Artistët bëhen bashkë për t’i dalë në ndihmë Burbuqe Berishës

Artistët bëhen bashkë për t’i dalë në ndihmë Burbuqe Berishës

Kultura November 20, 2019 - 10:29

Një ankand me punimet e dhjetëra artistëve do të mbahet më 21 nëntor, prej orës 18:00, te “Mensa e Ramiz Sadikut” në Prishtinë. Mjetet financiare të mbledhura nga shitja e këtyre punimeve do të adresohen për shërimin e regjisores Burbuqe Berisha, e cila së fundmi po përballet me probleme të theksuara shëndetësore. Këtë iniciativë e kanë marrë kolegët e saj nga komuniteti artistik. Kjo mbrëmje do të udhëhiqet nga aktori i njohur kosovar Fatmir Spahiu, kurse për këtë iniciativë është shprehur falënderuese edhe vetë Burbuqe Berisha, e cila ka theksuar se është e vështirë në raste të tilla të përballohen vetë të gjitha. “Miq të dashur, ju faleminderit nga zemra për këtë iniciativë fisnike! Të gjithë e dimë se në raste të tilla është shumë e vështirë t’i përballosh vetë të gjitha, financiarisht e emotivisht. Jam shumë e lumtur që po shprehni vullnetin të gjendeni pranë meje. Secilit nga ju ia uroj më të mirat e kryesoren shëndetin”, ka shkruar Berisha.

Luan Mulliqi, Ismet Jonuzi, Zake Prelvukaj, Eliza Hoxha, Lorik Sylejmani, Valdete Vuçitërna, Visar Mulliqi, Arlinda Hajrullahu, Hajrush Fazliu, Muhamet Ahmeti, Musë Prelvukaj, Isa Alimusa, Lirije Bulliqi, Vlora Kosumi, Vlora Hajdini, Arben Shala, Blerta Surroi, Lyra Zajmi, Bardhyl Bejtullahu, Zana Ramadani, Mjellma Goranci, Shqipe Kamberi, Arbana Hajredinaj, Tomor Arifi, Guri Cavdërbasha e Mirsad Lushtaku janë artistët që kanë ofruar punimet e tyre për këtë ankand. Zëri