkruhet se fonacioni synon të zgjerohet në të gjithë qytetin e Kosovës. “Duke u bazuar në veprimtarinë dhe në punën e nënës sonë Iliriana Vorfajt dhe duke e vlerësuar punën e saj shumëvjeçare në zhvillimin e arsimit, edukimit, mirëqenies dhe të drejtave njerëzore në Kosovë, si dhe në bazë të vullnetit, dëshirës së kamotshme dhe amaneteve të saj dhe të babait tonë Irfan Jupollit, që me altruizmin e tyre ndihmuan në zhvillimin e qytetit të Prishtinës dhe mbarë popullatës Kosovare pa dallim gjinie, feje, race, ne pasardhësit e tyre vendosëm të formojmë një fondacion, i cili do të ketë karakter joqeveritar, jofitimprurës, pa preferenca politike, fetare, gjinore, racore ose etnike”, shkruhet në këtë faqe, ku më tutje theksohet se ky fondacion do të shërbejë në zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe të kulturës, fillimisht në qytetin dhe në regjionin e Prishtinës, me synim që të zgjerohet edhe në tërë territorin e Kosovës.Zëri