Poezi migrantësh në dialog

Poezi migrantësh në dialog

Kultura November 18, 2019 - 15:31
Image

“Enciklopedia e Mërgimit” është një eksperiment letrar i parëndomtë në letrat shqipe. T’ia nisim nga autorësia: “Enciklopedia e Mërgimit” është një vëllim i shkruar nga dy autorë, Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku. Autorësia e dyfishtë zgjeron dhe pasuron harkun e eksperiencës, nisur nga premisat e autorëve. Një autor është grua e një burrë. Një syresh lindur në Shqipëri, një në Kosovë. Një që shkruan gegnisht me prekje standardi, e një në standard me prekje gegnishte. Edhe masa e tekstit transmeton pasuri në  formë e përmbajtje, me poezi, prozë poetike, e reflektime qëllimisht prozaike të përditshmërisë, të cilat ngjyrosin veprën me gjithë paletin e dritëhijeve emocionale të jetës.

Lexuesi pikas midis rreshtash edhe nuanca të ndryshme të mërgimit, që pasqyrojnë jetëshkrime të ndara. Entela Tabaku ishte pedagoge në Departament të Letërsisë pranë Universitetit të Shkodrës para se të ndiqte një dashuri gjer në Suedinë e largët, më 1998. Atje ajo nisi shkollën nga e para gjersa arriti PhD në gjuhësi, e sot ka katedrën e shqipes pranë universitetit të lashtë në Uppsala. Ndërsa mërgimi i Shqiptar Osekut ishte krejt tjetër, ai nuk ndoqi dashurinë po u dëbua nga urrejtja, ashtu si qindramijëra shqiptarë tjerë nga Kosova. Në Suedi ai studioi shkencat sociale, ndersa ka punuar si punëtor social dhe terapist.

 

“Enciklopedia e Mërgimit” është një nga ato që sot quhen vëllime konceptuale, ku përmbledhja ka një strumbullar të brendshëm tematik i cili bashkon krijime aparte në formë e përmbajtje. Lënda universale nga e cila sajohet "Enciklopedia e Mërgimit" është identiteti i mërgimtarit, që bashkon eksperiencat e ndara nën një kupolë letrare. Ky vëllim do të ishte njësoj efikas edhe në gjuhët e mëdha, ta zëmë në anglisht a frëngjisht, pse do t’u fliste miliona migrantëve në një gjuhë të njohur e të kuptueshme prej tyre. Renditja e shkrimeve simbas fjalorit anglisht të termeve të migrimit, e ruajtja e termeve në anglishten e origjinalit, është gjetje inteligjente që i shërben strukturës së vëllimit.

 

“Enciklopedia e Mërgimit” lexuesit të vëmendshëm ia kujton dialogun dygjuhësor Airborn/Hijos del Aire, i botuar më 1981 në Londër nga nobelisti Octavio Paz dhe përkthyesi i tij dhe poeti Charles Tomlinson në formë të përmbledhjes poetike në spanjisht e anglisht njëherit. Ngjashmëria qëndron te autorësia e dyfishtë, e te laryshia e eksperiencave poetike. Por ndërsa ata shkëmbenin poezi në largësi, që më vonë u botuan në një vëllim, “Enciklopedia e Mërgimit” e autorëve Tabaku & Oseku duhet qartë se është sajuar në një impenjim të përbashkët. Si një metaforë letrare dhe e pikëllimtë, ndoshta, e asaj thënies së zhubrosur të politikës sonë, se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në Europë.

“Enciklopedia e Mërgimit” është interpretim poetik i asaj si ndodh sot ky lloj bashkimi. Si fat migrantësh me qelqe të thyer xhamash në dritare që shikojnë drejt së shkuarës. Dhe ndoshta ky vëllim është e vetmja e mirë e këtij lloj bashkimi. Zëri