Asnjë hulumtues i Institutit Albanologjik nuk ka punim të botuar në revista ndërkombëtare

Asnjë hulumtues i Institutit Albanologjik nuk ka punim të botuar në revista ndërkombëtare

Kultura nëntor 21, 2019 - 10:13
Image

Asnjë nga 36 punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik nuk ka punime të publikuara nëpër revistat akademike ndërkombëtare në platformat “Scopus” dhe në “Web of Science”, megjithatë ata vazhdojnë punën në këtë institucion edhe pse në bazë të Ligjit për Veprimtari Kërkimoro-Shkencore për titullin bashkëpunëtor shkencor kërkohet së paku një punim shkencor në ndonjë revistë shkencore relevante ndërkombëtare në kuadër të fushës, për titullin bashkëpunëtor të lartë shkencor kërkohen së paku tri punime, kurse për këshilltar shkencor kërkohen së paku pesë punime shkencore nëpër revistat relevante, shkruan sot gazeta "Zëri". Kjo dhe gjetje të tjera janë bërë të ditura të mërkurën gjatë prezantimit të hulumtimit me titullin “Instituti i vetizoluar”, të përgatitur nga organizata “Integra” me përkrahjen e KFOS-it.

Kushtrim Koliqi, nga “Integra”, tha para të pranishmëve se qëllimi i këtij hulumtimi nuk është fajësimi i ndokujt, por të sqarohet se çfarë bëjnë në fakt shumë institucione në Kosovë, të cilat funksionojnë si ishuj, pra nuk i japin llogari askujt.

Hulumtuesit e IA-së marrin paga për të cilat nuk i plotësojnë kriteret

Hulumtimi “Instituti i vetizoluar”, që për autor ka Shkëlzen Gashin, bën të ditur se hulumtuesit shkencorë në Institutin Albanologjik, ndonëse nuk kanë punime të publikuara ndërkombëtare në platformat “Scopus”  dhe në “Web of Science”, paguhen sikur të kishin punime të publikuara në to. Gjatë prezantimit të këtij hulumtimi para medieve autori Shkëlzen Gashi theksoi se pagat mujore në këtë institucion janë si vijon: Një bashkëpunëtor shkencor në IA paguhet 1239 euro, një bashkëpunëtor i lartë shkencor paguhet 1379 euro, si dhe një këshilltar shkencor paguhet 1622 euro. “Për përzgjedhjen e punonjësve shkencorë të IA-së duhet të respektohet Ligji për Veprimtari Kërkimoro-Shkencore. Për titullin bashkëpunëtor shkencor kërkohet së paku një punim shkencor në ndonjë revistë shkencore relevante ndërkombëtare në kuadër të fushës, për bashkëpunëtor të lartë shkencor kërkohen së paku tri punime, kurse për këshilltar shkencor kërkohen së paku pesë punime shkencore në revistat relevante ndërkombëtare. Po ashtu IA-ja në faqen e vet zyrtare të internetit duhet ta ketë një platformë, në të cilën i publikon të gjitha botimet e veta, si dhe të nxisë sa më shumë kritika, recensione e polemika për to”, tha ai.

Gjatë këtij prezantimi theks i veçantë i është dhënë faktit se IA-ja boton punime vetëm në gjuhën shqipe. Në rekomandimet e këtij hulumtimi thuhet se Instituti Albanologjik duhet të botojë vepra të veçanta edhe në gjuhë të huaja, e sidomos në gjuhën angleze, meqë një nga qëllimet e këtij institucioni është ndërkombëtarizimi i shkencës dhe i kulturës në Kosovë.

Asnjë revistë e Institutit Albanologjik nuk figuron në databazat serioze të fushës

Hulumtimi “Instituti i vetizoluar” nxjerr në pah se Instituti Albanologjik ka gjithsej tri revista: “Gjurmime albanologjike”, “Gjuha shqipe”, si dhe “Albanologji”, në të cilat botojnë kryesisht vetë punonjësit e IA-së, megjithatë asnjë revistë e Institutit Albanologjik nuk figuron në databazat serioze të fushës. “Përgjegjësit e të gjitha revistave thonë se kanë ‘Double Blind Review’, mirëpo ato nuk i përmbushin kriteret e kërkuara për një revistë me recensim të këtij lloji. Në asnjërën prej këtyre revistave nuk figuron emri i redaktorit, i cili e ka përcjellë procesin e vlerësimit. Në asnjërën prej këtyre revistave nuk ka të dhëna për datën e dërgimit të punimit në revistë dhe për datën e pranimit të punimit nga redaktori i revistës, në mënyrë që të dihet se sa kohë i ka marrë publikimi i atij punimi”, theksoi Shkëlzen Gashi gjatë prezantimit të këtij hulumtimi.

Gashi shtoi se këto revista nuk kanë ISSN (kod të pranuar ndërkombëtarisht për publikimet serike), që është kriter teknik për revista. Po ashtu asnjë prej këtyre revistave nuk i ka numrat online të qasshme nga publiku, që po ashtu është kriter teknik për revistat. Në anën tjetër si problematikë u pa edhe fakti se sipas Ligjit për Veprimtari Kërkimoro-Shkencore, drejtori, përveçqë drejton Institutin Albanologjik, kryeson edhe Këshillin Drejtues, edhe Këshillin Shkencor të tij. Për më shumë, nuk ka kurrfarë kufizimesh ligjore a statusore sa i përket numrit të mandatave që mund t’i mbajë. Ky hulumtim rekomandon se Ligji për Veprimtari Kërkimoro-Shkencore duhet të ndryshojë, në mënyrë që drejtori të mos e udhëheqë Këshillin Drejtues dhe Këshillin Shkencor, si dhe të mos ushtrojë detyrën për më shumë se dy mandate.

Instituti Albanologjik nuk i bën publike raportet e veta vjetore

Hulumtimi “Instituti i vetizoluar” tregon se Instituti Albanologjik i Kosovës nuk i bën publike raportet e veta narrative dhe financiare. Ato nuk publikohen as në faqen e internetit të IA-së e as në atë të MASHT-it, Ministri së cilës ky Institut i raporton. Hulumtimi i “Integra”-s nxjerr në pah se nga viti 2008, kur IA-ja është ndarë si linjë buxhetore, e sidomos prej vitit 2012 ku buxhetin vjetor e ka mbi gjysmë milioni, prej dy projekteve të mëdha ka finalizuar vetëm “Veprën e Rexhep Qosjes”. Projektin “Vepra e Anton Çettës”, që është dashur ta përfundonte para dy vjetësh, nuk e ka përfunduar ende. “Duhet sqaruar se cila është vlera shkencore e veprës së Rexhep Qosjes dhe e veprës së Anton Çettës. Po ashtu duhet sqaruar se pse është e nevojshme të botohen komplet veprat e këtyre dy ish-punonjësve të Institutit Albanologjik e pse jo (edhe) veprat e të tjerëve. IA-ja duhet të ketë kritere të caktuara për botimin e kompleteve të veprave të punëtorëve e të ish-punëtorëve shkencorë të IA-së”, thuhet në rekomandimet e këtij hulumtimi.

Ky hulumtim flet hollësisht për historikun e këtij institucioni, për stafin, për bashkëpunimet me institucionet e tjera, për financimin dhe për transparencën. Hulumtimi “Instituti i vetizoluar” është botuar në gjuhën shqipe e në gjuhën angleze dhe tirazhi i tij është 1000 copë. Zëri

Image