Marrëdhëniet shqiptaro-hungareze shtjellohen në një libër për Skënderbeun dhe për Hunyadin

Marrëdhëniet shqiptaro-hungareze shtjellohen në një libër për Skënderbeun dhe për Hunyadin

Kultura November 26, 2019 - 10:20

Liridona Ahma

Është promovuar të hënën në Prishtinë libri me titullin “Këto ishin kohë të vështira për Skënderbeun, por ai kishte një aleat, Hunyadin hungarez”, (“These Were Hard Times for Skanderbeg, But He Had an Ally, the Hungarian Hunyadi”), nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) dhe nga Ambasada e Hungarisë. Ky libri, titulli i të cilit është inspiruar nga një thënie e Fan Nolit, është realizuar nga një grup autorësh, i cili i dedikohet lidhjes miqësore gjatë historisë ndërmjet shqiptarëve e hungarezëve. Ky botim ngërthen në vete trajtesa të vlefshme të ngjarjeve dhe të aspekteve, që prodhojnë lidhjen e epokave dhe të figurave të shquara nga e kaluara e popujve tanë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ceremonia e promovimit u moderua nga historiani Frashër Demaj, kurse folës ishin nënkryetari Jusuf Bajraktari, ambasadori i Hungarisë Lazlo Markusz, Ylber Hysa dhe redaktori Krisztian Csaplar-Degovics. “Ky libër bën studimin e dy figurave dominuese të mesjetës në Evropë, për Skënderbeun shqiptar dhe për hungarezin John Hunyadin, si dy personalitetet më të shquara në luftën kundër osmanëve në shek. XV. Një trajtesë tjetër e argumentuar shkencërisht i është kushtuar periudhës më të re të historisë së Kosovës me autorësi të ambasadorit hungarez në Prishtinë, Lazlo Markusz, i cili në mënyrë analitike trajton qëndrimin e Hungarisë për Pavarësinë e Kosovës, si një domosdoshmëri faktike e pajtimit në mes të pozitës dhe të opozitës me Hungarinë, më 19 mars 2008”, tregoi Bajraktari.

Siç bëri të ditur Jusuf Bajraktari kjo vepër ka 340 faqe, me argumente të ndryshme e të veçanta të realizuara me ndihmën e studiuesve hungarezë, ku diskutojnë rëndësinë e studimeve albanologjike nga këndvështrimi gjuhësor.

 

 

Ambasadori Markus: Trashëgimia kulturore është vlerë që mund t’ua pasojmë brezave të ardhshëm


Ambasadori hungarez, njëherësh dhe bashkautori i librit, Laszlo Markus, u shpreh se ishte shumë krenar dhe i lumtur që  Akademia e Shkencave e Hungarisë mori pjesë në hulumtimin dhe në botimin e këtij libri, i cili përmban 15 episode të historisë së gjatë mes shqiptarëve dhe hungarezëve. “Kur flasim për trashëgiminë kulturore nuk ka të bëjë vetëm me artin, është e tërë vlera intelektuale që mund t’ua pasojmë brezave të ardhshëm dhe mendoj se ky libër është pjesë e saj”, tha Markusz.

Ai përmendi edhe intervenimin e trupave hungareze në luftën e Kosovës në vitin 1999 dhe mënyrën se si është vendosur të njihet Kosova si shtet. Po ashtu foli për raportet e bashkëpunimit të popullit hungarez me shqiptarët si rezultat i të cilave cilësoi se vazhdojnë këto raporte edhe tash.

Ylber Hysa gjatë promovimit tregoi se përmbledhja më e re e Akademisë së Shkencave mbi kontaktet historike shqiptaro-hungareze nuk mban vetëm një titull atraktiv, mirëpo interesante ishte e gjithë përpjekja e redaktuar nga Krisztian Csaplar-Degovics që në mënyrën origjinale bën përzgjedhjen e një sërë temash, të cilat ndahen në dy kapituj. Temat janë të ndara në lidhje historike dhe akademike, ku në të parën rreshtohen në mënyrë kronologjike 4 tema nga mesjeta, 6 nga koha e re dhe një tjetër që merret ekskluzivisht me Kosovën e sotme. Ndërsa në lidhjen akademike trajtohen tri tema nga arkeologjia, nga fjalori dhe nga botanika. “Tema ka të bëjë me një kontakt të dy popujve dhe të aspiratave të përbashkëta kundër një armiku të përbashkët, duke mos qenë fqinjë direkt. Mirëpo grupi i dytë i temave vjen nga një konstalacion i ndryshuar gjeopolitik ku shqiptarët dhe hungarezët pa zgjedhur vetë janë fqinjë në kuadër të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike me ardhjen e otomanëve në Ballkan. Kjo situatë e re historike i bën ata jo vetëm fqinjë, por edhe qytetarë në të njëjtin formacion shtetëror edhe pa vullnetin e tyre”, përfundoi Hysa.  Ndërkaq redaktori i librit Krisztian Csaplar-Degovics tha se për titullin e librit është inspiruar nga një citat i Fan Nolit. “Lexuesit e këtij libri do të arrijnë të kuptojnë së të dy popujt në më shumë se 5 shekujt e fundit kanë arritur të jenë me kontakt me njëri-tjetrin dhe jo vetëm sipërfaqësisht”, tha Degovics, duke theksuar se historitë e tyre janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Me përkushtimin e vazhdueshëm për studimet shqiptare në Hungari u arrit botimi i këtij libri. Edhe pse nuk ka një kërkim të organizuar mbi albanologjinë në Hungari, kapitujt e këtij libri tregojnë qartë se kërkues të ndryshëm shkencorë të mirinformuar nga ana akademike, në lidhje me të kaluarën historike janë bërë pjesëmarrës në kërkimin e historisë së përbashkët shqiptaro-hungareze.Zëri 
 

Image