Brenda shtëpisë ku banojnë vlerat tona etnografike

Brenda shtëpisë ku banojnë vlerat tona etnografike

Kultura November 28, 2019 - 12:15
Image

Në qendër të qytetit të Gjakovës lartohet ndërtesa e Muzeut Etnografik, e cila është ndërtuar në vitin 1810 nga familja Sina. Kati i përdheses i shtëpisë dykatëshe është përdorur si depo, ndërsa pjesa e lartë për banim. Në vitin 1918 kjo shtëpi është shitur nga pronarët dhe ka kaluar si pronë e familjes Haxhismajli, gjersa Kuvendi Komunal i Gjakovës me anë të një kontrate me pronarët e ka shndërruar atë në Muze Etnografik, duke u mbështetur në vlerat arkitektonike të objektit. Për gazetën “Zëri” drejtori i këtij Muzeu, Besmir Hasi, ka treguar karakteristikat e këtij institucioni të veçantë kulturor.

Muzeut Etnografik të Gjakovës ia mësyjnë çdo ditë shumë vizitorë


Muzeu Etnografik i Gjakovës është emëruar si i tillë në vitin 1981. Me të hyrë në të vizitorët vërejnë se pjesa e banimit ka katër dhoma dhe dy ballkone. Materiali i përdorur është tulla, guri dhe druri. Për vlera të larta dekorative dallohen sidomos dhoma e madhe, e cila gjendet në krahun e majtë të ndërtesës dhe qymlekët me furrat e tyre, të cilat gjenden të vendosura në të katër dhomat. Shtëpia me kohë ka pësuar ndryshime.

Gjatë bisedës që zhvilluam me drejtorin e Muzeut Etnografik Besmir Hasin, duke lëvizur në këto dhoma zbuluam historinë dhe të bukurat e këtij muzeu, si dhe folëm edhe për aktivitetet e këtij institucioni. Siç tregon i pari i këtij muzeu, në këtë muze zhvillojnë aktivitete të ndryshme për çdo festë të shënuar në kalendarin kulturor siç janë: Dita Ndërkombëtare e Muzeve, Dita e Monumenteve, “Java e Trashëgimisë Evropiane”, duke realizuar gjithmonë  bashkëpunime me muzetë tjera lokale dhe kombëtare.  

Muzeut Etnografik të Gjakovës çdoherë e më shumë po i shtohet numri i vizitorëve. Ai vizitohet shumë si nga qytetarët lokalë, po ashtu dhe nga vizitorë nga e gjithë bota. Vitin e kaluar është vizituar shumë edhe nga shkollat fillore të Gjakovës, ndërsa këtë vit më shumë ka pasur vizita nga ambasadorë të vendeve të ndryshme. “Ajo që u bën më së shumti përshtypje gjatë vizitës në këtë muze është mundësia e prekjes së eksponateve, të cilat janë të ekspozuara dhe nuk rrethohen me xhama, si dhe pastërtia që ka muzeu” , shtoi Hasi.

Drejtori i këtij institucioni na tregoi se këtë vit muzeu ka marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Zejeve, në Bullgari. “Është njëra prej panaireve më të mëdha për zeje në gjithë Evropën. Ne bashkë me zejtarët e Gjakovës kemi përfaqësuar Kosovën me zejet e saraçit dhe me zejet e djeppunuesve. Punimet artizanale të zejtarëve tanë u dalluan dhe u vlerësuan tej mase në panair. Ato janë zgjedhur si punimet më të vlefshme, me ç’rast muzeu bleu djepin që është punuar nga zejtarët dhe një qafë të kalit e punuar prej saraçit”, tregoi Hasi.
Ndër të tjera drejtori i këtij institucioni foli edhe për disa vështirësi që kanë si institucion, bashkë me muzetë e tjerë të Kosovës. “Këtë 18 Maj - në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, jemi mbledhur në Gjakovë me përfaqësuesit e të gjitha muzeve lokale për të diskutuar për sfidat që po ballafaqohemi si institucione. Kemi probleme qoftë me statuse, qoftë me rregullime të ligjit, sepse në Kosovë ende nuk ka ligj për muzeume. Kemi kërkuar takim edhe me ministrin, mirëpo nuk u mundësua meqë ishte kohë zgjedhjesh. Do të vazhdojmë kërkesën tonë me të cilën duam të kemi përfaqësues dhe planprogram të përbashkët me muzetë tjera. Aktualisht secili muze funksionon me programe kulturore të ndara”, u shpreh Hasi.

Sfidë tjetër për Muzeun e Gjakovës paraqet edhe mungesa e stafit punues, për të cilën drejtori ka bërë përpjekje për ndryshim, por pa rezultate. Ata duhet të presin derisa të shtohet kodi i punëtorëve, proces i cili i takon administratës publike.

Në vitin 2006 në Bosnjë e Hercegovinë është themeluar organizata “Rrjeti i Muzeve të Ballkanit”,  e cila ka për qëllim forcimin e kontakteve dhe të bashkëpunimeve midis muzeve të Ballkanit, duke mbajtur konferenca vjetore dhe duke dhuruar fonde për muzetë. Muzeu i Gjakovës ka qenë njëri ndër anëtarët e parë të saj, po ashtu dhe përfitues i një fondi prej 5.000 eurosh, me ç’rast kanë realizuar një ekspozitë për të verbëritë.

 

Në Gjakovë ruhet eksponati iliro-romak i vitit 50 pas lindjes së Krishtit

Gjatë periudhës së luftës në vitin 1999 Muzeu Etnologjik fatmirësisht ka qenë i mbyllur dhe eksponatet nuk janë dëmtuar. Pas luftës në mungesë hapësire objekti ka marrë destinim tjetër, ku është përdorur nga organizatat e ndryshme të huaja për projekte, duke qenë kështu një ndërrim destinimi i përkohshëm. Qytetarët e Gjakovës çdo muaj i dhurojnë eksponate muzeut, duke ndihmuar në pasurimin e tij. Eksponatet janë me mijëra vjet të vjetra, të cilat shumica prej tyre janë të mirëmbajtura dhe të restauruara. Në katin e poshtëm gjendet dhe eksponati më i vjetër iliro-romak, i cili ndodhet në sektorin arkeologjik dhe është 2000 vjet i vjetër. Ai daton që nga viti 50 pas lindjes së Krishtit, i cili është gjetur brenda në tokë dhe kanë mbajtur ushqime në të. Hapësira e katit të poshtëm përdoret dhe për takime, në të cilën mbajnë tryeza të ndryshme diskutimi dhe shumë herë muzeu shndërrohet edhe në kinema, duke shfaqur filma e dokumentarë të ndryshëm. Muzeu bashkë me “Cultural Heritage Without Borders” (CHwB) të Shqipërisë kanë mbajtur një kamp restaurimi dyjavor në qershor. Ata kanë sjellë restaurues profesionalë nga Suedia, të cilët kanë mbajtur ligjërata dhe praktikë për restaurim veshjesh, metalesh dhe druri.  “Ai kamp i ka dhënë muzeut një ndikim shumë të mirë, të cilin ne po e praktikojmë. Puna jonë për restaurim është më e lehtë dhe shpresojmë se do ta kemi kampin edhe për dy vjetët e ardhshëm”, tregoi Hasi.

Veshjet që i ka Muzeu i Gjakovës janë të punuara me kujdes të veçantë prej terzinjve të qytetit dhe të vjetra prej 120 vjetësh. Po ashtu ka veshje të rajonit të Hasit dhe shumë punime dore të punuara nga gratë e qytetit. Sot qyteti i Gjakovës numëron katër muze si institucione të regjistruara në Ministrinë e Kulturës dhe në mbrojte. Kjo e bën Gjakovën të vetmin qytet me katër muze. Përveç Muzeut Etnografik, është edhe Muzeu i Historisë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kulla e Abdullah Pashë Drenit, Muzeu i Muzikës dhe muzeu i martirëve “Qerkezi”. Zëri