Prizreni bëhet me “Cineplexx”

Prizreni bëhet me “Cineplexx”

Kultura November 15, 2019 - 10:28
Image

Qytetit historik të Kosovës, Prizrenit, i është shtuar edhe një atraksion kulturor. Bëhet fjalë për kinemanë austriake “Cineplexx”, e cila pas Prishtinës rrjetin e saj në Kosovë e ka zgjeruar duke hapur edhe një kinema të re në Prizren. Kjo kinema, e pajisur me fjalën e fundit të teknologjisë, ka pesë salla dhe rreth 800 ulëse, si dhe gjendet në qendrën tregtare “Galeria” të qytetit të Prizrenit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mbrëmja e së enjtes bëri bashkë në Prizren filmbërës, artistë e dashamirë të filmit, që morën pjesë në hapjen zyrtare të kësaj kinemaje. I pranishëm ishte edhe Christian Langhammer, pronari i “Cineplex”-it, i cili para të ftuarve u shpreh falenderues ndaj Komunës së Prizrenit që mirëpriti këtë kinema në qytetin e vet, si dhe qendrën tregtare “Galeria Shoping Mall”. “U mbushën tre vjet qëkur erdhëm në Kosovë. Sot në Prizren hapëm pikën e dytë ultramoderne, në të cilën janë investuar 4 milionë euro”, tha Langhammer, duke u shprehur i lumtur për këtë zhvillim.

Në anën tjetër Milazim Salihu, drejtor i “Cinepexx Kosova”, tha se kjo është një ëndërr e bërë realitet. Ai u shpreh i lumtur që publiku kosovar, por edhe shqiptar, meqë Prizreni është qytet kufitar, do ta ketë një hapësirë ku do t’i ndjekë premierat vendore e botërore.

 Gojart Shaqiri, drejtor ekzekutiv i “Galeria Shopping Mall”, tha se është krenari që në qendrën e tyre ta kenë një markë si “Cineplexx”.

“Prizreni është me fat që ‘Cineplexx’ vjen këtu me teknologjinë më të re”, tha Shaqiri duke falemderuar menaxhmentin e “Cineplexx”-it për besimin.

Kurse Eshref Memaj, nënkryetar i Komunës së Prizrenit, uroi pronarët e  kinemasë “Cineplexx” për këtë investim. Në emër të institucionit që përfaqson Memaj falënderoi ata që kanë zgjedhur Prizrenin si lokacion të dytë në Kosovë dhe u zotua ashtu siç kanë qenë bashkëpunues që nga fillimi se do të vazhdojnë të jenë edhe më tej.

Filmi i parë që u shfaq në këtë kinema ishte “Ford v Ferrari”. Gjatë javëve të para në ekranet e kësaj kinemaje do të shfaqen filmat si “Terminator: Dark Fate”, “Joker”, “Gemini Man”, “Maleficient”, “Frozen 2”, “Ford v Ferrari” e shumë të tjerë. Orari i kinemasë do të jetë prej orës 15:00 deri në orën 23:00, si dhe gjatë kësaj periudhe çdo 20 minuta do të ketë terminë të filmave të ndryshëm.

Rikujtojmë se “Cineplexx” tashmë operon me sukses në Itali, Slloveni, Rumani, Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Greqi dhe Shqipëri. Zëri