Besnik Mustafaj, 'Autori i vitit' në Panairin e Tiranës

Besnik Mustafaj, 'Autori i vitit' në Panairin e Tiranës

Kultura November 19, 2019 - 10:18

Besnik Mustafaj me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës” u shpall “Autori i vitit” në panairin e librit “Tirana 2019”. Në edicionin e 22-të të Panairit të Librit, që u mbyll të dielën, Korab Hoxha u vlerësua nga juria me çmimin “Përkthyesi i vitit”, me përkthimin e botimit me poezi “Tetori në vagon” të shkrimtares ruse Marina Cvetajeva. Çmimi i “Letërsisë së memories” iu nda autori Lekë Tasi për veprën “Grabjani rrëzë kodrave”. Çmimi i posaçëm nga Ambasada Franceze shkoi për Saverina Pashon për librin “Lehtësia e padurueshme e qenies” e Milan Kunderës.

Juria e edicionit të 22-të përbëhej nga Lili Sula, pedagoge në UT, shefe e Departamentit të Letërsisë (kryetare e jurisë), Agim Baçi kritik letrar, Parid Teferiçi përkthyes, Adriatike Lami shkrimtare dhe Agim Doksani përkthyes. Çmimi “Autori i vitit” për Besnik Mustafaj ishte me motivacionin: “Për përshkrimin plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike ende të pranishme edhe të gjallë në mendjet njerëzore”. I vlerësuar në këtë edicionin të 22-të të Panairit të Librit, autori Besnik Mustafaj u shpreh se e konsideronte këtë çmim për t’iu përkushtuar letërsisë. “E konsideroj këtë çmim si një konfirmim të drejtësisë, për ta lënë politikën edhe për t’iu përkushtuar letërsisë”, u shpreh gjatë ceremonisë Mustafaj.

 Në këtë ceremoni kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, u shpreh se me finalizimin e këtyre çmimeve është një punë e gjatë, ku janë lexuar shumë vepra të reja.

Panairi i librit “Tirana 2019” nisi më datë 13 nëntor në Pallatin e Kongreseve. Edicioni i 22-të ka bërë bashkë botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në hapjen e tij botuesit u shprehën se problemet me librin nuk janë të pakta. Shqetësuese sipas tyre është dhe gjendja që kanë sot bibliotekat, ku duket se për furnizimin me libra pak bëhet. Në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit, në fjalën e tij kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, tha se kanë kaluar 22 vjet që nga 1998-a kur u organizua panairi i parë. Për botuesin Ymeri është një rrugë e gjatë, e lodhshme edhe pasionante, por nuk kanë munguar problemet ndër vite.Zëri