Prezantohet pamja që do ta ketë obelisku për fëmijët martirë të Kosovës
foto: Laura Hasani

Prezantohet pamja që do ta ketë obelisku për fëmijët martirë të Kosovës

Kultura November 21, 2019 - 10:17

Liridona Ahma


Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve dje u bë publik pllakati, i cili tregon se si do të duket obelisku përballë aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, që u dedikohet fëmijëve të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas Konventës për të Drejtat e Njeriut, e cila është marrëveshja më e ratifikuar në gjithë botën, përfshin të drejtën e jetës, të drejtën e shëndetit, të edukimit dhe për të luajtur. Gjithashtu të drejtat për të pasur një familje, për t’u mbrojtur nga dhuna e diskriminimi. E këta fëmijë martirë  nuk e gëzuan këtë të drejtë, e cila u është mohuar tash e 20 vjet më parë.

Rrezeart Galica, dizajnues i kompleksit “Fëmijët martirë të Kosovës”, tha për gazetën “Zëri” se kanë vendosur që këtë Ditë të Fëmijëve ta shënojnë me pllakat, sepse institucionet e Kosovës nuk kanë qenë të gatshme që këtë projekt ta zhbllokojnë dhe ta ndërtojnë ashtu siç ka qenë e menduar nga fillimi.

Procesi për ta ndërtuar obeliskun ka mbetur pezull për shkak të mosmarrëveshjes së Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Kryeministrisë. “Tash e një vit jemi në pritje të përgjigjes së tyre, duke shpresuar se vitin e ardhshëm të zhbllokohet ky proces i ndërtimit të këtij obelisku. Duam që 20 nëntorin, i cili vjen, ta shënojmë në kompleksin për këta fëmijë martirë, të cilët tashmë dihet se numri tyre është 1432”, tha Galica.

Ky kompleks do të mbajë obeliskun 30m të gjatë dhe 20m të gjerë, si dhe do të ketë edhe elemente të tjera përcjellëse. Do të mbjellin 1432 pemë bonzai, në të cilat do të shënohen emrat, datat e lindjes dhe të vdekjes të fëmijëve martirë. Po ashtu Galica na bëri të ditur se për këto krime këshilli organizativ për këtë kompleks do të ngrejë padi ndaj shtetit serb në emër të të gjithë familjarëve të fëmijëve martirë. “Jemi në fazën e organizimit të mbledhjes së nënshkrimeve të familjarëve dhe në emër të tyre do të ngremë padi për vrasjen e fëmijëve. Ky do të jetë një proces më i gjatë, por do të organizohet mirë dhe do të kulmojë me padi ndaj Serbisë”, përfundoi Galica.

Xhavit Muqolli, familjar i viktimave, tha se ky projekt edhe pse i vonuar shpreson të mos ngelet në letër por të finalizohet. “Më 17 prill kam humbur 33 pjesëtarë të farefisit tim, 6 prej tyre nga familja ime e ngushtë. Në këtë pllakat gjendet vajza ime 4-vjeçare Eronita dhe djali dyvjeçar Fatosi. Shpresojmë dhe kërkojmë nga Qeveria të investojë dhe të shtyjë përpara projektin”, tha Muqolli.

Pllakati do të qëndrojë përballë aeroportit “Adem Jashari” derisa të fillojë të zbatohet iniciativa për ndërtimin e kompleksit memorial, i cili pritet të jetë një monument përkujtimor dhe i dinjitetshëm për fëmijët dhe për familjet e tyre.

Më datë 18 nëntor 2019 u bë edhe promovimi i librit “Fëmijët martirë të Kosovës 1981 - 1999” nga Nusret Pllana dhe Hanëmshahe Ilazi, i cili u kushtohet më shumë se 1.400 fëmijëve martirë të Kosovës të vrarë e të masakruar nga Serbia në periudhën e viteve 1981 – 1999. Zëri