Libri i javës - “Heterodoksia” nga Ernesto Sabato

Libri i javës - “Heterodoksia” nga Ernesto Sabato

Kultura December 02, 2019 - 10:32

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Heterodoksia”, nga Ernesto Sabato. Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema”. “Heterodoksia” mund të lexohet si autobiografia shpirtërore e Ernesto Sabatos. Ky libër është botuar për herë të parë në vitin 1953, por ende sot komunikon me lexuesin për shkak të vlefshmërisë së jashtëzakonshme që ka. Ai preokupim për qenien që e sheh universin e zhveshur nga kuptimi në duart e teknokracisë rrjedh nga një fuqi apokaliptike, paralajmërimin ndriçues të së cilës kemi ende kohë ta dëgjojmë. Njeri pasionant i letrave e njeri i zhgënjyer nga shkencat, intelektual që ngrihet kundër padrejtësive, gardian i etikes dhe model i mendimtarit njerëzor, koherenca e Sabatos dhe e ideve të tij përçojnë një nevojë të fuqishme të ndryshimit shpirtëror dhe një betejë kundër indiferencës që ka marrë hov.

Ernesto Sabato (u lind më 24 qershor 1911 dhe u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare, më 30 prill 2011) është shkencëtar, shkrimtar dhe estet i njohur argjentinas, që pati ndikim të jashtëzakonshëm në letërsinë hispanike dhe botërore përgjatë shekullit të XX. Edhe lexuesi shqiptar e njeh fillimisht përmes romanit “Tuneli” dhe më pas përmes dy veprave të tjera letrare: “Mbi heronjtë dhe varret” dhe “Shkrimtari dhe fantazmat e tij”.

Në vitin 1948 publikohet romani i parë i tij “Tuneli”, i ardhur edhe në shqip, në vitin 1961 botohet romani “Mbi heronjtë dhe varret”, i cili është konsideruar si një nga dhjetë romanet më të mira të shekullit të XX. Në vitin 1977 ai boton romanin “Engjëlli i Errësirës (Abaddon el exteminador). Pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij i është kushtuar eseistikes. Njëri nga librat e tij eseistikë të përkthyer në shqip është “Shkrimtari dhe fantazmat e tij”. Më të njohurit janë “One and Universe”, “Man and Mechanism”, “Heterodoxy”, “Tango: Discussion and Key”, “Culture in the National Crossroads”, “Dialogues with Jorge Luis Borges”, “Begfore the End”, “Resistance”, “Spain in the Diaries of my Old Age” etj.

Librin “Heterodoksia” mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë.