75-vjetori e gjen Bibliotekën Kombëtare me ambicie të reja, por edhe me probleme infrastrukturore

75-vjetori e gjen Bibliotekën Kombëtare me ambicie të reja, por edhe me probleme infrastrukturore

Kultura November 26, 2019 - 10:29

Liridona Ahma

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka shënuar më 25 nëntor 75-vjetorin e themelimit pas një viti aktivitetesh, projektesh e kontaktesh të reja, që ngritën përpara veprimtarinë e bibliotekës, e cila fatkeqësisht po vazhdon të përballet me probleme infrastrukturore. Drejtori i bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, në fjalën e tij të rastit në këtë përvjetor foli për historinë, por edhe për sfidat e  bibliotekës. “Biblioteka Kombëtare është themeluar në nëntor të vitit 1944 me emrin ‘Biblioteka Krahinore’. Që nga ajo kohë biblioteka ka ruajtur materialet drejtshkrimore e të shtypura. Në kohën e përzënies së shqiptarëve biblioteka ishte degraduar e koleksionet në gjuhën shqipe aq shumë u dëmtuan, saqë shumë vështirë u rimëkëmb për t’u riformuar”, u shpreh Gajraku, duke theksuar se me këto koleksione është dashur shumë punë, kujdes e sfida. “Ne po mundohemi ta ruajmë trashëgiminë drejtshkrimore, duke përfshirë dokumente të shtypura të institucioneve shtetërore që janë me vlerë arkivoro-historike. Po punojmë në politikat e zhvillimit, në mbledhjen dhe dokumentimin e kulturës sonë, në zgjerimin e shpërndarjen e botimeve të Kosovës dhe të promovimit të tyre. Është ëndrra jonë për t’ia shtuar koleksionit të bibliotekës atë që i ka munguar, ne duhet mbledhur dhe ka shumë punë për ta pasuruar për t’ia mundësuar qasjen botës për Kosovën”, përfundoi kështu Gajraku.  

Në anën tjetër kryetarja e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, Suzana Qapriqi, tha se kjo bibliotekë ka rëndësi jetike për kulturën, për historinë dhe për shkencën e vendit. “Pavarësisht të gjitha sfidave kjo bibliotekë nuk u shua. Ajo mbijetoi dhe sot vazhdon rrugëtimin e saj drejt një zhvillimi gjithnjë më të madh e më të shndritshëm”, tha Qapriqi, duke shtuar se sa i përket planit infrastrukturor ky institucion i kulturës ka ende probleme.  “Me keqardhje më duhet të pranoj se disa probleme kryesore nuk ka arritur t’i kapërcejë, të cilat ia vështirësojnë funksionimin normal të përditshëm. Në planin e infrastrukturës problemi kryesor është uji, i cili pikon nga çatia dhe po ashtu ujërat tokësorë që paraqesin problem konstant për librin dhe për teknologjinë, që përdorim në bibliotekë. Pavarësisht përkrahjes së ministrit Gashi, nuk ka pasur mundësi të shpejtohen shpalljet e kontratave që punën të fillonin gjatë verës”, u shpreh Qapriqi.

Me rastin e 75-vjetorit të bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” gjithashtu është hapur edhe ekspozita “Lufta e Kosovës në shtypin britanik 1998 – 1999”.  

Shqipe Canolli, zyrtare në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, njëherësh dhe organizatorja e kësaj ekspozite, tha se në këtë ekspozitë janë 15 artikuj, në të cilët paraqitet eksodi i shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. “Artikujt janë marrë nga projekti i madh, të cilin e ka realizuar zotëri Bejtullah Destani dhe historiani i njohur Neo Mallkolm dhe shumë shpejt Qendra për Studime Albanologjike në Londër do të promovojë projektin e digjitalizimit të artikujve periodikë për Kosovën”, tregoi Canolli.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur edhe disa ditë dhe organizatorët presion vizitorë të shumtë.Zëri